Tiranë, 3 Dhjetor 2010 NOA – Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama përshëndeti sot miratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2011 duke vlerësuar atë si tregues stabiliteti ekonomik.
Rama tha se buxheti i ri, është dëshmi e një politike te drejte qeverisëse dhe e konsideroi si “buxhet i sfidave te mëdha dhe i punëve te mëdha”.
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim si parti në qeverisjen e vendit, Rama tha se produkti i këtij buxheti do të jetë padyshim produkti i veprave të mëdha dhe i realizimeve të mëdha.
Sipas Ramës buxheti i ri shpreh më së miri stabilitetin ekonomik do të thosha në mënyrë të veçantë dhe treguesit që ai ka dëshmojnë që ndryshe nga çfarë po ndodh përgjithësisht në zhvillimet ekonomike rajonale apo globale, stabiliteti ekonomik i vendit tonë dhe treguesit gjithnjë e në rritje shprehin më së miri drejtësinë dhe faktin që politikat qeverisëse kanë qenë të atilla që vijnë në përputhje me interesat e vendit, me interesat e qytetarëve dhe me aspiratat e tyre për të ecur më tej, për të guxuar për të shkuar më me vendosmëri drejt treguesve dhe më të lartë që përcakton ky buxhet.
Rama më tej vlerësoi se do të ishte mirë që edhe opozita të shihte më me realizëm dhe më me ndjeshmëri pozitive treguesit e këtij buxheti dhe të ofronte kontribute konstruktive, pasi opozita nuk është thjesht dhe vetëm një votë “pro” ose “kundër”.
Opozita është mision dhe misionin e opozitarit, si një mision të rëndësishëm e përmbushin njerëz që kanë alternativë dhe që ofrojnë alternativë, - u shpreh Rama.
e.r/NOA