English

Rama: Parlamenti, vendi ku të vjen turp që je shqiptar

Tiranë, 3 dhjetor, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar sot për seancën e djeshme në Kuvend dhe debatet e zhvilluara mes mazhorancës dhe opozitës.

Në bashkëbisedimin e zhvilluar sot me gazetarët Rama u shpreh se parlamenti i djeshëm është vendi ku të vjen turp të jesh shqiptar, kur e sheh nivelin e dialogut dhe sasinë e ofendimeve.

“Në kushtet kur Kuvendit i takon më shumë sesa zakonisht që të zhvillojë një debat serioz, ku ballafaqohen fakte, natyrisht nga këndvështrime të ndryshme, Parlamenti kthehet në vendin që të vjen turp që je shqiptar dhe sheh sesi shqiptarët përfaqësohen paturpësisht me format më të degjeneruara të komunikimit dhe të përfaqësimit të interesave të tyre”, tha sot Rama.

Ai u shpreh se në Kuvend kryeministri u soll si shakaxhi dhe dhunoi traditën më të mirë shqiptare të komunikimit.

“Në cilin vend normal, ku njerëzit përfaqësohen, ku ka një Parlament që zhvillon debat mes palësh, ekziston një komunikim si i Parlamentit shqiptar, si i Kryeministrit të Shqipërisë që pafundësisht bastardon çdo përpjekje normale të detyrueshme të opozitës për të ngritur probleme”, tha Rama.

a.k/NOA

KOMENTE