Një vit më parë zoti kryeministër, në janar të 2010 u përmbyt Shkodra dhe ju në atë kohë e quajtët një fatkeqësi natyrore, e quajtët një fatkeqësi që ndodh njëherë në njëqind vjet dhe premtuat se do të marrë masa të tillë që do të ndodh mbas njëqind vjetësh. Në harkun e një viti ndodhi për herë të pestë. Jepini përgjigje popullit të Shkodrës dhe parlamentit shqiptar zoti kryeministër, pse ndodhi për herë të pestë kjo përmbytje në Shkodër?
Nga Gramoz Ruçi*
Në radhën e parë të thamë se qeverisja juaj vrau katër fëmijë. Kurse ne duhet të kërkojmë të falur. Po unë sot në emër të opozitës shqiptare kërkoj të falur, që mban në pushtet një qeveri vrastare. Së dyti, ti megjithëse i vrave lëshon lot krokodili dhe si qan. Unë përsëri kërkoj falje që mban në pushtet një qeveri dhe një kryeministër vrastar në qeverisjen e tij dhe pa mëshirë. Së tretin ti nuk i nderove këta fëmijë qoftë dhe me një minutë heshtje, me gjithë kërkesën e opozitës, me gjithë kërkesën e deputetes së Durrësit. Po unë kërkoj falje që mbajmë në pushtet një qeveri që nuk di të nderoj të vdekurit, aq më tepër kur janë fëmijë. Së katërti, ti këtë fatkeqësi nuk e ndihmove sipas vendimeve që duhej të merrje në Këshillin e Ministrave, materialisht të përballojnë atë fatkeqësi fukarallëku. Po për herë të katërt, unë në emër të minorancës kërkoj falje që mban në pushtet një qeveri e cila as kur ikën katër pjesëtarë të një familje, më i madhi në klasën e pestë, ne si opozitë të mbanë ty në pushtet.
Kurse për anën morale tjetër ai jeni ju zoti kryeministër që me arkivolin e të ndjerit Azem Hajdari i ratë derës së kryeministrisë? A ishit ju zoti kryeministër në tragjedinë e Karaburunit, kur ne ishim në pushtet çfarë nuk bërë për të nxjerrë kapitale elektorale dhe politike. A ishim ne zoti kryeministër kur ti me qeverisjen tënde vrave 26 vetë në Gërdec dhe ne tu gjendëm në krah dhe morëm kosto elektorale për këtë çështje se duhet të ishim sjell ndryshe me ty. Ti përsëri vazhdon të akuzosh opozitën dhe liderin opozitës. Jo zoti kryeministër populli që na shikon e na dëgjon ka veshë për të parë ty dhe ne, ka sy për të parë ty dhe ne. Po po kështu ka koshiencën mendore për të gjykuar tu dhe ne. Prandaj ne sot ju kërkuam ju jo për të anatemuar opozitën se nuk i përmbyti opozita, e nuk deklaruam për të zhdukur siç thatë ju, por ajo që unë deklarova ishte pikërisht që të mos kishte të zhdukur. Për fat të keq unë nuk dëgjova më të voglën ndiejnë përgjegjësia që pse kjo tragjedi ndodh për të pestën herë në harkun e një viti.
Një vit më parë zoti kryeministër, në janar të 2010 u përmbyt Shkodra dhe ju në atë kohë e quajtët një fatkeqësi natyrore, e quajtët një fatkeqësi që ndodh njëherë në njëqind vjet dhe premtuat se do të marrë masa të tillë që do të ndodh mbas njëqind vjetësh. Në harkun e një viti ndodhi për herë të pestë. Jepini përgjigje popullit të Shkodrës dhe parlamentit shqiptar zoti kryeministër, pse ndodhi për herë të pestë kjo përmbytje në Shkodër?
