English

Gjendje Emergjence në Shkodër, Durrës e Lezhë, situata minutë pas minute

Rifreskimi i fundit: 15:49:28

Kerkesa per ndihme, NATO nuk jep pergjigje pozitive

Reportazh - Aty ku jetohet në kushte migjeniane

Kosova sjell forca sigurie, futen në operacione

Pezullohen të gjitha ndeshjet, reagon FSHF

Parashikimi i motit sot nga NOA dhe MeteoAlb

Video - Fotogaleri - Video - Fotogaleri - Video

Tiranë - Shkodër, 4 Dhjetor 2010 NOA/ E.Nasi, I.Toptani, R.Bulku - (Minutë pas minute) –

15.46 – Kërkesa e Shqipërisë, Turqia sapo ka nisur ndihma ushtarake

Tiranë, 4 dhjetor 2010 NOA - Autoritetet turke sapo konfirmuan zyrtarisht se ndihmat do të vijnë që këtë pasdite dhe ato janë nisur nga bazat ushtarake turke. Bëhet fjalë për helikopterë transportues dhe mjete të tjera logjistike.

Ky zhvillim erdhi pak orë pasi Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi pati sot një komunikim telefonik me Presidentin e Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, me të cilin bisedoi lidhur me situatën emergjente të krijuar në vend nga reshjet e shumta që kanë përmbytur zonat në veriperëndim të Shqipërisë.

Kryetari i Shtetit e njohu Presidentin turk Gyl me detaje të kësaj situate dhe me masat që po ndërmerren nga shteti shqiptar për t’i ardhur në ndihmë popullatës së prekur nga kjo fatkeqësi.

Presidenti vuri në dukje se gjendja është akute dhe se prioritar vijon të mbetet evakuimi i njerëzve, si dhe ardhja në ndihmë me medikament mjekësore, ushqimore dhe shërbime të tjera humane të nevojshme për ta.

Për këtë, Presidenti i Republikës kërkoi dhe mbështetjen e palës turke për logjistikën dhe transportin.
Nga ana e tij, Presidenti tuk Gyl, në emrin e tij personal dhe të popullit turk, i shprehu Kryetarit të Shtetit solidaritetin e plotë dhe mbështetjen për të gjithë ata njerëz, të cilët janë duke u përballur me pasojat e rënda të këtyre përmbytjeve.

Gyl e siguroi Presidentin Topi për gatishmërinë e tij institucionale për të ndihmuar Shqipërinë në këto momente.

15.46 – Parashikimi i kushteve të motit

Sot, në datën 4 Dhjetor 2010, pritet që aktiviteti fushës me presion të ulët atmosferik të vijë duke u dobësuar.

Si rezultat parashikohet që të mbizotërojë mot i karakterizuar nga alternime vranësirash, të shoqëruara me shira me intensitet të ulët, dhe kthjellimesh.

Era do të fryjë e lehtë në bregdet mesatare me shpejtësi deri në 36 km/orë nga kuadranti veriut.

Temperaturat ekstreme të ajrit, pritet të luhaten: në vëndet malore, minimalia do të arrijë 30C, ndërsa maksimalja deri në 60C, në vëndet e ulta, temperatura minimale do të jetë 90C, ndërsa maksimalja deri 120C dhe në bregdet, temperatura minimale do të jetë 100C, ndërsa maksimalia do të regjistrohet deri në 140C.

Moti nesër

Nesër, në datën 5 Dhjetor, pritet përmirësim i kushteve të motit. Do të mbizotërojë mot i kthjellët me kalime vranësirash të çregullta, të cilat në bregdet mund të shoqërohen me ndonjë shi të dobët të izoluar.

Era me shpejtësi deri në 36 km/orë do të fryjë nga kuadranti veriut.

Temperaturat ekstreme të ajrit , pritet të luhaten: në vendte malore minimalia do të arrijë --10C, ndërsa maksimalia deri në 60C, në vëndet e ulta, temperatura minimale do të jetë 80C, ndërsa maksimalia deri 120C dhe në bregdet, temperatura minmale do të jetë 90C, ndërsa maksimalia do të rregjistrohet deri në 130C.

