Tiranë, 3 dhjetor, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste ka deklaruar sot se me ardhjen e të majtës në pushtet nuk do të këtë përmbytje si ajo e Shkodrës. Ai u shpreh se do të ketë masa efikase dhe përkushtim më të madh.
“Me ne në qeveri nuk do të ndodhin kurrë situata të tilla, jo se nuk do të bjerë më shi, apo lumenjtë nuk do të dalin më nga shtrati, por sepse është e pamundur që të tilla katastrofa të përsëriten pesë herë në vit, nëse ka një qeveri që qeveris dhe jo një pushtet që sundon”, tha sot Rama.
Më tej ai u shpreh se probleme mund të ketë për shkak të reshjeve, por është e pafalshme që të mos funksionojnë institucionet dhe të mos kenë marrë masat.Në vazhdim të fjalë së tij Rama theksoi se, nuk është kjo mënyra sesi kryeministri i një vendi duhet të reagojë. Akuzave të bëra nga Berisha për përmbytjet në “Don Bosko” dhe në “Komunën e Parisit” dhe përmbytjen e Tiranës disa vite më parë, Rama ju përgjigj se ky është një “turp i Sali Berishës”.
Kreu i PS-së ka folur dhe për pjesëmarrjen e djeshme të deputetëve Malaj dhe Harasani në seancën e buxhetit. I pyetur nëse do të ketë masa penalizuese ndaj tyre, Rama u shpreh se ka “një kryedeputet që duhet penalizuar dhe jam i bindur se do të penalizohet dhe ky është Sali Berisha”.
a.k/NOA