Tiranë, 3 dhjetor, NOA – Partia Socialiste ka bërë përgjegjës për situatën e përmbytjeve në Shkodër dhe në zona të tjera të vendit kryeministrin Sali Berisha. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS, Eduard Shalsi, tha sot se kreu i qeverisë duhet të largohet dhe se burokracia pas së cilës fshihet për çështjet e ngritura flasin për gjendje jo të mirë shëndetësore.
“Jemi seriozisht të shqetësuar për gjendjen mendore të Sali Berishës. Partia Socialiste kërkon të dijë në Kuvend shkaqet pse për të pestën herë brenda vitit Shkodra përmbytet, Saliu flet për tunele e shirita inaugurimesh. Partia Socialiste pyet në Kuvend pse nuk u mbajt asnjë premtim e s’u morr asnjë masë për parandalimin e përmbytjeve, kurse Saliu hedh baltë mbi opozitën, e vazhdon të shpifi e të gënjejë”, tha në deklaratën e tij për mediat Shali.
Nënkryetari i Grupit të PS-së foli dhe për kërkesën për hetimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar. Sipas tij përgjigja e mazhorancës nuk është normale.
“Prej 15 muajsh opozita kërkon transparencën dhe hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, gjeja me normale për çdo vend demokratik, kurse Saliu fshihet pas burokracisë”, tha ai.
Shalësi kërkoi dorëheqjen e kreut të qeverisë duke theksuar se Sali Berisha ka dyshuar. Sipas tij dështimi më i qartë është përmbytja e Shkodrës dhe e zonave rreth saj, por edhe qytetet e tjera të vendit.
“A nuk e kupton Saliu se ka dështuar? Se gjithë kjo situatë e krijuar është kryekëput faji i një njeriu të vetëm, i Sali Berishës? A e sheh Saliu dështimin e tij, përmbytjen e Shkodrës, Nën Shkodrës, dhjetëra komunave e së fundmi edhe vërshimin e ujërave deri në Fushë Krujë, Durrës e Vorë? Sot, Saliu mund të bëj veç një shërbim, të largohet, të pranojë fajin dhe dështimin e tij”, tha sot Shalsi.
a.k/NOA