Në datën 5-6-7 dhe 8 Dhjetor, në përgjithësi do të mbizotërojë mot i kthjellët me kalime vranësirash të çrregullta, të cilat mund të sjellin ndonjë reshje të dobët me karakter lokal. Reshjet pritet të fillojnë përsëri në datën 9 Dhjetor.

15.40 – Gjendja e rrugëve

Është i bllokuar aksi i rrugës nacionale Shkodër-Tiranë, tek Harku i Bërdicës.

Aksi rrugor Shkodër – Velipojë është i pakalueshëm në vendin e quajtur Ura e Gjolulit.

Tek Ura e Bunës është kufizuar qarkullimi i mjeteve për shkak të rritjes së nivelit te ujit siper dyshemesë së urës.

Unaza e re nga vendi i quajtur Shkolla “Sallo Halili” Ndocej, deri tek “Bexhisteni”, kalohet vetëm me mjete të larta pasi në rrugë është rritur niveli i ujit.

Aksi rrugor nga Pesëkatëshi me urë në Xhabije deri tek Ura e Bunës (Lokali “Freskia”) kalohet vetëm me mjete të larta.

Rruga e Shirokës është e pakalueshme.

Rruga për në Komunën Ana e Malit dhe PKK Muriqan kalohet vetëm me mjete të larta.

Aksi rrugor Shkodër – Velipojë është e pakalueshme në të dy krahët.

Rruga për në Komunën Dajç është e pakalueshme.

Aksi rrugorë Shkodër – Kir – Mali i Shoshit – Komuna Shalë lëvizja kryhet me vështirësi.

Aksi rrugorë Bogë – Thethë është e pakalueshme, (në Qafë Terthorë ka rreth 1 m borë).

Aksi rrugorë Breg Lumi – Theth është e bllokuar si pasojë e shembjes së rrugës nga reshjet.

Në Komunën Dajç janë dëmtuar argjinaturat në Rrushkull, Belaj, Samrisht, Pentar dhe Luarzë

Malësi e Madhe

Aksi rrugor Tamarë – Vermosh kalohet me vështirësi në Qafë të Bordolecit.

Aksi rrugor Tamarë – Vukël është i bllokuar nga shëmbja e dheut dhe po punohet për zhbllokimin e kësaj rruge.

Akset e tjera rrugore janë të kalueshme nga automjetet

Pukë

Aksi rrugor Fushë Arrëz – Iballë është i bllokuar nga shëmbja e dheut si pasojë e reshjeve të rëna dhe po punohet për zhbllokimin e rrugës.

Aksi rrugor Fierzë – Tropojë është i bllokuar kalimi tek Ura e Hidrocentralit të Fierzës pasi ka gërryerje pranë urës nga vërshimi i ujit.

Akset e tjera rrugore janë të kalueshme nga automjetet.

Qarku Lezhë

Forcat policore dhe ushtarake në bashkëpunim me Bordin e Kullimit po punojnë për përforcimin e argjinaturës së Torrovicës.

Qarku Korçë

Nga reshjet e shiut në fushën e Maliqit ka prezencë uji në ngastra të veçanta të saj.

Qarku Durrës

Në Fushë Krujë, niveli i ujrave në shtratin e lumit Zezë ka rënë duke lejuar pastrimin e aluvioneve nga banesat. Po kryhet pastrimi i kanaleve sipërfaqësore dhe rrugëve në mes të qytetit.

Prezencë uji, por në nivele të ulëta vazhdon të ketë edhe në disa lagje dhe rrugë të brendshme të Bashkisë Durrës.

Qarku Fier

Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Gjanica ka prezencë uji në disa banesa në qytetin e Fierit.

15.30 – Lajmet më të fundit mbi situatën në vend

Sipërfaqja e tokës së përmbytur rezulton 13 950 ha. Të rrethuara nga uji gjenden 4597 shtëpi, ndërkohë janë të përmbytura 2561 shtëpi

Informacioni në vijim paraqet të dhëna të grumbulluara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, mbi situatën e krijuar nga reshjet deri sot datë 04.12.2010 pasdreke dhe masat që po merren për përballimin e situatës.

