English

Tiranë, bashkia shpall “10 Personalitetet e Vitit 2010”

Tiranë, 3 Dhjetor 2010 NOA/ Irma Toptani - Bashkia e Tiranës shpalli sot “10 Personalitetet e Vitit 2010”, të përzgjedhur pas votimit të vetë qytetarëve të kryeqytetit. I kthyer tashmë në traditën e evenimenteve të Bashkisë së Tiranës, ky aktivitet u organizua për të katërtin vit radhazi, kësaj radhe në ambientet e Qendrës së re Multimediale “TEN”.

Në këtë aktivitet u promovuan 10 personalitetet me të rëndësishëm të vitit, qofshin këta të njohur apo jo, mjafton që me veprën e tyre t’i kenë ofruar komunitetit kryeqytetas, diçka të veçantë e sigurisht të rëndësishme.

“10 personalitetet” më të spikatur të vitit 2010 janë njerëz nga më të shquarit, deri tek më të panjohurit, por që secili në një mënyrë apo tjetër përbën një shembull për komunitetin. Në një ceremoni modeste, Kryebashkiaku Edi Rama shpalli vlerësimin që është bërë nga juria, bazuar në propozimet e qytetarëve apo organizatave e grupeve të ndryshme, duke marrë parasysh jo famën, por vlerën dhe shembullin që këta personazhe përçojnë tek secili nga ne.

“Është një ceremoni e cila i kushtohet qytetarisë në të gjitha nivelet e jetës shoqërore, bazuar në mendimet opinionet, mendimet, sugjerimet e qytetarëve si dhe falë punës së një jurie qytetarësh, ne shpallim 10 qytetarët e vitit, duke krijuar çdo ditë mundësinë për të vlerësuar shembuj qytetarie, që nga sferat më të larta të përpunimit dhe rafinimit të mendimit njerëzor në kulturë dhe në art, në sferat e jetës shoqërore, ku njerëz të panjohur që ne kemi krenarinë dhe privilegjin që t’i bëjmë të njohur përmes këtij vlerësimi, zhvillojnë aktivitetin e tyre të përditshëm, duke i shërbyer të tjerëve përmes një kontributi të posaçëm. Edhe këtë vit, ne jemi mbledhur për të vlerësuar, nderuar me respekt e mirënjohje bashkëqytetarë të këtij qyteti, qytetarë të spikatur të Tiranës, që me shembullin e tyre vlejnë për të gjithë, me kontributin e tyre meritojnë respektin e të gjithëve dhe falë kësaj ceremonie, për një moment krijojmë mundësinë që mbi ta të bjerë drita e vëmendjes së opinionit, edhe përmes medias – u shpreh Kreu i Bashkisë së Tiranës, në fjalën e tij.

Më pas, Kryebashkiaku Rama prezantoi “10 Personalitetet 2010”

Piro Misha studiues – (publicist)

Piro Misha për botimin: “Arratisja nga burgjet e historisë” (Ç'do të thotë të jesh shqiptar). Piro Misha është një ndër intelektualët më aktivë të viteve të demokracisë në Shqipëri, me një kontribut të vyer, në mjaft fusha të jetës shoqërore. Autor i qindra shkrimeve publicistike, botuar në revista dhe gazeta nga më të rëndësishmet në Shqipëri dhe në Evropë (Francë, Itali, Greqi, Belgjikë), ai vjen së fundmi me këtë libër-ese, mbi kuptimin e identitetit bashkëkohor shqiptar, botim i cili i dha dhe këtë vlerësim nga qytetarë të Tiranës, që e kanë votuar.

Orieta Zylalaj – (nxënëse e shkëlqyer)

Aktiviste në aktiviteteve sociale, mjedisore, sensibilizuese. Shprehja e preferuar: “Le t’i shërbejmë sot vendit tonë dhe nesër le të jemi krenarë për të”

Eagle Mobile – (një ndër kompanitë më të reja e të suksesshme)

Mbështetëse e rëndësishme e projekteve të ndryshme të Bashkisë së Tiranës për qytetin si: Pasurimi i këndeve të lojrave, “Një qytetar, një pemë”, Rikualifikimi Urban i Sheshit “Mustafa Qemal Ataturk”. Sipërmarrje që sipas Kryebashkiakut Rama: “ka shkuar përtej arsyes së ekzistencës së tyre që është aktiviteti fitimprurës dhe që kanë kontribuar për një qytet më të pastër, me më shumë pemë”

