Fier, Vlorë, Korçë, Krujë, Dibër, Elbasan – Kur afro 14 mijë ha tokë ndodhen tërësisht nën ujë në qarkun e Shkodrës, në fshatrat e saj si dhe në hyrje të qytetit dhe ku mbi 11 mijë banorë të evakuuar nga zonat e përmbytura bëjnë llogaritë e fatkeqësisë që i pllakosi jo për të parën herë, por për të pestën brenda një viti, panorama e përmbytjeve shfaqet gati në të gjithë Shqipërinë, duke bërë që edhe me sy dëmet e kësaj fatkeqësie që gjeti shtetin rishtas të papërgatitur të përllogariten në dhjetëra milionë euro, ndoshta edhe më shumë.
Janë qytete të tëra, nga veriu në verilindje, mandej nga jugu në juglindje, që kanosen nga uji apo tejfryrja e lumenjve që kalojnë pranë tyre si rezultat e reshjeve të rrëmbyeshme që përfshinë vendin, e që vetëm sot duken se i lanë vendin diellit, edhe për pak ditë, pasi nga e enjtja nuk dihet se ç’mund të ndodhë.
Dhjetëra banesa janë përmbytur sot në Fier, si pasojë e daljes nga shtrati i lumit Vjosa, i cili ka përmbytur jo vetëm dhjetëra banesat duke dëmtuar gjithçka që banorët kanë ngritur, por edhe 500 ha tokë buke në këtë qytet janë nën ujë.
Thirrjes për evakuim duket se banorët e përmbytur i janë përgjigjur në fshatin Ferras, ndërkohë që shtabi i emergjencës ka punuar për të mbrojtur argjinaturën në urën e Mifolit, që rrezikon të çojë ujërat e lumit Vjosë deri në hyrje të Vlorës.
Për shkak të reshjeve të mbrëmshme edhe në Vlorë për shkak të tejfryrjes së Vjosës, dalja e saj nga shtrati ka sjellë përmbytjen e disa banesave pranë lumit, ndërsa është bllokuar rruga Vlorë-Novoselë si pasojë e përmbytjes.
Rruga tjetër Vlorë-Selenicë, mësohet se para më shumë se një orë është bërë rishtas e kalueshme pas rënies së nivelit të ujit mbi të.
Edhe në fushën e Maliqit në Korçë janë të pushtuara nga uji plot 1200 hektarë tokë bujqësore, për shkak të mosfunksionimit të kolektorit të Sovjanit, si pasojë e prurjeve të larta të ujit.
Toka të përmbytura ka në fshatrat Vreshtas, Pirg e Libonik, ndërsa ende nuk janë vërejtur banesa nën ujë.
Edhe në Fushë-Krujë që dje pas daljes nga shtrati të lumit Zez janë plot 6000 familje që kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e përmbytjeve dhe ujërave që kanë shkatërruar ekonomitë e tyre.
Janë disa zona të Fushë Krujës që janë të përmbytura, qindra biznese private, ndërkohë që banorët vuajnë tashmë edhe frikën e rënies së epidemive, për shkak të ngordhjes së gjësë së gjallë.
Edhe në Burrël janë mbi 20 familje që bëjnë llogaritë me përmbytjet, ndërkohë që komunat e Dibrës vuajnë tashmë edhe rrëshqitjen e dherave të cilat kanë bllokuar qarkullimin në akset rrugore, por jo vetëm, pasi këtu përtej përmbytjes e të ftohit nuk ka edhe energji elektrike.
Po kështu edhe qyteti i Elbasanit rrezikohet nga përmbytjet si pasojë e fryrjes nga reshjet të përroit të zaranikës dhe Mazderes, ku nën rrezikun e daljes së ujit nëpër rrugë janë jo vetëm të gjallët, por edhe trupat e të vdekurve në varrezat e qytetit të Elbasanit, për shkak të fryrjes së Mazderes.
E pra edhe pse reshjet kanë pushuar dhe pritet të mos e vizitojnë vendin deri të enjten sipas parashikimeve, ardhja e tyre nuk mund të ndalohet, duke lënë në vijim frikën e rritjes së hartës së përmbytjeve në mbarë vendin, por edhe të sëmundjeve e epidemive.
Por, tashmë ndërsa Shkodra mbetet nën ujë, banorët gjatë ditëve me diell në vijim pritet të jenë nën efektin e ngricave, të cilat pas shiut në këtë kohë janë një refren i njohur në zonat në veri të vendit, por jo vetëm.
Autoritetet shtetërore janë të tërë në terren për të ndjekur situatën, opozita akuzon se masat duhej të ishin marrë që në verë, pasi Shkodra është për të pestën herë brenda këtij viti e pushtuar nga uji.
Fatkeqësi natyrore e ka cilësuar kryeministri Berisha përmbytjen e pashembullt të Shkodrës, por ajo që kuptohet është se fatkeqësia nuk mund të jetë e paralajmëruar, ajo vjen kur s’e pandeh, ndërsa Shkodra nën ujë u pa edhe në janar të këtij viti, një prolog i përmbytjes së dhjetorit, një përmbytje edhe më e madhe që e ka kthyer të paktën prej 6 ditësh Shkodrën në një liqen të madh.
mit/NOA