Madrid, 4 dhjetor, NOA - Një grevë e paparalajmëruar e kontrollorëve të trafikut ajror në Spanjë ka shkaktuar kaos në qarkullimin ajror të vendit.
Kryeministri i vendit Jose Luis Rodríguez Zapatero i dha urdhër ushtrisë të marrë masa të jashtëzakonshme. Kështu forcat e ushtrisë morën në Spanjë kontrollin mbi hapësirën ajrore të vendit pas një greve të kontrollorëve të trafikut ajror.
Këtë e bëri të ditur qeveria në Madrid. Greva e paparalajmëruar e më shumë se 70 për qind të kontrollorëve të trafikut ajror zhyti mbrëmë në kaos hapësirën ajrore në Spanjë. Pjesë të mëdha të hapësirës ajrore u desh të bllokoheshin.
Shumica e aeroporteve civile u mbyllën, ndër ta ata të Madridit, Barcelonës, Majorkës, Menorkës, Ibicës dhe të Ishujve Kanare.
Rreth 200 fluturime u anuluan, afërsisht 250.000 udhëtarë janë të bllokuar. Shoqëritë ajrore spanjolle e cilësuan gjendjen si kritike. Kontrollorët ajrorë grinden prej javësh me mbikëqyrjen e aeroporteve AENA për pagat dhe për kohën e punës.
a.k/NOA/DV