Qarku Shkodër

Rreth 1000 efektiva të Policisë së Shtetit dhe afro 500 efektiva të Forcave të Armatosura kanë vijuar punën për evakuimin e banorëve nga zonat e përmbytura. Banorët e evakuuar janë strehuar në objektet e vëna në dispozicion nga pushteti vendor ose pranë të afërmve në zonat që nuk janë prekur nga përmbytja.

Nga zonat e përmbytura janë evakuuar 2623 familje me 11023 persona.

Komuna Ana e Malit 53 familje, 240 persona

Komuna Dajç 330 familje, 1550 persona

Komuna Bërdicë 768 familje, 3306 persona

Komuna Bushat 500 familje, 2000 persona

Komuna Gur i Zi 320 familje, 1300 persona

Komuna Velipojë 70 familje, 350 persona

Komuna Rrethina 20 familje, 102 persona

Bashkia Shkodër 562 familje, 2175 persona

Sipërfaqja e tokës së përmbytur rezulton 13 950 ha. Të rrethuara nga uji gjenden 4597 shtëpi, ndërkohë janë të përmbytura 2561 shtëpi.

Efektivat e Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura që po veprojnë në terren krahas evakuimit të banorëve po kryejnë edhe furnizimin me ushqim, ujë të pijshëm e veshmbathje të banorëve të evakuuar, e po kështu po angazhohen për përforcimin e argjinaturave.

Strukturat policore kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e veçanërisht në zonat e përmbytura.

Situata shëndetësore është nën kontroll dhe është koordinuar puna me strukturat policore dhe ushtarake për transportimin e ekipeve mjekësore.

Drejtoria Rajonale e Rrugëve në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut kanë vendosur shenjat dhe kufizimet në akset rrugore problematike.

15.15 - Hapen numra llogarie bankare per ndihme financiare

Ministria e Financave fton donatorët, bizneset dhe qytetarët që të kontribuojnë me ndihma monetare për banorët e dëmtuar nga përmbytjet.

Nisur nga situata e krijuar për shkak të përmbytjeve nga reshjet në Shkodër dhe zona të tjera në vend, Ministria e Financave njoftoi pak çaste më parë se ka hapur numra llogarie në të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend, për të mbledhur ndihma monetare për banorët e prekur nga katastrofa.

Ministria e Financave fton të gjithë donatorët, organizatat e bamirësisë, biznesmenët dhe qytetarët që të japin kontributin e tyre për të lehtësuar situatën e rënduar të banorëve të dëmtuar.

Çdo dhurues mund t’i drejtohet secilës prej bankave të nivelit të dytë dhe të japë kontributin e tij në llogarinë e hapur nga ministria e Financave me emër “Kontribute vullnetare për të përmbyturit në zonën e Shkodrës”.

Fondet e mbledhura në numrat e llogarisë do të përdoren nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile për Përballimin e Pasojave të Përmbytjeve.

14.45 - Situata më e fundit e rrugëve në vend

Si pasoje e reshjeve të shumta te shiut në të gjithë vendin janë krijuar veshtiresi në kilometra të caktuar të linjave hekurudhore, per shkak te ngritjes se nivelit te ujit ne lumenj e rrëshqitjen e dherave

Probleme ka pasur në:

km 22 Vorë –Tiranë

km 67 Lushnje –Fier

km104 Librazhd-Pogradec

Aktualisht janë jo funksionale linjat Përrenjas-Pogradec dhe Lushnje –Vlorë.

Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave deklaron se ka marrë të gjitha masat me mjete dhe me staf teknik për të bërë funksional këto segmente hekurudhor.

Ora 13.45 Berisha: Të evakuohen banorët e Torovicës

Lezhë, 4 dhjetor, NOA – Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar evakuimin e banorëve të zonës së Torovicës, si pasojë e përmbytjes që mund të shkaktojë dredhja e ujit në luginën që ndodhet mes Lezhës dhe Shkodrës.

