Tiranë, 6 dhjetor, Update, NOA –Ambasadori i ri i SHBA në Tiranë Aleksandër Arvizu ka deklaruar sot gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi, se detyra e tij kryesore në Tiranë do të jetë forcimi i lidhjeve mes SHBA dhe Shqipërisë.
Ai deklaroi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij do të punojë “lidhjet e forta mes dy popujve tanë do të forcohen dhe thellohen edhe më tej.”
Pas paraqitjes së letrave kredenciale me Arvizu vuri në dukje vlerësimin e tij pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët si një vend dhe popull që kanë një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan.
“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë dy vende mike të ngushta dhe aleate në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe promovimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në mbarë botën siç e ka demonstruar roli pozitiv dhe moderator në rajon dhe kontributi i forcave paqeruajtëse shqiptare në Irak dhe Afganistan”, ka deklaruar Arvizu.
Nga ana e tij kreu i shtetit i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Ambasadorit Arvizu dhe i shprehu atij mbështetjen e plotë institucionale për përmbushjen me sukses të detyrës së tij diplomatike në vendin tonë.
Kreu i shtetit ka theksuar dhe një herë vendosmërinë e shtetit shqiptar dhe angazhimin për të qenë gjithnjë partner i vendosur përkrah SHBA-së, në të gjitha sipërmarrjet e saj. “Kryetari i Shtetit vlerësoi mbështetjen, kontributin dhe rolin e jashtëzakonshëm të SHBA-së si aktor i rëndësishëm në thellimin e proceseve reformuese demokratike, forcimin e institucioneve në Shqipëri dhe përmbushjen e standardeve në funksion të integrimit euroatlantik të vendit”, njofton Zyra e Shtypit e Presidencës në lidhje me takimi.
Gjatë bisedës Presidenti Topi ka bërë dhe një panoramë të zhvillimeve të fundit në vend, duke u përqendruar në përpjekjet konkrete të shtetit shqiptar në reformimin e sistemit gjyqësor dhe atij të drejtësisë, konsolidimin e institucioneve dhe shoqërisë demokratike, në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, etj.
a.k/NOA