English

Situatë emergjente nga reshjet, Topi pritet të mbledh Këshillin e Sigurisë

Tiranë, 3 dhjetor, NOA – Situata e krijuar nga reshjet e ditëve të fundit duket se ka hyrë në pikën më kritike. Për këtë qëllim Presidenti i Republikës pritet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Një institucion që mblidhet vetëm në rastet më emergjente kur problemet parashikohen me pasoja të rënda për banorët.

Zyra e Shtypit e Presidencës njofton se “pas marrjes së këtyre informacioneve të fundit dhe vlerësimit të situatës, në bashkëpunim me të gjithë aktorët institucionalë, Presidenti i Republikës po përgatitet për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”.

Presidenca njofton se kreu i shtetit ka ndjekur nga afër situatën në Shkodër dhe në zona të tjera të vendit edhe gjatë kohës kur ka qenë në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të OSBE-së.

“Gjatë qëndrimit në Astana, Kryetari i Shtetit ka qenë në mënyrë sistematike në dijeni të ecurisë së zhvillimeve e situatën konkrete dhe gjatë ditës së sotme ka vijuar kontaktet me të gjithë përfaqësuesit institucionalë mbi ecurinë dhe masat që po merren për ta përballuar sa më mirë atë”, njofton Presidenca.

a.k/NOA

KOMENTE