Tiranë, 5 dhjetor, NOA - “Fjalori enciklopedik shqiptar” (FESH), botim i ri, është përgatitur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë pas një pune komplekse disavjeçare të Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare, të redaksive të 21 fushave tematike të Fjalorit, të Këshillit botues e të Redaksisë së përgjithshme dhe të disa qindra autorëve të zërave. Vepra e pranishme vijon rrugën e çelur nga “Fjalori enciklopedik shqiptar” i botuar në vitin 1985, i cili, si vepra e parë enciklopedike në gjuhën shqipe, shënon një arritje të rëndësishme të shkencës e të kulturës shqiptare.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, duke çmuar rëndësinë dhe vlerat e “Fjalorit enciklopedik shqiptar” për kulturën kombëtare, vendosi të përgatisë një botim të ri të rishikuar e të plotësuar të tij dhe ka planifikuar njëkohësisht hartimin e një “Enciklopedie shqiptare” në disa vëllime, si vepër me karakter më të gjerë jo vetëm për nga numri i zërave, por edhe për nga trajtimi i tyre.
Ky botim i “Fjalorit enciklopedik” është përgatitur në rrethana të reja historike-politike të brendshme e të jashtme dhe në pajtim me to ndryshon shumë nga fjalori i mëparshëm, si nga ana sasiore, ashtu edhe nga përmbajtja e zërave dhe mënyra e trajtimit të tyre.
Fjalori përfaqëson një vepër shkencore sintetike e përgjithësuese, që pasqyron Botën Shqiptare në tërësinë e saj që nga lashtësia deri në ditët tona, historinë e kombit shqiptar në tërësi dhe të trevave të tij etnike.
Në këtë mes vend të gjerë zë pasqyrimi i gjithanshëm i jetës së shtetit shqiptar që nga themelimi i tij më 28 Nëntor 1912, si dhe pasqyrimi i historisë së Kosovës. Po ashtu në FESH kanë gjetur pasqyrim historia dhe jeta e popullsisë shqiptare në Maqedoni e në Malin e Zi, ana gjeografike-natyrore e trojeve të saj të banimit, zhvillimet dhe arritjet e reja politike, ekonomike, arsimore e kulturore.
Arbëreshët e Italisë e të Greqisë dhe në përgjithësi diaspora shqiptare, e vjetra dhe e reja, veprimtaria e institucioneve dhe e figurave të njohura të saj, janë vështruar si pjesë përbërëse e pandashme e Botës Shqiptare dhe kanë gjetur pasqyrimin e duhur në FESH. Kështu, në emërtimin “Fjalor enciklopedik shqiptar” përcaktimi “shqiptar” pasqyron në radhë të parë përmbajtjen e kësaj vepre: ajo ka të bëjë me kombin shqiptar dhe atdheun e tij, pra nuk është një vepër enciklopedike e tipit universal.
Në hartimin e kësaj vepre me karakter të theksuar kombëtar kërkesë themelore ka qenë trajtimi i zërave me vërtetësi e saktësi shkencore. Është synuar të paraqitet mendimi më i ri i shkencës shqiptare, arritjet e shkencave albanologjike në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi, në diasporë e gjetkë, si dhe në arritjet e autorëve shqiptarë në fusha të tjera të dijeve shoqërore, të teknikës, të kulturës, të arteve e të sportit.
Në të gjitha hallkat e punës për këtë vepër janë bërë përpjekje për të dhënë një trajtim shkencor sa më objektiv, duke nxjerrë në pah rrugën dhe vlerat historike e kulturore të popullit shqiptar.
Në FESH pasqyrohet individualiteti kombëtar etnik i popullit tonë, lashtësia dhe autoktonia e tij në trojet e veta, marrëdhëniet me popujt e tjerë dhe kontributi i tij në historinë dhe në kulturën botërore. Në zërat e kësaj vepre pasqyrohen institucionet politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, shkencore, artistike, fetare të popullit shqiptar e të paraardhësve të tij ilirë, roli i tyre në histori dhe marrëdhëniet me qytetërimet e lashta e të mëvonshme deri në ditët tona.
Vend të gjerë zënë gjithashtu mjedisi gjeografik, qendrat e banuara, qendrat arkeologjike, degët e ndryshme të ekonomisë (industria, energjetika, bujqësia, transporti, transporti, shërbimet etj.), gjeologjia, pasuritë e nëntokës dhe shfrytëzimi i tyre, historia e brendshme dhe marrëdhëniet me fqinjët e me shtetet e tjera, historia ushtarake, arsimi, shkenca, letërsia shqiptare e gjuha shqipe, kultura materiale e shpirtërore e popullit shqiptar, artet e ndryshme, shtypi e botimet, mjetet e komunikimit, fizkultura e sportet etj.
