English

Përmbytjet në Shkodër, Turqia sjell dy helikopterë ushtarakë transportim-shpëtimi

Tiranë, 4 dhjetor, NOA, Update – Ambasada Turke në Tiranë informoi pak minuta më parë se Turqia do të sjellë në Tiranë dy helikopterë kërkim-shpëtimi, për tu ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur në zonën e Shkodrës.

Sipas ambasadës, dy helikopterët do të mbërrijnë në orën 02.00 pas mesnatës së sotme në aeroportin e Rinasit.

Lajmi ishte bërë i ditur më parë pas telefonatës që Presidenti i Republikës, Bamir Topi pati në orët e drekës me homologun e tij turk, Abdulla Gyl, i cili pas informatave lidhur me gjendjen e emergjencës civile në Shkodër, i premtoi kryetarit të shtetit se do të sillte ndihma për banorët, si dhe medikamente e staf mejekësor për ta.

Sikundër lajmëroi ambasada turke në Tiranë në helikopterë do të ketë edhe një staf mjekësh që do t’i vijnë në ndihmë situatës së emergjencës në veri të vendit. Presidenti pasi e njohu homologun turk për situatën alarmante të fatkeqësisë natyrore, theksoi gjatë telefonatës se gjendja është akute dhe se prioritar vijon të mbetet evakuimi i njerëzve, si dhe ardhja në ndihmë me medikament mjekësore, ushqimore dhe shërbime të tjera humane të nevojshme për ta.

Për këtë, Presidenti i Republikës kërkoi dhe mbështetjen e palës turke për logjistikën dhe transportin.

Presidenti turk Abdulla Gyl, mësohet se në emrin e tij personal dhe të popullit turk, i shprehu Kryetarit të Shtetit, Bamir Topi solidaritetin e plotë dhe mbështetjen për të gjithë ata njerëz, të cilët janë duke u përballur me pasojat e rënda të këtyre përmbytjeve.

Zoti Gyl e siguroi Presidentin Topi për gatishmërinë e tij institucionale për të ndihmuar Shqipërinë në këto momente të vështira.

i.t/NOA

KOMENTE