Shkodër, 5 dhjetor, NOA, Update – “Unë nuk kam parë ndonjëherë dhe s’kam lexuar në historinë e vendit tim që, kur një pjesë e rëndësishme e popullsisë është në ankth dhe frikë, kryetari i një formacioni politik, të qeshë”.
Kështu e ka cilësuar sot nga Shkodra, ku gjendet për të disatën ditë për shkak të përmbytjeve, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetarin e opozitës, Edi Rama, duke iu përgjigjur qëndrimeve të tij ndaj situatës së përmbytjeve, që kanë pushtuar qarkun e Shkodrës.
“Në fakt në historinë e Shqipërisë nuk ka ndodhur kurrë që, një kryetar i një force politike të shkojë në Pogradec, të tallet, të qeshë me ata banorë, të cilët vuajnë ankthin dhe frikën, që sjell uji dhe të flasë për kutitë. Kjo nuk është cinizëm, sadizëm, por kjo do të thotë të jesh katil në shpirt, dhe të jesh kundër të gjithë atyre që qajnë, që kanë lot në sy dhe frikë. Ai qesh, kur të tjerët qajnë dhe, qan kur të tjerët qeshin. Kjo ka vetëm një emër, ai është katil!”, theksoi zonja Topalli.
Kryetarja e Kuvendit tërhoqi vëmendjen dhe për braktisjen e votimit nga deputetët socialistë, të buxhetit të vitit 2011, ku janë përfshirë projekte të fuqishme sikundër tha ajo, për infrastrukturën e Shkodrës, një përgjigje kjo për kërkesën e bërë sot nga Edi Rama që buxheti të rikthehet për t’u diskutuar në kuvend me qëllim që investimet që ai parashikon të shkojnë më parë në forcimin e argjinaturave të lumenjve në zonën e Veriut dhe pikërisht në Shkodër, kryeqendrën e veriut që përmbytet për të pestën herë gjatë këtij viti.
Sa i përket apelit të Edi Ramës për rikthimin e buxhetit të vitit 2011 në kuvend, zonja Topalli u shpreh se “Përpara dy ditësh, kur Kuvendi i Shqipërisë ishte mbledhur për të votuar Buxhetin e vitit të ardhshëm, në të cilin janë parashikuar shumë investime për Qarkun e Shkodrës, ashtu si edhe për qarqe të tjera, ku ka projekte konkrete, që i shërbejnë këtij qarku, për të përballuar situata të vështira”, tha Topalli.
Sipas saj është gati e pabesueshme, që kryetari i opozitës, Edi Rama urdhëroi deputetët e PS-së, të iknin nga salla dhe të mos votonin për këto fshatra të përmbytur, për këtë qark që gjendet nën ankth prej ujit që e ka pushtuar.
Kryetarja e Kuvendit foli gjithashtu dhe për qëndrimin e deputetëve socialistë të Qarkut të Shkodrës, ndaj situatës:
“Shpreh edhe keqardhjen më të madhe për ata, që janë deputetë të Shkodrës të Partisë Socialiste, që kanë marrë votat në qytetin e Shkodrës, dhe që nuk kanë ardhur këtu që në ditët e para, atje, ku Partia Socialistë ka marrë votat. Ata nuk kanë ardhur për t'u qëndruar afër qytetarëve, për t’u thënë një fjalë të mirë”, përfundoi Topalli.
mit/NOA