Pogradec, 4 Dhjetor 2010 NOA/ Alba Filipi - Vala e protestave të Opozitës së Bashkuar për transparencën e zgjedhjeve nën moton “Sali Berisha dështoi” u ndal në qytetin e Pogradecit.
Të pranishëm edhe disa nga drejtuesit e tjerë të opozitës së bashkuar si Kreu i PSV91 Petro Koci, Kryetari i PLD Spartak Ngjela, Edlir Petanaj nga Partia e Gjelbër, si edhe kreu i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Kurt Kola.
Nisur nga situata e rëndë e ditëve të fundit në veri perëndim të vendit, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, tha se qeveria ia faturon natyrës dështimin për ta administruar vendin. E pafalshme, e papranueshme që Shqipëria sot të jetë kaq e pambrojtur.
“Kush mund ta hajë gënjeshtrën e madhe se të gjithë ujërat e Ballkanit u grumbullokan në Shkodër? Kush mund ta hajë gënjeshtrën e madhe se e gjithë furia e natyrës u drejtoka në Shkodër? Kush mund ta hajë këtë alibi, e cila nuk qëndron më në këmbë”, - ishin disa nga pyetjet që shtroi z. Rama.
Kurse vijoi: “Vetë Saliu një vit më parë tha se këto janë përmbytje që ndodhin 1 herë në 100 vjet e ndërkohë na doli se ndodhin 5 herë në vit. Si është e mundur. Është e mundur vetëm për një arsye dhe arsyeja është dështimi i Sali Berishës”.
Duke shtruar më tej pyetjen se “kush i paguan këto çmime, kush i paguan të gjitha këto me radhë”, Rama tha edhe përgjigjen: “I paguajnë njerëzit e zakonshëm, i paguani të gjithë ju që dëgjoni përditë sesi makina e baltës vërshon me shpifje, me akuza, me gënjeshtra, me fyerje, me gjithë farë lloj monstruozitetesh kundër opozitës”.
Ndërkohë që qeveria është aty, - vijoi z. Rama - për të qeverisur dhe për t’i dhënë llogari popullit të vet, jo për të treguar me gisht opozitën si armikja e popullit dhe si i vetmi problem që populli paska. Jo, është e kundërta. Opozita është forca përmes së cilës populli i kërkon llogari qeverisë. Një qeveri që zgjidhet me vota jep llogari sepse varet nga vota. Por një qeveri që i merr votat edhe kur populli nuk ja jep nuk do t’ia dijë fare për popullin, nuk do t’ia dijë fare se ç’mendojnë e ç’ndjejnë njerëzit kur ajo bën padrejtësi pas padrejtësish pasi është e bindur se do t’ia marrë përsëri votën edhe po s’ia dhanë”.
“Ja pse është shumë e rëndësishme që ne të çlirojmë votën, sepse vetëm duke çliruar votën, ne çlirojmë ekonominë, ne çlirojmë drejtësinë, ne çlirojmë demokracinë, çlirojmë arsimin dhe shëndetësinë, pasi vetëm kur të varet nga populli, nga vota e tij, qeveria do të sillet me popullin si shërbëtore e tij. Ndërkohë që për sa kohë qeveria do t’ia marrë popullit votën edhe kur populli nuk ja jep, do ta trajtojë popullin si skllav, si rob, si vartës, do tallet me popullin, siç tallet Saliu përditë”, - përfundoi z.Rama.
a.f/e.r/NOA