Kreu i qeverisë ka vizituar mesditën e sotme këtë zonë, ku prej dy ditësh forcat e ushtrisë dhe disa kompani private po punojnë për ngritjen e argjinaturës që ndan këtë zonë. Aktualisht uji është vetëm pak centimetra nën nivelin e digës së krijuar gjatë dy ditëve të fundit.

Prurjet e mëdha të shirave kanë bërë që rreth 5 mijë tonë materiale inerte të mos mjaftojnë për të garantuar Fushën e Torovicës.

Kreu i qeverisë tha se po bëhen të gjitha përpjekjet për eliminimin e përmbytjes, por duhen marrë masa për largimin e banorëve.

“Kjo është zona më delikate dhe më e rrezikshme, pasi siç e shihni pak centimetra më larg nga uji ka arritur 6-7 metra dhe mund të vërshojë drejt Torvicës dhe më tutje”, tha Berisha.

Ai u shpreh se është bërë një punë masive, por nuk mund të kontrollohet fuqia e natyrës.

{youtube}GWy_Etbv0V0{/youtube}

Ora 13.25 Reshjet e shiut, akset rrugore problematike në Gjirokastër

Gjirokastër, 4 dhjetor, NOA – Reshjet e mëdha të shiut që kanë rënë gjatë ditëve të fundit kanë sjellë probleme dhe në qarkullimin e automjeteve në Qarkun Gjirokastër,

Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër njofton se situata e akseve rrugore në këtë zonë paraqitet si më poshtë; Akset rrugore nacionale, si Gjirokastër - Sarandë dhe Gjirokastër - Tepelenë janë plotësisht të kalueshme dhe deri tani s’ka asnjë vështirësi për qarkullimin e automjeteve.

Në aksin rrugor nacional Gjirokastër - Tepelenë në vendin e quajtur Hormovë ka pasur herë pas herë rënie gurësh në rrugë, por që s’kanë bllokuar qarkullimin, pasi në këtë vend është instaluar një fadromë e Ndërmarrjes Rajonale Rruga - Ura e cila bën pastrimin e herë pas hershëm të këtij aksi.

Akset rurale që lidhin komunën Lunxhëri me Gjirokastrën dhe komunën Antigone me Gjirokastrën janë të bllokuara pasi në një segment prej 100 metra ka dalë uji i lumit Drino mbi asfalt ku automjetet e vogla nuk qarkullojnë fare, por edhe automjetet e mëdha qarkullojnë me shumë vështirësi.

Në aksin Rrugor rural Gjirokastër - Lunxhëri në vendin e quajtur Ura e Aznakut rreth orës 08.30 të mëngjesit të datës 04.12.2010, një automjet është bllokuar mbi urë si pasojë e ujit. Është ndërhyrë menjëherë nga Reparti Zjarrfikës dhe Patrulla e Përgjithshme e Policisë ku është bërë e mundur nxjerrja nga uji e automjetit dhe e personave që ishin brenda, ku s’ka pasur asnjë problem për jetën e tyre.

Si pasojë e daljes së lumit Drino nga shtrati është nën ujë edhe nënstacioni elektrik i qytetit Gjirokastër.

Në rrethin e Tepelenës akset rrugore nacionale dhe akset rrugore rurale janë të kalueshme pa probleme të theksuara.

Në rrethin e Përmetit aksi rrugor Përmet - Çarshovë në vendin e quajtur Rrepet e Badlonjës është tërësisht i bllokuar si pasoje e rënies së masiveve të mëdha shkëmbore.

Në këtë vend kanë shkuar fadromat e Ndërrmarjes Rajonale Rruga -Ura dhe po punojnë për të zhbllokuar këtë aks.

{youtube}zRF-yjpJELY{/youtube}

Aksi nacional Përmet -Këlcyrë, në afërsi të vendit të quajtur Kuqan, qarkullimi kryhet me një kalim për shkak të rrëshqitjes së dherave. Edhe këtu po punojnë forcat e Ndërmarrjes Rruga - Ura për të bërë të kalueshëm pa probleme edhe këtë segment të këtij aksi.

