English

Topi falenderon presidentin turk për ndihmën në Shkodër

Tiranë, 5 dhjetor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka falënderuar Presidentin turk, Abdullah Gyl për solidaritetin dhe ndihmën e menjëhershme që dha për përmbytjet e krijuara në Shkodër.

Në një mesazh falënderimit, Topi vlerëson reagimin e shpejtë të shtetit turk. “Më lejoni që në emër të popullit shqiptar dhe timin personal, t’Ju shpreh mirënjohjen e thellë dhe falenderimet më të përzemërta për ndjeshmërinë e lartë dhe solidaritetin njerëzor për t’iu ardhur në ndihmë me helikopterë transporti dhe personel ushtarako-mjekësor familjeve të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shqipëri!”, shkruan Topi në mesazhin e tij.

Ai shprehet se populli shqiptare e vlerëson dhe e çmon lart mbështetjen personale të presidentit turk.

Topi shprehet se “ndihmesa e Turqisë si vend mik dhe aleat në NATO gjatë këtyre momenteve të vështira për Shqipërinë si tregues të qartë të marrëdhënieve historikisht të konsoliduara dhe vëllazërore mes dy vendeve dhe popujve tanë”.

Nga ana tjetër Topi shprehet se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vijnë duke u forcuar.

“Duke ju falenderuar edhe njëherë për kontributin Tuaj të vyer si dhe duke Ju siguruar për ndjenjat e mirënjohjes dhe miqësisë së thellë të popullit shqiptar, shpreh bindjen se klima e shkëlqyer e marrëdhënieve tona do të vazhdojë të forcohet gjithnjë e më tepër në interes të dy popujve tanë!” – theksohet në mesazhin e Presidentit Topi”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

a.k/NOA

KOMENTE