Ramazan Kadri Kokoshi

I vlerësuar nga Kreu i Bashkisë Rama, si “një shembull i spikatur qytetarie”, me profesion shofer, me një eksperiencë pune gati 30 vjeçare, me sjellje shembullore ndaj qytetarëve. Ka gati 5 vjet në shërbimin e transportit publik të qytetit dhe është shquar për rregullsinë në detyrë, korrektësinë ndaj komunitetit dhe mbi të gjitha përkushtimin për t’i shërbyer me përpikmëri dhe gjithmonë në orar, qytetarëve të Tiranës që frekuentojnë linjën urbane të Tiranës së Re.

Bardhylka Kospiri - (Drejtoreshë ligjore e Fondacionit Shqiptar, për të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara)

Bardhylka është një grua heroinë, që nuk ka arritur ta ndalë asgjë përpara sfidave të jetës. Pamundësitë fizike nuk kanë fashitur për asnjë moment forcën e vullnetit të kësaj gruaje, si për angazhimet familjare, ashtu dhe për të qenë aktive në shoqërinë civile, në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar.

“Me mundësi të kufizuara por me një vetëdije të pakufizuar dhe me një vullnet të pakufishëm, ne kemi bërë jo pak për njerëz që jo për faj apo përgjegjësisë së tyre, e kanë të pamundur të lëvizin si të gjithë tjerët e për këtë arsye kanë nevojë për të gjithë të tjerët. Kemi krijuar për herë të parë në një qytet shqiptar, rampat për personat me aftësi të kufizuara, në shumë pika kalimi të këmbësorëve e sigurisht thjesht kemi shprehur një vullnet që e kemi për të vazhduar përpara përpjekjet për këta njerëz” – u shpreh Kreu i Bashkisë Edi Rama teksa prezantoi znj. Kospiri.

Alban Bushi - (futbollist)

“Vjen nga një zonë e varfër si Kombinati dhe arrin në nivelet më të larta ndërkombëtare” - u shpreh Kryebashkiaku Rama, duke iu referuar Alban Bushit:

Me një karrierë të gjatë në futboll, është një nga futbollistët më të njohur shqiptarë që ka veshur fanellën kuq e zi të komëtares tonë. Bushi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për ngjyrat e kësaj kombëtareje. Ai sot qëndron në rradhët e Sport Klub Tiranës.

Pedagogët Vullnetarë të “TEN”

Zhuljeta Manastirliu, Klaudio Juçja, Jola Kotja, Ermonela Alikaj, Bujar Alliu, Mira Alliu, Edlira Çaushi, Denis Bizhga, Alfred Meminaj. Për punë të shkëlqyer dhe vullnetare në ofrimin e kurseve të fëmijëve dhe të rinjve në qendërn TEN me përkushtim dhe dashuri.

“Një qendër e ngritur për t’u dhënë strehë të rejave, të rinjve të këtij komuniteti, por edhe më gjerë të kryeqytetit” – u shpreh Kryebashkiaku Rama duke iu referuar Qendrës “Ten”.

Edi Hila – (një nga personalitetet më të shquar të artit shqiptar)

Me punën e tij, jo vetëm që ka arritur të pasurojë trashëgiminë tonë të artit, por dhe ta përçojë këtë trashëgimi në mbarë botën nëpërmjet ekspozitave të shumta, duke veçuar me kënaqësi ekspozitën e suksesshme të këtij viti.

Mariana Leka – (soprano)

Soprano e parë e Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës. Ka mbi 17 vjet që interpreton si soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit. E përkushtuar dhe serioze në punën e saj, rreth 20 role kanë marrë jetë bashkë me të, duke i dhuruar publikut artdashës shumë kënaqësi artistike.Viti 2010 do të sillte pas 123 vitesh nga premiera në La Skala, në Milano, “Otello”, në premierën në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku Mariana performoi në mënyrë të shkëlqyer.

Çerdhja numër 10

Edukatoret: Alma Mëhilli, Hajrie Stafa, Edmira Foci, Laureta Saliu dhe Drejtoresha e Çerdhes Natasha Bezhani

Për punë të përkushtuar dhe angazhim maksimal në mirëushqyerjen, mirërritjen dhe mirëedukimin e fëmijëve të Tiranës. Një shembull i shkëlqyer i investimit njerëzor, në rritjen e fëmijëve tanë.

i.t/NOA

KOMENTE