Tiranë, 5 dhjetor, NOA – Ndërsa Shkodra u pushtua nga uji për të disatën herë gjatë vetëm këtij viti, ashtu si edhe gjatë përmbytjeve të fillimvitit në Shkodër, qeveria italiane i është përgjigjur kërkesës për ndihmë nga autoritetet shqiptare në përballimin e emergjencës në qarkun e Shkodrës, ku ndodhen tërësisht nën ujë mijëra ha tokë e mijëra familje kanë mbetur pa shtëpi si rezultat i përmbytjeve.
Ambasada italiane në Tiranë, përmes një njoftimi elektronik thekson se departamenti i Mbrojtjes Civile, në bashkërendim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me Kryqin e Kuq italian, ka urdhëruar dërgimin e menjëhershëm të ndihmave të emergjencës.
Të hënën, në orën 08.00 në portin e Durrësit do të mbërrijë një karvan me 5 maune të cilat përmbajnë, 25 ton mallra ushqimorë; 5 ton veshje dhe pajisje kundër shiut; 4 ton produkte për higjenën vetjake.
Ambasada italiane informon se në bashkëpunim me autoritetet kompetente shqiptare, ndihmat do të transportohen menjëherë në Qarkun e Shkodrës për t’iu shpërndarë menjëherë banorëve të dëmtuar nga uji.
Por, mësohet se bëhet fjalë vetëm për karvanin e parë me ndihma.
Në ditët e ardhshme do të vijnë ngarkesa të tjera me ndihma për mijëra banorët e përmbytur të Shkodrës.
Gjatë zbarkimit të ndihmave italiane do të ndodhet në portin e Durrësit edhe ambasadori italian, Saba D’Elia.
Kërkesës për ndihmë iu përgjigj menjëherë edhe shteti turk.
Pas një telefonate të kryetarit të shtetit, Bamir Topi me presidentin turk, Abdulla Gyl, dje, ndihmat e para nga Turqia kanë mbërritur sot në orët e para të mëngjesit.
Bëhej fjalë për dy helikopterë kërkim shpëtimi, medikamente dhe një staf mjekësor për t’iu gjendur pranë në rast nevoje kolegëve shqiptarë.
mit/NOA