Tipar dallues i FESH të ri është pasqyrimi i gjerë i personaliteteve e i figurave të historisë kombëtare. Janë përfshirë si zëra të veçantë persona që kanë dhënë ndihmesa të çmuara në fushën e historisë e të jetës politike, në fushën ushtarake, në degët e ndryshme të ekonomisë, në fushën e shëndetësisë, të arsimit, të shkencës, të kulturës e të artit kombëtar, të fesë, të sportit etj., në të kaluarën dhe sot; persona që kanë hedhur hapat e parë në veprimtari me rëndësi shoqërore, apo që me veprën e tyre kanë dëshmuar traditat e lashta e të pasura të kulturës sonë kombëtare.
Janë përfshirë gjithashtu edhe personalitete e figura të huaja, që kanë pasur apo kanë lidhje të drejtpërdrejta me çështjet shqiptare, në këtë mes edhe nga ata që me veprimtarinë e tyre kanë sjellë pasoja të rënda për popullin e kombin shqiptar. Në këtë botim të ri të “Fjalorit enciklopedik” kanë zënë vend një numër i konsiderueshëm personash të jetës politike, kulturore-artistike e fetare, që kanë qenë dënuar për pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre politike ose ishin lënë në heshtje të plotë gjatë periudhës së pushtetit komunist; po ashtu janë trajtuar edhe ngjarje e organizata që kanë të bëjnë me veprimtarinë e forcave kundërshtare të regjimit komunist.
Në përputhje me natyrën dhe karakterin e veprës zërat përmbajnë informacion të ngjeshur e të përpiktë. Pjesa më e madhe e zërave janë trajtuar në mënyrë të përmbledhur dhe cilësohen si zëra të vegjël. Një numër zërash për çështje e institucione me karakter më të përgjithshëm, si dhe për persona me veprimtari të gjerë, shumëplanëshe e me vlera të spikatura janë trajtuar në mënyrë më të shtjelluar dhe cilësohen si zëra të mesëm.
Disa zëra për tema të gjera, që përbëhen nga një varg nëntemash dhe përfshijnë periudha të gjata kohe, po ashtu dhe disa zëra për personalitete të shquara të historisë dhe të kulturës kombëtare janë trajtuar në formë artikujsh studimorë sintetikë dhe cilësohen si zëra të mëdhenj.
Fjalori i ri enciklopedik përmban mbi 7200 zëra, ndër të cilët mbi 2300 zëra persona, në krahasim me rreth 5000 zëra (ndër të cilët rreth 700 zëra persona) të FESH të botuar më 1985. Të gjithë zërat e fjalorit të mëparshëm janë rivështruar, ripunuar e plotësuar, shpeshherë rrënjësisht, nga autorët e tyre, nga bashkautorë të rinj, nga redaksitë përkatëse, nga redaktorët e Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare dhe nga Këshilli botues i veprës.
Në këtë proces një numër zërash u gjykuan si të panevojshëm dhe u lanë jashtë, kryesisht dukuri kalimtare ose propagandistike të periudhës së socializmit, dhe disa persona pa ndonjë veprimtari të spikatur, por që ishin përfshirë për shkak të emërtesave të kohës. Një numër zërash të tjerë janë thjeshtuar ose bashkuar në zëra përmbledhës. Shtesa prej mbi 2500 zërash në krahasim me FESH të botuar më 1985 nuk ka të bëjë vetëm me përfshirjen e ngjarjeve dhe dukurive të reja që i përkasin periudhës nga viti 1985 deri në ditët tona. Duke marrë parasysh realitetin e ri të krijuar sot për popullin shqiptar në Ballkan, veçanërisht çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999 dhe shpalljen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran më 17 shkurt 2008, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare bënë shumë përpjekje që në këtë botim të ri të FESH të pasqyrohen gjerësisht të gjitha trevat shqiptare, duke shtuar në mënyrë të ndjeshme zërat për qytetet, fshatrat, komunat dhe për njësitë e gjeografisë fizike (male, fusha, lugina, qafa, gryka, lumenj etj.).