Sigurisht ju këtë vazhdoni ta quani katastrofë natyrore, që ndodh rrallë, që ujërat u tërbuan, që të gjithë lumenjtë e Ballkanit kanë ardhur në Shkodër. Ju s’jeni për këtë zoti kryeministër, ju jeni që të mbani premtimin që veriu i Shqipërisë dhe Shkodra mos të përmbyten më. Ky ka qenë angazhimi jonë solemn, këtu në parlament dhe përpara opinionit publik shqiptarë në tërësi dhe atij Shkodran në veçanti. Prandaj ne si opozitë jemi këtu tju kërkojmë llogari për tre gjëra që ke premtuar dhe që janë shkaku i kësaj përmbytjeje:
Para një viti premtuat se do ndërhyhej menjëherë në shtratin e Bunës dhe atë do ta kthenit në një lum të lundrueshëm. Madje fjalë për fjalë po përsëris fjalën tënde që kishe biseduar me kryeministrin e Malit të Zi dhe kishe arritur në një marrëveshje, madje urdhrin që i ke dhënë ministrit Olldashi që të organizosh me procedurë të përshpejtuar tenderin ndërkombëtar për thellimin e Bunës dhe kjo ishte masa e parë që duhej te merrej dhe shkaku i parë që u përmbyt Shkodra. Na jep llogari këtu në parlament. Pse e mashtrove Shkodrën? Pse e mashtrove parlamentin shqiptarë? Pse nuk e mbajte premtimin e bërë? Pse si rezultat i mos mbajtjes së këtij premtimi ndodhi kjo katastrofë për herë të pestë e me përmasa më të mëdha se ajo e një viti më parë?
Së dyti, premtuat bypass-in e Shkodrës me qëllim që të rehabilitohej zona e përmbytur dhe të parandaloheshin ndërtimet pa leje. Ku është ky premtim i pa mbajtur?
Së treti, premtuat studimin e përmirësimin e të gjithë argjinaturave. C’është bërë deri më sot? Njëra pas tjetrës po shemben ato që janë. Ku është premtimi i pa mbajtur?
Këto janë tre arsyet themelore, e nuk janë as reshjet e shiut dhe as shkarkimet. Pra me pak fjalë ju zoti kryeministër keni dështuar. Ti duhet të japësh hesap dhe në qoftë se vërtet e ndjen përgjegjësinë morale, politike, institucionale ka vetëm një akt, ti thuash parlamentit më fal, ti thuash popullit më fal dhe në qoftë se e ke seriozisht të japësh vetëm dorëheqjen, për gjithë këtë katastrofë të madhe. Jo të vish këtu e të kërkosh hesap për opozitën. Opozita e një vendi demokratik është për ti kërkuar llogari qeverisjes, për të parë e për të shënuar cilat janë angazhimet, cilat janë gabimet, cilat janë fajet dhe të kërkojë hesap e për ti vënë këmbët në një këpucë deri në largimin dhe kërkesën për dorëheqjes së kreut të qeverisë dhe ti e ke mbushur këtë kupë. Por ti në vend që të bësh këtë ti udhëhiqesh sipas parimit që mbrojtja më e mirë është sulmi. Në qoftë se kërkon që me sulmet e tua të ulësh kërkesën e opozitës, gabohesh. Në qoftë se me sulmet e tua, me anatemimet e tua ti kërkon që të kompleksesh opozitën përsëri gabohesh. Ne jemi këtu që të kërkojmë llogari dhe jo të japim llogari. Ne jemi këtu që të nxjerrim përgjegjësinë tënde dhe jo që ti të nxjerrësh përgjegjësinë tonë. Ne jemi këtu të kërkojmë largimin tënd si kryeministër i një vend demokratikë dhe jo ti të kërkosh fashitjet që opozita të ul kokën dhe ti të mos i përgjigjesh opozitës.
Në cilin vend demokratik do të ndodhte kjo që për të dytë me përmasa shumë herë më të mëdha se herën e parë, të propozosh tre masa të cilat opozita që në atë kohë të ka propozuar një paketë masash publikisht, institucionalisht dhe që ti nuk i more në konsideratë. E duke qenë se nuk i more në konsideratë ato ja ku shkuam, se të pëlqen vetëm mendja jote nuk të pëlqen mendja e opozitës. Opozita ka mbledhur një forum, se në atë kohë nuk ishte në parlament dhe të ka bërë një analizë se pse ndodhi kjo ashtu sikurse ka përcaktuar një paketë masash që mos të ndodhin më kështu fatkeqësish.
