Shkodër, 4 dhjetor, NOA – Pasi ka inspektuar situatën në të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, gjatë gjithë këtyre ditëve, por edhe sot, duke parë nga afër përmbytjet në urën e Spatharit, Gurit të Zi , si dhe fshatrave të tjerë, Kryetarja e Kuvendit, dhe deputetja e Shkodrës, Jozefina Topalli i ka bërë rishtas thirrje banorëve të evakuohen sa më shpejt.
Kryeparlamentarja Topalli është ndalur lagje më lagje, shtëpi më shtëpi dhe duke u bërë thirrje edhe atyre që nuk duan të lënë shtëpitë e përmbytura duke u garantuar mbështetjen e shtetit për strehimin e tyre.
Zonja Topalli në një prononcim për mediat tha se situata është rënduar tejet.
Pyetje: Zonja Topalli vazhdon misioni në zonat e përmbytura duke vazhuar jo vetëm furnizimin me ushqime por edhe për të nisur dhe evakuimi banorëve. Si paraqitet situata në tërësi?
“Është një situatë shumë e rënduar dhe është rënduar edhe më shumë, sepse reshjet edhe gjatë natës së kaluar edhe gjatë gjithë ditës së sotme, nuk kanë reshtur. Sot niveli i liqenit është ngritur akoma më shumë, ura e Bunës është mbuluar tërësisht, gjë që do të thotë se Shiroka, Zogaj, Bahçallëku janë të rrethuara nga uji, pa folur për Komuna të tëra, të cilat janë të mbuluara nga uji. Është një situatë shumë e vështirë, por është një situatë në të cilën qëndron një shtab emergjence, që punon ditë e natë. Siç e shikoni ushtria është në dispozicion, policia në dispozicion, varkëtarat në dispozicion, peshkatarët në dispozicion”, theksoi zonja Topalli.
“Qytetarët, banorët e komunave me një solidaritet të madh, shpirt të madh dhe bujari të madhe po ashtu po ndihmojnë njëri-tjetrin. Në të tilla situata kërkohet kurajo, në të tilla situata kërkohet qetësi, kërkohet solidaritet i madh, në të tilla situata kërkohet gjakftohtësi për të menaxhuar. Unë falënderoj të gjithë qytetarët për shpirtin kurajoz që po tregojnë në këto momente të vështira, për kurajon që i japin edhe drejtuesve lokalë, sepse edhe ata kanë nevojë për një fjalë të mirë”, tha kryeparlamentarja.
Ajo theksoi sakaq se situata e krijuar në Shkodër është e paprecedentë.
Ajo duke iu përveshur akuzave të opozitës tha se “ata që tallen e thonë që kjo gjë ndodh një herë në 100 vjet, janë cinikë, janë të pashpirtë, janë nga ata që këtu në Shkodër i quajnë “katilë”. Zemra e nënave dridhet. Ndaj dhe ne kemi nevojë për solidaritet, jo për fjalë të rëndë dhe jo për lutjet që të përmbytet edhe më keq Shkodra, siç bën Edi Rama”, akuzoi Topalli.
Sipas saj, ajo që po ndodh është një lloj cikli që nuk ishte parë, të paktën këto vitet e fundit, një cikël që sipas specialistëve nënkupton vitin e parë, vitin e dytë, vitin e tretë. “Ky vit është më i vështirë se viti i kaluar. Viti i dytë është gjithmonë një situatë edhe më e rënduar”, nënvizoi Topalli.
“Unë nuk e di në se do të jetë një cikël 3-vjeçar apo 5-vjeçar, por di që është një situatë e jashtëzakonshme, siç është një situatë e jashtëzakonshme edhe në vendet e tjera të Europës, në Poloni ku ka mbi 30-40 të vdekur, apo në vendet e tjera. Në fakt këtu nuk kemi humbje jetësh. Kjo është kënaqësi shumë e madhe, por edhe shqetësimi jonë kryesor”, bëri me dije zonja Topalli.
mit/NOA