English

Qeveria maqedonase, shpërndan miliona euro për mediat e afërta

Shkup, 4 dhjetor, NOA - Qeveria e Maqedonisë dyshohet për ndarjen e shumave shumë milionëshe për reklamim në favor të mediave që janë të afërta me të, ndërsa gjatë shpërndarjes së këtyre mjeteve, mediat shqiptare përfitojnë shuma simbolike.

Edhe pas shumë kërkesave për transparencë në publikimin e të dhënave nga ana e qeverisë, deri tani nuk janë dhënë detaje lidhur me mjetet financiare për fushatat qeveritare.

Ish-ministri i Financave, Nikolla Popovski sqaroi se në buxhet mund të fshihen paratë e harxhuara për reklamim dhe në favor të disa mediave.

Sipas dyshimeve të para, nënvizohet se prej 10 milion e deri në 20 milion euro janë shumat që për çdo vit ndan qeveria për fushatat esaj mediale, njofton agjencia e lajmeve INA.

Popovski thekson se qeveria mund të fshehë detajet e parave se si është bërë shpërndarja e tyre, mirëpo ai shtoi se edhe këto raste mund të zbulohen.

“Qeveria po fsheh shifrën e vërtetë dhe ajo nuk publikohet tanimë 4-5 vite se sa para harxhohen për fushata qeveritare dhe në kontot e mediave të afërta. Në katër vitet e fundit harxhohen prej 10-20 milion euro në vit, që do të thotë se për gjithë këto vite janë harxhuar mbi 100 milion euro dhe kjo është punë shqetësuese”, theksoi Popovski.

Në buxhetin e tillë, mediat shqiptare përfitojnë vetëm shuma simbolike, duke marrë nga pjesët e reklamave dhe shpalljeve qeveritare, por edhe të ndonjë promovimi të fushatave. Analistët politik shqiptar theksojnë se me këto para shteti i vendos nën tutelën e saj mediat që i kontrollon.

“Media në gjuhën shqipe në Maqedoni është e varur kryekëput nga “lëmosha” që e bëjnë institucionet publike dhe kompanitë e mëdha – si ato të telefonive mobile, bankave dhe kompanive të sigurimeve. Asnjëherë ndarja e reklamimeve nuk ka qenë as për së afërmi në raport me strukturën mediale apo etnike”, theksoi analisti Nebi Mërseli.

Dyshimet jozyrtare flasin se janë mediat e përcaktuara të cilët përfitojnë nga buxheti shtetëror nëpërmjet fushatave dhe reklamimeve qeveritare.

NOA-INA

KOMENTE