Tiranë, 6 dhjetor, NOA – I sapombërritur në Tiranë, ambasadori i ri i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu i ka telefonuar sot kryeministrit Sali Berisha duke i shprehur gatishmërinë e SHBA-ve për të ndihmuar në përballimin e emergjencës civile që ka përfshirë kryeqendrën e veriut të vendit, Shkodrën, e cila po përballet për të shtatën ditë me ujin që i ka vënë përfund toka të tëra e shtëpi.
Përmbytjet, raportim minutë pas minuteNë faqen zyrtare të qeverisë bëhet e ditur se gjatë komunikimit telefonik, Ambasadori amerikan Arvizu shprehu kënaqësinë për fillimin zyrtar të detyrës dhe se e priste me kënaqësi takimin së afërmi me Kryeministrin Berisha, i cili ditët e fundit ka qenë në terren në krye të komitetit ndërministror të emergjencës civile.
Arvizu mësohet se ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar në përballimin e situatës së vështirë, që po kalon vendi nga përmbytjet.Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan vullnetin për konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.
Kjo telefonatë vjen dy ditë pasi ambasadori i ri amerikan, Aleksandër Arvizu erdhi në Tiranë, në detyrën e diplomatit amerikan për Shqipërinë.
Pas ndihmës së vendeve të tjera aleate me Shqipërinë në NATO, sot ka ardhur edhe mbështetja e SHBA-ve, në përballimin e situatës së rëndë që po kalon Shkodra, e cila ende është nën ujë, kur dimri sapo ka nisur.
i.t/NOA