Akset e tjera rurale në të gjithë qarkun janë plotësisht të kalueshëm.

Njësia Rajonale e Qarkullimit Rrugor ka mobilizuar të gjithë efektivin për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë përdoruesve të rrugëve që kanë nevojë si dhe për të shmangur e parandaluar aksidentet rrugore.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka kaluar të gjithë efektivat në gatishmëri, ku të gjithë Inspektorët e Policisë së Zonave janë instaluar në qendrat e komunave dhe lagjet e bashkive për t’u ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje.

Ora 13.00 Rama në zonat e përmbytura në Fushë-Krujë: Saliu ka dështuar

Fushë-Krujë, 4 dhjetor, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka fajësuar kryeministrin Sali Berisha për përmbytjet e ditëve të fundit në disa zona të vendit. Nga Fushë-Kruja, gjatë një vizite me deputetin Blendi Klosi në fshatrat e përmbytur, Rama ka thënë se “Saliu ka dështuar, pikërisht sepse është faji i tij që të gjitha ato masa që duheshin marrë nuk janë marrë”.

Rama ka qenë në afërsi të lumit Zezë, ku zona të tëra në Fushë-Krujë, Nikel dhe Bubq ndodhen të përmbytura.

Zyra e shtypit e PS-së njofton se banorët e kanë kritikuar qeverisjen dhe kanë deklaruar se votat i kanë dhënë për PD-në dhe nuk është marrë asnjë masë.

“Nga ana e tyre banorët janë shprehur se edhe pse në këtë zonë ka fituar PD nuk është bërë asnjë kanalizim. “Na e kanë marrë votën e s’na kanë bërë asnjë kanalizim. S’ka shtet”, ka theksuar njëri prej banorëve. Ndërsa një banor tjetër i zonës tha se nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme nga shteti”, thuhet në njoftimin e PS-së.

Ora 12.40 PS apel për solidaritet, Ajtyresa: Deputetët socialistë janë në terren

Tiranë, 4 dhjetor, NOA – Partia Socialiste ka bërë apel sot për solidaritet me banorët e zonave të përmbytura. Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS, Megi Ajtyresa tha në një deklaratë për mediat se është koha për të dhënë ndihmë atyre që kanë nevojë.

“Në këto momente të vështira, qytetarët e të gjitha zonave të prekura nga përmbytjet kanë nevojë më shumë se kurrë për solidaritetin njerëzor dhe ndihmën e të gjithë ne. Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të ndihmojnë me sa të munden vëllezërit e motrat e tyre në këtë kohë tragjedie dhe tu ofrojnë atyre të gjithë solidaritetin e tyre qytetar”, tha Ajtyresa.

Ajo ka theksuar se përmbytjet kanë bërë që mijëra qytetarë shqiptarë, nga Shkodra, Lezha, Fushë Kruja, Korça e më tej po përjetojnë një nga situatat më të vështira e tragjikë të imagjinueshme. “Shtëpi e toka të përmbytura, puna e mundi i një jete i shkuar dëm nga furia e ujërave”, tha ajo.

Përfaqësuesja e PS ka theksuar se përfaqësuesit e PS-së kanë shkuar në zonat e tyre elektorale.

“Në këto momente të vështira deputetët e përfaqësuesit e Partisë Socialiste janë shpërndarë anembanë vendit, në të gjitha zonat e dëmtuara e të rrezikuara, që nga Shkodra e deri në Korçë, që nga Lezha e deri në Gjirokastër, që nga Fushë Kruja e deri në Berat, për t’ju gjendur pranë qytetarëve të prekur nga kjo tragjedi”, tha Ajtyresa.

Ora 12.30 Topi: Gjendja është e vështirë, por po përballohet

Shkodër, 4 dhjetor, NOA – Presidenti i vendit Bamir Topi ka vizituar nga afër situatën e krijuar në Shkodër si pasojë e përmbytjeve. Kreu u shtetit është takuar me drejtues të Shtabit të Emergjencës dhe është njohur me masat që janë marrë.

