Tiranë, 3 dhjetor, NOA – Projektet e donatorëve janë zbatuar në mënyrën më të mirë nga qeveria dhe korrupsioni është luftuar në të gjitha format e tij. Kjo është deklarata që ka bërë sot Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo, në takimin e zhvilluar mes Qeverisë dhe Donatorëve
Pollo theksoi gjatë fjalës së tij se Shqipëria është kthyer në një histori suksesi në luftën kundër korrupsionit.
“Lufta kundër krimit, korrupsionit përfshirë edhe pastrimin e parave mbetet prioritet dhe komuniteti i donatorëve ka mbështetur Qeverinë me projekte të ndryshëme në forcimin e masave antikorrupsion”, tha ai.
Në këtë takim ishte e pranishme dhe ambasadorja e Zvicrës, Yvana Enzler, si Kryetare e radhës e Sekretariatit Teknik të Donatorëve, si dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe të komunitetit donator në Shqipëri.
“Vendimi i BE për të hequr vizat Schengen për Shqipërinë, është një hap historik për çdo qytetar shqiptar. Ky vendim është një sukses përsa i përket lirisë dhe dinjitetit të çdo shqiptari, por që gjithashtu shoqërohet me përgjegjësi të mëdha për të mos lejuar abuzimet me të”, tha Pollo.
a.k/NOA