Tiranë, 6 Dhjetor 2010 - Vitet e fundit është krijuar një traditë e mirë për organizimin e veprimtarive të shumta kulturore artistike nga Instituti Italian i Kulturës. Artistët më të njohur të skenës italiane, me famë botërore janë ngjitur në skenat tona, për të debutuar për publikun shqiptar.
Ky ka qenë privilegj jo vetëm i artdashësve të kryeqytetit, por edhe i qyteteve të tjera si Shkodra, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, etj. Ku sipas një kalendari të pasur janë zhvilluar veprimtari të shumta e të larmishme.
Sipas drejtoreshës së Institutit Italian të Kulturës, Flavia Tibaldi, kjo është mundësuar edhe falë një bashkëpunimi të frytshëm me institucionet kulturore dhe artistët e mrekullueshëm shqiptarë. Dhe në këtë kontekst zonja Tibaldi evidenton Teatrin e Operës dhe Baletit, Bibliotekën Kombëtare, Akademinë e Arteve, Universitetin e Tiranës, Galerinë e Arteve, UET, etj. Edhe muaji Dhjetor shënon disa veprimtari kulturore në kryeqytet por që do të shtrihen edhe në Durrës, në sajë të bashkëpunimit me bashkinë e këtij qyteti dhe teatrin “Aleksandër Moisiu”.
Për nder të të bekuarës Nënë Tereza e Kalkutës, që ky vit përkon edhe me 100-vjetorin e lindjes së saj, do të organizohet ditën e enjte dt. 9 dhjetor, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, ekspozita e titulluar “Mbi gjurmët e Nënë Terezës së Kalkutës”, me imazhe të marra nga vëllimi “Bukuri e harruar – ‘The forgotten beauty’” e Elisa Venturelli-it dhe Federica Miglio-s, publikuar nga Alessandro Turci Editore.
Ashtu si në bashkëpunime të tjera me këtë institucion të rëndësishëm dhe drejtuesin e saj Aurel Plasari, veprimtaria ka ngjallur interes të veçantë.
Ndërsa nga 9 deri 13 Dhjetor 2010 do të vazhdohet në Tiranë dhe Durrës, me “Festival Terre in Moto – Tokë në Lëvizje” në Shqipëri, “një udhëtim në brendësi të disa rajoneve italiane si Campania, Lazio, Molise e Puglia, ku ndihet më shumë ndjenja e përkatësisë ndaj traditave popullore”, si dhe “një moment thelbësor i një udhëtimi drejt “interkulturalitetit”.
Antonio Acocella, drejtor artistik i Festival-it, konfirmon se ka parashikuar jo vetëm koncerte, por edhe tavolina të rrumbullakëta, seminare, stage dhe laboratorë për të favorizuar dialogun dhe krahasimin ndërmjet artistëve të kulturës mesdhetare dhe asaj ballkanike.
Ky bashkëpunim, tashmë në kuadër të integrimit rajonal merr një rëndësi të veçantë sepse artistët kanë mundësi të njihen, shkëmbejnë mendime dhe përvoja me vlerë.
Në vijim të veprimtarive, ditën e enjte më 9 Dhjetor, në orën 19, Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë, mirëpret spektaklin “Tinguj dhe kërcime nga Puglia salentina” të Anomalia Mediterranea.
Grupi i përbërë ekskluzivisht nga muzikantë profesionistë, do të paraqesë një repertor të lartë të muzikës etnike dhe popullore të Italisë së Jugut, tarantele e pizziche, zëra melizmatikë, këngë rituale e kërcime impresionuese, ku tingujt e instrumenteve tradicionale si tamburët dhe udut janë ndërtuar enkas për t’u përdorur në stil modern me aranxhimet origjinale të kontrabasit elektrik, saksit, kitarës, baterisë, organos së vogël dhe fizarmonikës.
