Shkodër, 5 Dhjetor 2010 NOA / Irma Toptani – Zëvendëskryeministrit dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës,. Ilir Meta doli sonte para mediave ku foli pas mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave.
Përmbytjet, raportim minutë pas minuteMeta e konsideroi situatën nën kontroll, jo duke qenë të kënaqur me situatën në të cilën ndodhemi, sepse janë me mijëra banorë që ndodhen nën ujë, por duke pasur parasysh punën e jashtëzakonshme që është bërë për të mos patur një situatë shumë më të vështirë.
“Pra, një situate ku mund të vihej në pikëpyetje Ujësjellësi i Shkodrës, që do të ishte një problem i jashtëzakonshëm, apo një situatë ku edhe shumë sipërfaqeje tjetra, në rast se nuk do të mbroheshin argjinaturat e deritanishme, do të ishin përmbytur. Kështu që unë shpresoj dhe besoj me angazhimin e të gjithëve, për të minimizuar dhe ngushtuar gjithnjë e më shumë këtë hapësirë në të cilën në veprojmë”, - u shpreh z.Meta.
Në daljen për mediat, Meta shprehu vlerësim për sakrìficat e forcave të rendit dhe të ushtrisë dhe falënderìm për ndihmat e ardhura nga vendet mike, duke iu referuar Greqisë dhe Turqisë.
Ai evidentoi se gjatë ditës së sotme është kryer një volum i jashtëzakonshëm, si në drejtim të vijimit të procesit të evakuimit, ashtu edhe të furnizimit në banorëve në zonat e përmbytura dhe të izoluara me ushqime, me ujë.
Kurse shtoi: Ka patur disa raste ku është ndërhyrë për të transportuar në komunën e Velipojës një grua shtatzënë, gjë që tashmë është realizuar dhe nuk ka asnjë rrezik. Dhe disa raste të tjera, shqetësuese.
Meta siguroi se shërbimet shëndetësore pranë këtyre komuniteteve kanë funksionuar në mënyrë të vazhdueshme dhe pa ndërprerje.
Kurse tha se është e rëndësishme të theksojmë se me vënien në përdorim edhe të helikopterëve që kanë ardhur nga Turqia dhe Greqia, me kapacitete transportuese më të larta, është bërë një punë e ndjeshme për të nisur një furnizim më afatgjatë për banorët.
Në këtë drejtim, - Meta tha se, - është siguruar edhe një komunikim i vazhdueshëm me të gjithë drejtuesit e komunave dhe me kryepleqtë e fshatrave për një administrim sa më të mirë të të gjithë nevojave më jetike.
Njëkohësisht, ka ecur shumë mirë edhe fillimi i furnizimit me koncentrat për bagëtitë që janë të izoluara dhe ushqimi i tyre është dëmtuar për shkak të përmbytjeve, nga Drejtoria e Bujqësisë së rrethit të Shkodrës.
Për z.Meta, ajo që është më e rëndësishme, do të theksoja punën që është bërë për të mbrojtur argjinaturat, sidomos atë të Reçit, në komunën e Velipojës.
“Një punë e jashtëzakonshme është bërë dhe vazhdon të bëhet për të siguruar argjinaturën në Torovicë. Në tërësi i gjithë ky operacion humanitar vjen duke u perfeksionuar dhe në këtë drejtim Shtabi i Emergjencës, edhe në mbledhjen e sotme, diskutoi në vijimësi jo vetëm për ditën e nesërme, por për të gjithë procesin, me të cilin po ndeshet komuniteti, Shtabi i Emergjencës dhe të gjithë të deleguarit sipas komunave”.
Po ashtu z.Meta tha se një punë shumë e mirë dhe e organizuar është bërë në qytetin e Shkodrës, ku është bërë një operacion masiv për furnizimin e popullatës në pjesën e qytetit që është e përmbytur dhe e izoluar.