Përveç kësaj, janë shtuar në mënyrë të ndjeshme edhe zërat për personalitete e figura historike ose të fushave të ndryshme të kulturës, artit, shkencës, sportit etj. Besojmë se në këtë mënyrë ky Fjalor enciklopedik ka arritur të jetë një vepër me karakter mbarëkombëtar dhe ky tipar i tij do të theksohet edhe më tej në botimet e ardhshme me plotësimet e nevojshme.
Lënda e FESH është përgatitur nga redaksitë përkatëse në pajtim me Platformën e punës të miratuar nga Redaksia e përgjithshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare. Lënda është përpunuar sipas kritereve shkencore e teknike të veprës nga Qendra e Enciklopedisë Shqiptare, e cila, në bashkëpunim edhe me autorët e redaksitë, ka kryer vijimisht një varg plotësimesh e përditësimesh. Këshilli botues i veprës ka shqyrtuar të gjithë lëndën sipas fushave dhe ka vendosur përfundimisht për përmbajtjen e saj në marrëveshje me redaksitë e fushave dhe me Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare. Për realizimin e kësaj vepre kanë bashkëpunuar dhe kanë dhënë ndihmesë të veçantë punonjës shkencorë të instituteve dhe qendrave kërkimore-shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pedagogë të Universitetit të Tiranës, të Universitetit Politeknik të Tiranës, të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të universiteteve të tjera të vendit, të Akademisë së Arteve, të Akademisë Ushtarake, të Akademisë së Rendit, si dhe specialistë të cilësuar nga një numër institucionesh të tjera kërkimore-shkencore. Janë të shumtë bashkëpunëtorët nga Universiteti i Prishtinës, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe nga institucione të tjera të Kosovës, po ashtu nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, nga Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë dhe nga institucione të tjera në Maqedoni, në Malin e Zi si dhe në botën e jashtme, të cilët janë treguar të gatshëm të hartojnë zëra nga fushat e tyre të punës dhe të na ndihmojnë me materiale e të dhëna të dobishme për plotësimin e një numri zërash të tjerë. U jemi mirënjohës të gjithëve dhe i falënderojmë botërisht. Për saktësimin dhe përditësimin e të dhënave që përmban vepra, u jemi drejtuar organeve të administratës shtetërore e sidomos INSTAT-it, prefekturave në qarqe dhe Drejtorisë së Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, që na vuri në dispozicion të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 për popullsinë e qarqeve, të komunave e të qyteteve dhe të Republikës së Shqipërisë në tërësi.
Fjalori është pajisur gjerësisht me ilustrime. Janë përdorur një varg ilustrimesh të FESH 1985. Qendra e Enciklopedisë Shqiptare gjatë këtyre viteve është kujdesur të krijojë një arkiv ilustrimesh, që do të përdoren edhe në botimet e ardhshme enciklopedike të Akademisë së Shkencave. Falënderojmë Institutin e Historisë dhe Grupin drejtues të veprës “Historia e popullit shqiptar” (në 4 vëllime), botim i Akademisë së Shkencave, që na vunë në dispozicion materialet ilustruese të kësaj vepre. Një varg materialesh ilustruese na janë vënë në dispozicion nga Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Kulturës Popullore, Qendra e Studimeve Gjeografike, Biblioteka Kombëtare, Arkivi i Ministrisë së Ndërtimit, Arkivi i Teatrit të Operës dhe Baletit dhe nga institucione të tjera e persona të veçantë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi.
“Fjalori enciklopedik shqiptar” u miratua për botim nga Këshilli i botimeve i Akademisë së Shkencave. Këshilli e shqyrtoi veprën në tërësi pasi dëgjoi recensionet e hollësishme të përgatitura nga akad. Zija Xholi dhe prof. Ylli Vejsiu, të cilët i falënderojmë për vlerësimet, vërejtjet e sugjerimet e dobishme.
Falënderojmë në mënyrë të veçantë Kryesinë e Akademisë së Shkencave, e cila e pati në qendër të vëmendjes këtë vepër dhe bëri të gjitha përpjekjet që, me gjithë problemet e riorganizimit të Akademisë gjatë vitit 2008, faza përfundimtare e përgatitjes së veprës për botim të zhvillohej në kushtet më të mira të mundshme. U jemi mirënjohës punonjëseve të Akademisë së Shkencave znj. Shazije Guri dhe Drane Koçi, të cilat me leximin e kujdesshëm të krejt veprës pas faqosjes, ndihmuan që të mënjanohen një numër të metash dhe të njësohen më mirë disa çështje teknike.
*Artikulli është parathënia e “Fjalori enciklopedik shqiptar” (FESH), i përgatitur nga Akademinë e Shkencave të Shqipërisë