Ditën e premte 10 dhjetor, në orën 19, pranë Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, do të shfaqet spektakli “Tingujt e tokës” të Percussioni Ketoniche. Elementët që karakterizojnë risinë e tingullit të jashtëzakonshëm që grupi ofron janë guri, hekuri, druri, qelqi, plastika, makina autentike tingëlluese, pushtojnë sallën duke çliruar energji dhe ritëm, dridhjet e trupave bashkohen me ato të materialeve që përplasen, duke krijuar një fluks të pa rezistueshëm që mbërrin dhe përfshin çdo spektator.
Ky grup ka entuziazmuar artdashës të shumtë jo vetëm në Itali por edhe në skena të tjera jashtë kufijve të Gadishullit të Apenineve.
Shtëpia Qendrore e Ushtrisë mirëpret të dielën 12 dhjetor 2010, në orën 19, “Koncert në organo të vogël, rrahje tingujsh dhe zë solist” të “Piccola Orchestra La Viola”. Lindur në 1994 nga ideja e Alessandro Parente- s (drejtor dhe kompozitor) dhe Antonella Costanzo- s (zëri solist), “Piccola Orchestra La Viola” ka si qëllim rikuperimin, si kurrë më parë, të memories dhe rrënjëve të vetë kulturës popullore dhe konsiderohet me meritë të plotë, si një nga grupet më inovativ të panoramës së “world-music italiane”.
Ditën e hënë 13 dhjetor Festival Terre in Moto, do të përmbyllet në Durrës, pranë Teatrit “Aleksandër Moisiu”, me koncertin “Ritmet e tamburëve të fshatit, nën hijen e Vesuvio-s” të grupit “PietrArsa”, themeluar në 2004 nga Mimmo Maglionico. Muzikant me formim klasik të fortë, si dhe aranxhator i afirmuar, që nga fillimet e viteve 1981, Mimmo Maglionico i ka fokusuar kërkimet e veta në rielaborimin e pasurisë popullore të zonës së Campania-s nëpërmjet kontaminimit me instrumente dhe gjini bashkëkohore, si pop, rock dhe “new age”. “PietrArsa” është një gur llave i fortë gati sa hekuri, me të cilin u ndërtuan ndërmjet 1600-ës dhe 1700-ës, pjesa më e madhe e rrugëve, urave dhe portave të mëdha të qytetit të Napolit.
Maurizio Palmieri, Francesca Cacciatore dhe Fabrizio Grassi do të realizojnë “Takime të muzikës dhe kulturës” që do të mbahen të premten 10 dhe të shtunën 11 dhjetor, në orën 11, pranë Liceut “Faik Konica” të Tiranës dhe të hënën 13 dhjetor gjithmonë në orën 11, pranë Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Muzika do të jetë përsëri protagoniste, të shtunën 11 dhjetor, në Teatrin e Operës dhe Baletit të Tiranës, ku do të shfaqet në skenë një koncert i Saule Kilaite & The Madrix, me titull “Violin Performance Trio”. Eventi organizohet nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit si dhe “Klasik”.
E shumëdiplomuar në violinë dhe në piano, si në Lituani ashtu edhe në Itali, Saule Kilaite ka bashkëpunuar me orkestra të ndryshme e grupe me muzikë dhome, si dhe është shfaqur si soliste në performanca të panumërta në evente publike dhe private prestigjioze. Pasi themeloi në 2001, një kuartet harqesh i tëri me përbërje femërore, “Picasso Strings”, me qëllimin për të kombinuar lloje të ndryshme shprehish artistike: muzikë, pikturë, video art dhe teatër, në 2004 ka ideuar projektin inovativ soliste “Violin Performance”, në të cilin artistja luan në violinë “dal vivo”, për rreth 70 minuta, mbi baza të regjistruara nga vetë ajo, që i përkufizon me “orkestrën time të padukshme”.
Saule përballet me skenën duke paraqitur pjesë të famshme klasike, bashkëkohore dhe pjesë që i përkasin traditave popullore të vendeve të ndryshme, të ripërpunuara nga vena e saj interpretuese me aranxhime të reja. Në 2009 Saule ka ideuar një formacion të ri për koncert “Saule & The Madrix” ku shoqërohet nga muzikantët Max Guglielmone, në kitarë akustike, dhe Adriano Sangineto, harpë çeltike, klarinetë dhe zë.