I pyetur si paraqitet situata dhe sa është sipërfaqja e tokës së përmbytur, z.Meta tha se sipërfaqja nën ujë vlerësohet të jetë rreth 14 mijë hektarë, ndërkohë që numri total i të evakuuarve është 11 mijë.
Përsa i takon shkarkimeve, Meta tha se ato kanë pësuar një ulje të ndjeshme. Megjithatë, shqetësim për situatën vlerësohet se është niveli i lartë i liqenit të Shkodrës.
Sa i përket ndihmave, Meta tha se ndihma të konsiderueshme po vijnë edhe nga Italia, po vijnë nga Austria, edhe nga vende të tjera.
Kurse i pyetur se çfarë konsiderohet më emergjente në këtë situatë, tha: “Mendoj se më e rëndësishme është, në radhë të parë, garantimi i funksionimit të Ujësjellësit të qytetit të Shkodrës, gjë që është realizuar me shumë sukses gjatë këtyre ditëve. Është garantimi me energji elektrike i gjithë zonave në maksimumin e mundshëm, pasi dihet se përmbytja ka sjellë probleme në komuna apo në fshatra të caktuar. Me rëndësi të veçantë është edhe shërbimi shëndetësor, në mënyrë që të mos cenohet dhe të mos rrezikohet jeta e asnjë banori, dhe sigurisht furnizimi sa më normal dhe i garantuar për nevojat më jetike, që nga ushqimi apo uji për komunat dhe fshatrat e izoluar. Tashmë ka filluar të përparojë edhe procesi tjetër që është me shumë rëndësi për banorët, furnizimi me ushqim për bagëtitë e izoluara”.
Meta komentoi dhe deklaratat e bëra nga opozita se banorëve të Shkodrës i mungon uji i pijshëm:
“Nuk e besoj. Për këtë arsye të gjithë ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me ekipet e Shëndetit Publik të Shkodrës, kanë marrë të gjithë masat, duke realizuar një proces tepër të rëndësishëm në përpjekjet për të mbrojtur ujin e pijshëm dhe për ta kontrolluar atë, por edhe për të eliminuar çdo gjë që mund të sillte problem për shëndetin e këtyre banorëve”.
Gjithashtu Meta foli edhe lidhur me akuzat e z. Rama i cili sot ka vizituar Shkodrën dhe ku deklaroi se përgjegjëse për këtë situatë është qeveria, dhe sipas tij, opozita është e gatshme të ulet dhe të rishikojë dhe njëherë buxhetin:
“Z. Rama do të kishte bërë mirë të kishte ardhur edhe këtu në Shtabin e Emergjencave, në mënyrë që këto ide t’i parashtronte, pasi këtu është gati treçereku i ministrave, në mënyrë të vazhdueshme, i angazhuar dhe gjithë drejtuesit e pushtetit vendor, por natyrisht që është kujtuar shumë vonë me idetë e tij, për arsye sepse buxheti vetëm tre ditë më parë u diskutua dhe këto propozime mund të ishin bërë në mënyrë konstruktive, aq më keq u kujtua pasi harxhoi ditë të tëra në qytete të tjera të vendit, sikurse ishte edhe vizita e fundit në qytetin turistik te Pogradecit, ku kërkohej hapja e kutive, ndërkohë që banorët dhe qytetarët e Shkodrës nuk kanë nevojë për bllofe, por kanë nevojë për një solidaritet të vërtetë njerëzor. Nuk kanë nevojë për cinizëm dhe nuk kanë nevojë për ta shndërruar një fatkeqësi në një kal beteje për qëllime krejtësisht të ngushta politike. Ne kemi qenë dhe jemi të hapur për të bashkëpunuar, edhe me përfaqësuesit e opozitës, të cilët janë të gatshëm që të ndajnë shqetësimin e tyre me këtë komunitet, në mënyrë të ndershme dhe në mënyrë vërtet qytetare”.
e.r/NOA