English

“Big Brother Albania 4”, nis në prag të Vitit të Ri

Nuk duhet të prisni vitin 2011 për të ndjekur reality-n më të famshëm të televizioneve shqiptare, “Big Brother”

Gjithçka do të startojë teksa ne përgatisim zbukurimet e festave dhe ushqimet e zgjedhura tradicionale. Pse u vendos pikërisht kështu, çfarë presim të na sjellë ky edicion i katërt, sa do të jetë çmimi për fituesin, si do të jetë shtëpia, kush do ta prezantojë. E kush më mirë se autori i këtij programi, Rezart Aga, mund të na jepte përgjigjet e duhura. Si zakonisht në Shqipëri ky show vjen si përmbledhje ditore dhe spektakli çdo javë në Top Channel kurse 24 orë çdo ditë në Digitalb. Kurse në Kosovë Big Brother do të vijë përmes platformës DigitAlb dhe IPKO.

Kemi mësuar se edicioni i katërt i “Big Brother” nuk do të presë janarin apo jo?
Po, është e vërtetë, këtë herë festat e fundvitit do të marrin një kënaqësi më shumë, pasi fansat e këtij formati televiziv do të jenë në shoqërinë e miqve të rinj, banorëve të “Big Brother 4”. Menduam që ta startojmë në këtë atmosferë për të sjellë diçka më të veçantë dhe më të gëzueshme për të gjithë.

Ndërkohë, ka mbaruar përzgjedhja e konkurrentëve?
Jo, jemi në fazë seleksionimi dhe audicionet vazhdojnë.

Si do jenë ata, sa të ndryshëm dhe sa të ngjashëm nga ish banorët e dikurshëm?
Si gjithmonë stafi i “Big Brother” përzgjedh me kujdes tipa dhe karaktere shumë të ndryshëm, të cilët në interaktivitet me njëri tjetrin bëhen akoma më interesantë. Besoj se kemi bërë zgjedhje të goditura, madje ndonjëri prej tyre do të jetë me gjithë mend një suprizë. Por e veçanta është se ata, gjatë ditëve të para të qëndrimit në shtëpinë e”Big Brother” nuk do të jenë zyrtarisht konkurrentë. Ato ditë për ta do të jenë të mbushura me ankth, emocion dhe pasiguri dhe natyrisht me një sens protagonizmi për të qenë sa më bindës për publikun, që ai t’i votojë. Komunikimi për të qenë ose jo pjesë e konkurrimit mund të jepet edhe gjatë ditëve të javës, pa patur nevojë të presim të shtunën e spektaklit.

Po a do të këtë ndryshime në shtëpi?
Shumë risi, pasi do të ketë një ndryshim surprizë, me plot elementë të rinj, me ambiente të ndryshme dhe mjaft “hi tech”.

Kalojmë tek çmimi…
Çmimi do të jetë 100 milionë lekë të vjetra ashtu si vjet, por nuk do të mungojnë edhe çmime të ndryshme që do të zbulohen javë pas jave.

Kush do të jetë prezantuesi?
Edhe këtë vit, prezantimin ia kemi besuar Arbana Osmanit, e cila vjen me mjaft eksperiencë nga tre edicionet e para dhe e provuar tashmë si e suksesshme në këtë rol. /Express/

KOMENTE