English

Kreu i Shtetit: Përmbytjet nuk rrezikojnë basenet e digat e Vaut të Dejës

Shkodër, 4 dhjetor, NOA/ I.Toptani - Pasi pa nga afër përmbytjet në qytetin e Shkodrës ku takoi edhe banorët në lagjen Xhabije në hyrje të Shkodrës, e cila gjendet e tëra nën ujë, presidenti Bamir Topi inspektoi sot edhe hidrocentralin e Vaut të Dejës, si dhe u informua për masat e marra për përballimin e situatës në këto momente, por edhe në rast të përkeqësimit të motit, kur reshjet pritet të rikthehen në zonë, ditën e mërkurë.

Presidenti tha në një deklaratë për mediat se ka marrë garanci që nga përkeqësimi i motit nuk do të rrezikohen basenet e digat e hidrocentraleve, duke informuar se janë të domosdoshëm shkarkimet e ujit nga HEC-et.

“Ne vërtet jemi në Vaun e Dejës, por ky është një sistem shumë kompleks, që fillon nga Fierza, vazhdon me Komanin dhe pastaj vjen këtu në Vaun e Dejës. Ka pasur reshje të jashtëzakonshme në Fierzë, ajo dikton të gjithë këtë regjim menaxhimi, pra, ky është një menaxhim i detyruar, por një menaxhim shumë shkencor. Pra, gjithçka vjen pastaj për t’u kujdesur me pjesën poshtë. Është një menaxhim shumë kompleks do të thoja. Por, ajo që është më e rëndësishmja, sepse rreziku më i madh vjen nga digat e veprave të mëdha, kjo është super e garantuar, çështja është për të menaxhuar situatën poshtë”, theksoi Presidenti.

Edhe presidenti uroi që parashikimet e motit të jenë të tilla që koha të vijë drejt përmirësimit.

Presidenti rishtas ka bërë me dije se autoritetet janë në kontakt të vazhdueshëm me vendet e NATO-s.

I pyetur nëse mund të flitet me autoritetet maqedonase për bllokimin e prurjeve të mëtejshme, Presidenti Topi vuri në dukje se “Është një situatë që gjërat duhet të ndahen. Unë i referohem specialistëve, sepse nuk janë mendime që i krijoj duke ardhur këtu. Pra, shteti funksionon, institucionet funksionojnë mbi bazën e një informacioni të pandërprerë, orë pas ore. Unë bëhem vetëm interpret në pozicionin e Presidentit për të garantuar njerëzit, që rreziku që vjen kryesisht nga digat dhe nga basenet është inekzistent, pra është një menaxhim jashtëzakonisht korrekt dhe profesional”, siguroi Presidenti.

Ai ritheksoi se Shtabi i Emergjencës është i tëri në terren për të sjellë në normalitet, sikundër cilësoi Presidenti, fenomenin akut të përmbytjeve.

i.t/NOA

KOMENTE