English

Vetëvendosje: Do e kthejmë Kosovën, në pronë të qytetarëve

Therandë, 3 dhjetor, NOA - Lëvizja Vetëvendosje! gjatë ditës së dytë të fushatës parazgjedhore ka takuar therandasit. Tubimin e hapi kandidatja Zanita Halimi e cila i përshëndeti therandasit duke thënë se, “Lëvizja do t’ia kthejë namin e dikurshëm Therandës, duke ia kthyer qytetarëve të saj “Ballkanin” dhe duke i subvencionuar vreshtarët”.

Pastaj njëri ndër themeluesit e Lëvizjes he kandidat për deputet nga kjo komunë, Hysen Durmishi iu drejtua bashkëvendasve të tij me fjalët: “Populli, shoqëria, qytetaria dhe vullneti i këtyre janë më të më dha se sa institucionet”.

“Lëvizja Vetëvendosje! angazhohet që në qendër të shtetit të jetë qytetari. Qytetarët pa shtet janë të pambrojtur, kurse shteti pa qytetarët aktiv bëhet përbindësh. Pushtetin sot e kanë uzurpuar politikanët. E kanë bërë pronë private të tyre. Ata po e bëjnë këtë sepse nuk po frikësohen nga populli. Ne do ta ndryshojmë këtë”, shtoi ai.

Ndërsa aktivisti dhe kandidati për deputet, Visar Ymeri foli për hendekun e madh që është krijuar për vite me radhë mes politikanëve dhe popullit.

“Në televizor politikanët janë të kënaqur, jetojnë një jetë pa brenga, kanë begati e mirëqenie, kanë rrymë e ujë të bollshëm, ndërtojnë rrugë për xhipat e tyre dhe nuk zbresin kurrë nga ta. Ndërsa populli jeton në varfëri, papunësi, mjerim e skamje. Por ne e duam Kosovën tonë të ndryshuar. Ne duam që Kosova jonë të jetë Kosovë e zhvillimit, e përparimit dhe e bashkimit. Ne e duam Kosovën tonë sovranë”, tha Ymeri ndër të tjera.

Më pas para bashkë vendasve të tyre folën edhe katër kandidatët tjerë nga komuna e Therandës.

Në fund, therandasve iu drejtua Albin Kurti, i cili ndër të tjera tha se “Pavarësia duhet të jetë pavarësi e shtetit për lirinë e qytetarit e jo pavarësi e pushtetit kundër qytetarit. Pavarësisë formale duhet t’ia shtojmë sovranitetin dhe zhvillimin ekonomik”.

Më tutje Kurti vazhdoi, se “qeveria e Vetëvendosje!-s do t’i marrë nën kontroll kufijtë e Kosovës dhe nuk do të lejojë që mallrat e Serbisë të hynë më në Kosovë”.

“Qeveria e Vetëvendosje!-s do të themelojë banka në pronë si të publikut të cilat bujqve, zejtarëve dhe prodhuesve vendorë do t’iu ofrojnë kredi pa kamatë. Për çdo ditë e kemi pare demokracinë prej lartë, që s’është demokraci. Më 12 dhjetor duhet ta shohim demokracinë prej poshtë, duhet ta shohim dëshirën private të bëhet vullnet publik. E kur populli vendos vetë, fiton Vetëvendosja!” përfundoi Albin Kurti.

n.e/NOA

KOMENTE