Mexico City, (Meksikë) 5 dhjetor, NOA - Ushtria meksikane ka arrestuar katërmbëdhjetëvjeçarin që dyshohet se ka kryer shumë vrasje për një kartel droge, ka njoftuar të shtunën një zyrtar i lartë ushtarak. Djaloshi ka thënë se ka “punuar” për trafikantët e drogës që nga mosha njëmbëdhjetëvjeçare.
Çuni i shumëpërfolur për vrasjet e kryera njihet si “El Ponchis”. Djaloshi është kapur të enjten mbrëma derisa së bashku me motrën e tij gjashtëmbëdhjetëvjeçare në aeroportin e Cuernavaca mundoheshin të arratiseshin nga vendi.
Ata fillimisht do të iknin në qytetin meksikan Tijuana. Motra e “kasapit” ka thënë se kishin synim të iknin në San Diego të Californias, ku shpresonin t’i bashkoheshin nënës së tyre.
Ata janë dërguar në kryeprokurorinë meksikane në Cueranvaca, ku adoleshenti ka bërë të ditur se ka marrë pjesë edhe në katër vrasjet e kohëve të fundit të kryera nga një grup trafikantësh.
Hetuesit nuk e kanë përjashtuar mundësinë e zgjerimit të akuzës edhe për motrën e 14-vjeçarit, e cila kishte ndihmuar në hedhjen e trupave të vrarë nëpër rrugë dhe autostrada.
“Kam marrë pjesë në katër ekzekutime, por isha i droguar dhe nën kërcënimin se nëse nuk do t’i kryeja vrasjet, do të më vrisnin”, ka thënë djaloshi, i cili ka kërkuar mëshirë nga gjyqësia meksikane.
Edhe një tjetër motër e ka shoqëruar atë , por policia beson se ajo nuk ka lidhje me vrasjet e kryera nga “El Ponchis”. Ata i kishin nxjerrë biletat në momentin kur kishin arritur në aeroport.
Kryeprokurori për shtetin e Morelosit ka thënë se dy të arrestuarit do t’iu dërgohen autoriteteve shtetërore meksikane, të cilët do të sigurojnë dëshmitë për krimet e kryera nga motra dhe vëllai bashkëpunëtorë të karteleve të drogës.
Ata punonin për kartelin e Paqësorit Jugor të drejtuar nga kryetrafikanti Hector Beltran Leyva, vëlla i Arturo Beltran Leyvas, i cili u vra gjatë vitit të kaluar nga njësitet speciale ushtarake meksikane.
NOA