Tiranë, 5 dhjetor, NOA, Update - Pas takimit me ambasadorët e vendeve të NATO-s dhe BE ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto tha për mediat se ka një reagim pozitiv nga aleatët dhe vende të ndryshme të BE. Ai shprehu besimin “se që në orët e ardhshme do të jepen edhe kontributet përkatëse nga secili vend.
Raportim minutë pas minuteTakimi me ambasadorët e vendeve të BE dhe të NATO-s është zhvilluar rreth orës 10:00 të ditës së sotme me kërkesë të ministrit të Jashtëm, Haxhinasto, ku është kërkuar ndihmë për përballimin e situatës emergjentë në Shkodër nga përmbytjet.
Pas përfundimit të takimit me Ambasadorët, Haxhinasto tha se i ka falenderuar përfaqësuesit e vendeve të BE-së dhe NATO-s për kontributet e deritanishme për menaxhimin e kësaj situate të jashtëzakonshme pa precedent emergjence.
Ai ka falenderuar në mënyrë të veçantë Greqinë, Turqinë për ndihmën e helikopterëve, të cilët janë bërë operative që sot në mëngjes për të ndihmuar kryesisht personat e izoluar, Italinë për paketën e ndihmës që ka dërguar menjëherë, Austrinë, Kosovën dhe të gjithë vendet e tjera të cilët po asistojnë në menaxhimin konkret të situatës.Haxhinasto i njohu ambasadorët me shifrat e sotme të situatës përsa i takon tokës së përmbytur, dhe personave të evakuar, të shtëpive të rrethuara nga uji apo shtëpive të përmbytura dhe ka paraqitur nevojat më emergjente për menaxhimin e kësaj situate.
Pyetjes se cilat ishin kërkesat më emergjente të qeverisë shqiptare, Haxhinasto iu përgjigj duke thënë se kërkesat më emergjente për momentin janë varkat e vogla për shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve mjekësore, por gjithashtu dhe gjithçka tjetër që bën të mundur strehimin dhe kalimin normal të kësaj situate të vështirë që mund të jenë çadrat apo pajisjet e tjera.
Në lidhje me ndihmat dhe kontributet që priten, Haxhinasto tha se ato do të vijnë nga vendet anëtare të NATO-s, kryesisht në nivelin bilateral.
a.k/NOA
{youtube}gG5zkcRwg6M{/youtube}