Por ju jo vetëm këto që nuk i more në konsideratë dhe i hodhe në plehra por edhe tre gjëra që premtove vetë, që u angazhove vetë, që i votove vetë për tu hedhur hi syve, për të hedhur lumin e momentit dhe ja ku është fundi. Prandaj kush ndjell erën korr furtunën thotë populli, por furtunën tënde mos harro që e paguajmë të gjithë. E paguajnë ata që i janë përmbytur shtëpitë. E paguajnë ata që sot do ta gdhijnë natën majë tarracave se nuk e di sesa do të shkojë niveli i ujit gjatë natës. E paguajnë ata që humbën tokat, e paguajnë ata që humbën gjënë e gjallë. E paguajnë të gjithë ata që para një viti ju premtove dëmshpërblim dhe ju dhe një asistencë dikujt 40 mijë, dikujt 50mijë, biles dhe atyre sipas bindjes politike.
E pra për këto jep llogari e mos na thuaj që unë çfarë bëjë në mbledhje qeverie, që unë kam çuar më të madhin e policisë apo të ushtrisë, kam çuar disa makina ushtarake. Nuk përgjigjet një kryeministër kështu për një fatkeqësi kaq të madhe. Nuk ka ç’bën ky parlament veç diskutimit, nxjerrjes së përgjegjësisë dhe përcaktimit të masave, që jo mijëra të zhdukur siç deklaron ti por kërkesa e opozitës ishte absolutisht asnjë njeri të mos cënohet. Ky është shqetësimi, ky është preokupimi i opozitës. Kjo është kërkesa, kjo është emergjenca që ka opozita. Këtë duhet ta përshëndesësh dhe jo ta anatemosh e ta kryqëzosh këtu në parlament se gjasme opozita paska bërë të pabërën dhe të paparën, se radhën e parë demaskuam varfërinë dhe zhdukjen e jetës së katër vogëlusheve nga varfëria e tejskajshme e qeverisë tënde.
Të gjitha ato që hodhe për opozitën merri mbrapsht për vete dhe ne na jep hesap se pse tre masat e përcaktuara nga ty siç është Buna, bypass, argjinaturat e shembura e të pa përmirësuara, i keni të zbardhura të gjitha zotimet tuaja, pse këto tre masa dhe këto tre vendime të qeverisë dhe të parlamentit, ke një rezolutë të parlamentit shqiptar me votat e mazhorancës tënde ke në pikën katër dhe pikën 5, jep llogari këtu pse nuk e ke zbatuar. Para një viti kryetarja e parlamentit e hapi fjalën këtu në luftën kundër opozitës se opozita nuk ishte në sallë dhe e mirëpritën atë që deklaruam ne publikisht. Pas një viti opozita është këtu në sallë kërkon që të diskutohet kjo çështje dhe juve kërkoni që të mos e diskutoni. Jini më serioz me veten. Jini më koherent me atë që keni publikuar sot e para një vitit, për të njëjtën ngjarje, për të njëjtin rast e për të njëjtat shkaqet. Tani përgjegjësia është atje ku duhet të ishte, se atëherë mund të justifikoheshit se nuk e menduat. Ndërsa kësaj radhe ndodhi para një viti u përcaktuan masa, ndodhi pesë herë edhe katër herë veç kësaj që arriti në këtë nivel. Ju përsëri kërkoni të shmangeni, paskeni çuar disa makina, paskeni bërë një dy mbledhje qeverie, paskeni çuar më të madhin e policisë dhe të ushtrisë. Këto na qenkan masat që janë marrë për Shkodrën. Kjo është qesharake. Kjo është çmenduri. Kjo është papërgjegjshmëri prandaj e gjithë kjo tregon dështimin tuaj si qeveri, dështimit tënd si kryeministër dhe vetëm një gjë mund të shpëtojë ose përcaktimin e masave këtu dhe të japësh llogari ën parlament dhe këtë ta shoqërosh pas këtij dështimi me dorëheqjen tënde.
*Fjala në Kuvend e kreut të Grupit Parlamentar Socialist