English

Meta: Prioritet maksimal, ujësjellësi i Shkodrës dhe stacionet elektrike

Shkodër, 5 dhjetor, NOA – Ruajtja e ujësjellësit të Shkodrës nga përmbytja dhe bllokimi i mundshëm është një prej detyrave më urgjente. Dëmtimi i tij mund të sillte probleme të mëdha në gjithë qytetin e Shkodrës.

Për këtë qëllim zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, së bashku me Ministrin e Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, inspektoi sot në orët e para të mëngjesit pompat e Ujësjellësit të Shkodrës.

Përmbytjet, raportim minutë pas minute

Pas takimit me punonjësit numri dy i qeverisë theksoi se mbrojtja e Ujësjellësit të Shkodrës është një ndër prioritetet kryesore të Shtabit të Emergjencës dhe shprehu besimin se me punën që është bërë dhe po bëhet, me angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë autoriteteve, një gjë e tillë do të arrihet.

“Besojmë se me këtë angazhim dhe me këtë përkushtim, me gjithë mbështetjen që ne u kemi dhënë dhe do tu japim si qeveri, padyshim që besojmë se do të arrihet që të jetë i mbrojtur problemi i Ujësjellësit, problemi i energjisë elektrike për qytetin e Shkodrës, për banorët e Shkodrës. Ky është prioriteti numër një i Shtabit të Emergjencës dhe gjithë autoriteteve”, tha Meta.

Meta u njoh nga afër me situatën në stacionin e pompimit, ku prej disa ditësh po punohet në mënyrë të vazhdueshme për të mbrojtur stacionin nga uji, në mënyrë që të garantohet furnizimi me ujë të pijshëm i qytetit të Shkodrës dhe të mos ketë probleme me furnizimin me energji elektrike.

“Ne jemi këtu bashkë me ministrin Olldashi dhe me kryetarin e Bashkisë, z. Luka, për të falendëruar të gjithë punonjësit e Ujësjellësit, punonjësit e CEZ Shpërndarje, punonjësit e Bashkisë, përfaqësuesit që kanë ardhur nga Ministria e Punëve Publike dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellësve, për këtë punë heroike prej katër ditësh e katër netësh që është bërë këtu, për të mbrojtur këtë stacion pompimi nga uji, që të garantohet furnizimi me ujë të pijshëm i Shkodrës dhe të mos rrezikohet as furnizimi me energji elektrike”, tha Meta.

Meta shprehu falënderimet për të gjithë ata që po punojnë për të mbrojtur Ujësjellësin e Shkodrës dhe angazhimin e qeverisë që ky Ujësjellës të jetë në gjendje funksionale, në mënyrë që të mos shtohet një tjetër problem për banorët dhe qytetin e Shkodrës.

Ai vlerësoi se është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe titanike. “Ne shprehim mirënjohjen e qeverisë, shprehim mirënjohjen e autoriteteve për këto gra dhe burra që punojnë në mënyrë heroike dhe titanike, pa pushim, për të mbrojtur këto vepra nga uji dhe njëkohësisht për të mos shtuar një problem jashtëzakonisht të madh dhe të rëndë për të gjithë qytetarët e Shkodrës”, u shpreh Meta.

a.k/NOA

KOMENTE