Më pas kreu i shtetit është takuar me disa prej banorëve të Shkodrës në zonën që njihet me emrin “5 katëshe”.

Pasi është njohur me situatën kreu i shtetit ka vlerësuar se ajo është e rëndë, por po përballohet nga strukturat e shtetit.

“Jemi në një moment kritik dhe akut, por gjendja po përballohet” tha kreu i shtetit. Ai u shpreh se mobilimi është maksimal, ndërsa ka shtuar se pritet dhe ndihma e forcave të NATO-s për përballimin me sukses të situatës.

11.55 - Berisha: Të evakuohen banorët e Torovicës

Lezhë, 4 dhjetor, NOA – Gjatë një vizite që ka zhvilluar sot në prefekturën e Shkodrës, kryeministri Berisha ka urdhëruar evakuimin e banorëve të Torovicës e cila ndan Shkodrën me qytetin e Lezhës.

Kjo pasi në Torovicë, niveli i ujit ka arritur në pikën kritike dhe rreziku i çarjes së argjinaturës vazhdon të mbetet i pranishëm, duke i bërë autoritetet që të shqetësohen dhe të kërkojnë menjëherë evakuimin e banorëve të kësaj zone.

Ndërkaq, Shtabi i Emergjencës Civile me në krye prefektin e qarkut të Lezhës Pal Dajçi, ka monitoruar situatën gjatë gjithë kohës dhe me mjete të ushtrisë po punon për mbushjen e saj, për të mos lejuar të çahet.

{youtube}zApg_SUMDac{/youtube}

Ora 11.32 - Rëndohet situata në Adriatik të Laçit

Laç, 4 dhjetor, NOA – Situata në fshatin Adriatik të qytetit të Laçit është shumë e rënduar në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku hidrovori i gjendur në këtë zonë që përmbledh ujërat e rrethinave dhe i derdh në det, është i mbingarkuar për tërheqje, nga sasi mjaft të mëdha ujërash.

Këto të fundit janë krijuar nga prurjet e mëdha ujore që kanë shkaktuar reshjet e ditëve të fundit.

Korrespondenti i agjencisë së Lajmeve NOA raporton nga vendngjarja se edhe nënstacioni i pompave në Fushë-Kuqe po paraqitet në vështirësi.

{youtube}95lafFqpmG4{/youtube}

Ora 11.15 - Ne vazhdimësi të situatës së krijuar nga reshjet e shumta të shiut në zonën Veriore Qendrore dhe Lindore të vendit, reshje të cilat kanë fryrë tej normave lumenjtë dhe liqenet, ministria e Punëve Publike dhe Transportit njofton se situate në akset rrugore paraqitet si më poshtë:

Në hyrje të qytetit Shkodër, para urës së Bunës dhe në Harku i Bërdicës rruga është e pakalueshme pasi ka përmbytje të rrugës me rreth 1m ujë mbi rruge.

Qarkullimi i mjeteve për në Shkodër bëhet vetëm nga Mjeda.

Qarkullimi për në Muriqan dhe Shirokë është i mundur vetëm për mjetet e larta.

Segmenti rrugor Shkodër - Harku i Bërdicës – Velipojë është i pakalueshëm pasi është rritur niveli i ujit, mjetet qarkullojnë vetëm nga rrugë dytësore.

Në segmentin rrugor Koplik – Dedaj - Bogë si rezultat i bllokimit te zona e Përroit të Thatë qarkullimi i mjeteve kryet nëpërmjet një rruge dytësore provizore.

Në segmentin rrugor Shkodër - Hani i Hotit, në vendin e quajtur Vukpalaj, rreth 5km, deri te dogana rruga është e pakalueshme pasi uji mbi rrugë është mbi 1m.

Në segmentin rrugor Bajram Curri – Fierzë, km 11, lumi ka marrë murin mbajtës të rrugës (shembur), rruga qarkullohet me një kalim.

Në Shishtavec lumi ka marre një pjesë të rrugës duke e bërë një kalimëshe rrugën, gjithashtu në afërsi të tunelit të dytë në Shishtavec rreth 100m, rruga është e bllokuar dhe qarkullimi i mjeteve bëhet nga tuneli.

