Rahovec, 5 dhjetor, NOA - Në vazhdën e fushatës elektorale nëpër Kosovë, të dielën Lëvizja Vetëvendosje mbajti një tubim elektoral me banorët e komunës së Rahovecit.
Qytetarët e Rahovecit pritën me duartrokitje liderin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili nga foltorja e Rahovecit denoncoi keqqeverisjen e deritashme në Kosovë, duke vërejtur se nuk mund të pritet asnjë ndryshim për mirë nga politikanët kosovarë që e sollën shtetin e Kosovës në këtë ditë.
“Ndryshimet vijnë prej qytetarëve të pakënaqur, e jo nga pushtetarët e vetëkënaqur. Pushtetarët përfituan nga mungesa e sovranitetit. Lëvizja Vetëvendosje do ta nxjerrë Kosovën nga pazaret e pushtetarëve, e pushtetarët do t’i nxjerrë nga institucionet e Kosovës, u Kurti.
Kurti premtoi se në rast se Lëvizja për Vetëvendosje fiton zgjedhjet duke marrë edhe votat e duhura për të qeverisur vendin, atëherë Kosova do të bëhet shtet universal dhe solidar.
“Shteti i Kosovës do të jetë shtet i mirëqenies, shtet universal, ngase të gjithë ata që kanë para do të paguajnë për të mirën e përgjithshme, dhe shtet solidar, ngase e të gjithë ata, që kanë nevojë do të përfitojnë nga kjo”, përfundoi Kurti.
Tubimin e hapi kandidatja për deputete Zanita Halimi, e cila ftoi për të marrë fjalën Afrim Hotin, vëllain e patriotit Ukshin Hoti.
Hoti theksoi në fjalën e tij se Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në këto zgjedhje si domosdoshmëri e kohës dhe si shpresë e re.
“Vendi ynë për të cilën u flijuan shumë shqiptarë brez pas brezi, duhet të kenë institucione të qëndrueshme në shërbim të qytetarëve. Institucionet duhet të krijohen në bazë të vlerave, ku ne sendertim të të cilave qëndron gjaku i dëshmorëve”- u shpreh Hoti.
Pas tij u prezantuan kandidatët për deputetë të kësaj komune, Albana Fetoshi e Masar Vuçiterrna.
Albana Fetoshi, para qytetarëve te Rahovecit tha se do të punojë për institucione sovrane, dhe për një ushtri të fortë.
“Duam ta heqim Planin e Ahtisaarit që po na ndan territoret dhe institucionet, dhe duam ta heqim nenin 1.3 të kushtetutës, që po na e ndalon bashkimin me Shqipërinë. Qytetari duhet të jetë qytetar politik, e politikani duhet të jetë politikan për qytetarët”- tha Fetoshi.
Ndërsa, kandidati tjetër për deputet nga kjo komunë, Masar Vuçiterrna, tha se politika aktuale ua ka humbur shpresat qytetarëve, dhe ka bërë që qytetari të mos besojë më në ndryshime.
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu, theksoi se Rahoveci gjithmonë ka qenë i qetë, por kur i preket liria e tij, i madh e i vogël ngrihen në këmbë. “Lëvizja Vetëvendosje që prej themelimit të saj ka qenë në ballë të rezistencës kundër padrejtësive. Ne do të vazhdojmë që ta luftojmë padrejtësinë kudo, e këtë e bëjmë bashkë me qytetarin, dhe kështu do të bëjmë ndryshime në Kosovë, që nga zgjidhja e problemeve të përditshme, e deri te çështja e bashkimit me Shqipërinë, të gjitha do t’i hartojmë bashkë me qytetarin”, përfundoi deputeti Liburn Aliu.
mit/NOA