Tiranë, 6 dhjetor, NOA - Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë institucionale në shenjë solidariteti e ndihme për banorët e dëmtuar nga përmbytjet e fundit në pjesën më të madhe të vendit e sidomos në zonën e Shkodrës.
Në mbledhjen e saj të fundit, Kryesia e KMSH-së pasi ka analizuar gjendjen e krijuar ka marrë disa vendime për tu ardhur në nidhmë banorëve.
KMSH ka urdhëruar të gjitha myftinitë në vend të angazhohen për mbledhjen e kontributeve në vlera monetare, veshmbathje dhe produkte ushqimore në favor të të dëmtuarve.
“Pas mbledhjes së kontributeve, KMSH siguron se do të angazhojë punonjësit e tij por edhe vullnetarë për shpërndarjen e tyre në zonat e tragjedisë me qëllim që t’u vihet në ndihmë qytetarëve dhe zbutur sadopak situatën e rëndë që ata po përjetojnë”, bëri të ditur sot KMSH-ja në një njoftim për mediat.
Për tu ardhur ndihmë banorëve të zonave të përmbytura KMSH ka hapur edhe këtë numër llogarie: BKT 110000709, IBAN: AL 14 2051 1014 000709 CL TJCL ALLO, ku mund të dërgohen donacione me emërtimin “Kontribute për zonat e përmbytura”.
“Duke shprehur edhe një herë keqardhjen për banorët e dëmtuar, KMSH falënderon në mënyrë të veçantë çdo individ, organizatë apo institucion që ka ndihmuar dhe ndihmon në këtë drejtim, duke kujtuar se çdo kontribut, pavarësisht vlerës, ka si shpërblim kënaqësinë e Zotit dhe mirënjohjen e njerëzve”, thuhet në njoftimin e saj për situatën në Shkodër dhe zonat e përmbytura.
a.k/NOA