Segmenti rrugor Bujan Fierze ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve.

Në segmentin rrugor Sapot Bujan ka veshtiresi ne qarkullimin e mjeteve

Tek ura e Çerenecit, qarkullohet me një kalim.

Në segmentin Peshkopi - Muhurr - Qafë Drajë, rreth 5 km larg Muhurit rruga është e bllokuar.

Nga Burreli në Milot rruga është me një kalim

Në afërsi të nyjes së asfaltit në Burrel ka dy shembje, rruga është e kalueshme vetëm për mjetet e vogla.

Në kthesat e Klosit rruga është me nje kalim.

Në Bulqizë kalohet vetëm përmes qytetit, unaza është e përmbytur.

Në segmentin rrugor Përmet – Çarshovë, në Bablonjë, ka rënë një masiv shkëmbor dhe rruga është e bllokuar.

Në aksin rrugor Vlorë – Sarandë qarkullimi kryhet me një kalim në vendet e quajtura Jonufra 1, Dukat Fshat, Dalje Piqeras. Në këto pika është vendosur sinjalistika përkatëse.

Në pjesën fundore të rrugës Lushnjë - Fier rruga e re është e përmbytur, qarkullohet nga rruga e vjetër, është vendosur sinjalistika përkatëse.

Në aksin Fier – Zhulaj, në Visokë rruga është me nje kalim.

Në segmentin Roshbull- 4 rrugët e Shijakut, rreth 300m ka një vërshim uji 15-20 cm, kalimi i mjeteve bëhet me vështirësi.

Segmenti Fushe Kruje Ura e Drojes, ka rënë niveli i ujit rruga është e kalueshme.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Rrugore dhe me firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve janë në terren me mjete dhe personel teknik për të kthyer rrugët në gjendje normale për trafikun.

Kryeministri Sali Berisha ndodhet në prefekturën e Shkodrës, për t’u njohur më nga afër me të dhënat më të fundit mbi situatën e përmbytjeve në zonat që ajo mbulon.

Ndërkaq, edhe presidenti i Republikës, Bamir Topi i është drejtuar sot veriut të vendit, duke qenë i pranishëm pas pak në Vaun e Dejës, për t’u njohur më nga afër me situatën e shkarkimeve në kaskadat e hidrocentraleve atje.

Situata sipas të dhënave të para nga korrespondenti i agjencisë së Lajmeve NOA nga vendngjarja, vazhdon të jetë e rënduar, ndërsa liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna vazhdojnë të tejfryhen, e cila çon në rritjen e nivelit të ujit në qytetin Shkodrës.

Ndërkaq, Shtabi po merr masa për klorifikimin e zonës dhe evakuimet kanë vazhduar gjithë natën.

Sakaq, Forca e Sigurisë së Kosovës, ashtu si edhe gjatë vitit të kaluar, do ta ndihmojë palën shqiptare për të përballuar situatën e rënduar të përmbytjeve, të shkaktuar në veri të vendit.

Kështu, bëhet me dije se FSK ka dërguar një njësi kërkim shpëtimi në Shqipëri, vendimi ky që pasoi kërkesën e drejtuar ndaj saj prej qeverisë së Shqipërisë për ndihmë emergjente.

Prishtina zyrtare ka deklaruar se është e gatshme të mbështesë edhe në forma të tjera qeverinë shqiptare dhe banorët e zonave të përmbytura.

Nga ana e saj, edhe Kosova duket se po vuan edhe ajo nga reshjet e shumta, të cilat kanë ndikuar që disa lumenj të këtij vendi të dalin nga shtrati.

Kështu, në komunën e Gjakovës, ura e fshatit Devë është ndërprerë për qarkullim, pasi është vlerësuar se është bërë e rrezikshme për qarkullim të qytetarëve, ndërsa në komunën e Klinës janë shkatërruar qindra hektarë tokë bujqësore. Edhe në komunën e Drenasit, si pasojë e shiut, disa rrugë janë bërë të vështira për qarkullim.

KOMENTE