Zhvillohet Konferenca Kombëtare “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE”
Tiranë, 6 Dhjetor 2010 NOA - Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN) me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert & OSI Think Tank Fund (Hungari), organizuan më datë 6 Dhjetor 2010 (Hotel “Sheraton”) Konferencën Kombëtare “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE – Mbi përmirësimin e praktikës & kapaciteteve parlamentare”.
Rëndësia e Komisionit parlamentar të Integrimit, si një “gur-themel” në veprimtarinë e Kuvendit në lidhje me çështjet e integrimit evropian, i lidh pritshmëritë për një rol më të madh të legjislativit në këtë proces, pikërisht me këtë strukturë të Kuvendit.
Progres- Raportet e Komisionit Evropian prej vitit 2007 e në vazhdim, identifikojnë tre sfida kryesore të veprimtarisë parlamentare në procesin e anëtarësimit të vendit në BE – kapacitete & ekspertizë; roli monitorues dhe kontrolli i Komisionit parlamentar; bashkëpunimi me grupet e interesit dhe shoqërinë civile.
Duke analizuar këto sfida edhe në kuadër të një vlerësimi të veprimtarisë së Komisionit për periudhën Shtator 2008 – Shtator 2010, IDN prezantoi në dokumentin e politikave (tre “hapa” drejt përmirësimit të praktikës & kapaciteteve parlamentare) të përgatitur për këtë event edhe alternativa konkrete për adresimin e tyre.
Së pari, nevoja për kapacitete dhe ekspertizë në dispozicion të Komisionit parlamentar të Integrimit duhet konsideruar nën një perspektivë më të gjerë, ku alternativat përfshijnë jo vetëm rritje të burimeve njerëzore dhe programeve të kualifikimit të vazhdueshëm (për ekspertët që mbështesin punën e Komisionit) por edhe mundësinë e krijimit të një strukture studimore pranë Kuvendit apo duke vështruar drejt partneritetit me organizata studimore dhe akademike.
Së dyti, përmirësimi i rolit monitorues të Komisionit parlamentar të Integrimit, duhet të fillojë prej konsolidimit të praktikave të bashkërendimit brenda-Parlamentar dhe me Ekzekutivin, si edhe të konsolidimit të procedurave të komisionit mbi raportimin dhe informimin nga ana e aktorëve përgjegjës qeveritarë.
Së fundi, bashkëpunimi me grupet e interesit dhe shoqërinë civile duhet të shndërrohet në ndërveprim përmbajtësor për të rritur shkallën e informimit dhe pjesëmarrjes së aktorëve me ndikim në ose të ndikuar prej procesit të integrimit në veprimtarinë parlamentare të Komisionit.
Në këtë kontekst, sugjerimi për krijimin e Këshillit Kombëtar të Anëtarësimit në BE – me përfshirjen e Kuvendit, Ekzekutivit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si edhe të grupeve të interesit e shoqërisë civile – nuk duhet parë si alternativë, por si një instrument shtesë për gjithëpërfshirjen në këtë proces.
Duke folur në konferencë, drejtori i IDN z. Sotiraq Hroni nënvizoi nevojën për masa konkrete “për të imponuar përmes autoritetit parlamentar një këndvështrim pune që drejtohet jo nga momenti por nga e ardhmja e proceseve, duke ngritur kapacitetet e nevojshme për këto procese.
Synimi i kontributit tonë nuk është imponimi i modeleve apo praktikave të vendeve të tjera, si të tilla por nxitja e një debati konstruktiv me qëllim mirëkordinimin dhe gjithëpërfshirjen përmbajtësore të aktorëve të interesuar ”.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian, znj. Ermelinda Meksi, theksoi se “intensiteti i punës së Komisionit në procesin legjislativ është rritur ndjeshëm në muajt e fundit.
Nga ana tjetër, eksperienca tregon se edhe vete shoqëria civile nuk shfaqet shumë e interesuar në këtë proces, duke qenë se ajo është me e integruar politikisht se sa në fushën e proceseve integruese të vendit. Sfidat për veprimtarinë e Komisionit parlamentar janë të shumta, duke përfshirë nevojën për një status më të qartë të Komisionit në drejtim të komisioneve të tjera, program të qartë nga qeveria për harmonizimin e legjislacionit, përfshirjen e gjerë të institucioneve dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm si shoqëria civile, media, profesoriati etj.”.
Edmond Hoxha, zv/ministër i Integrimit, u fokusua tek nevoja për një bashkërendim më të mirë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Komisionin parlamentar të Integrimit, duke theksuar se kjo mbetet një sfidë e përbashkët, veçanërisht në kontekstin e stadit pasues të procesit të anëtarësimit.
Hoxha mirëpriti rekomandimet dhe kontributin e dokumentit të politikave të IDN, duke drejtuar edhe një ftesë të hapur për aktorët e shoqërisë civile për t’u përfshirë në procesin e integrimit të vendit.
Anëtarët e Komisionit Parlamentar të Integrimit, z. Aldo Bumçi dhe z. Ditmir Bushati, gjithashtu shprehën mbështetje për kontributet e shoqërisë civile në këtë proces. Z. Bushati e vuri theksin tek nevoja për një reformë të mirëfilltë, e cila do të duhet t’u përgjigjet sfidave të Kuvendit në procesin e anëtarësimit.
Ndërkohë, z. Bumçi nënvizoi rolin e aktorëve parlamentarë në këtë proces, duke mirëpritur gjithashtu edhe eksperiencat e vendeve të rajonit dhe kontributet e shoqërisë civile.
Alfred Peza, drejtor i “Ora News” theksoi rëndësinë e përqasjes politike, ndaj procesit të integrimit evropian si edhe ndaj përfshirjes së aktorëve të mundshëm në të. Në këtë kontekst është e rëndësishme që ngritja e strukturave mbështetëse, të jetë e studiuar mirë në kuptimin e funksionalitetit, kontributit real dhe vlerës së shtuar ndaj procesit.
Roli i shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian, problematika dhe alternativat për përmirësimin e praktikës në këtë kontekst ishte mesazhi kryesor i z. Andi Dobrusha, Drejtor i Fondacionit “SOROS”. Duke përcjellë eksperiencën e deritanishme të Fondacionit, z. Dobrusha vlerësoi se “shoqëria civile nuk duhet konsideruar si kundërshtar nga ana e institucioneve shtetërore por si një partner në rrugëtimin drejt BE”. Drejtori i “FES” për Shqipëri Michael Weichert duke vlerësuar këtë iniciativë nga IDM theksoi se ka nevojë për një mirëfunksionim më të madh dhe më cilësorë të Kuvendit në përgjithësi dhe jo vetëm të Komisioneve.
e.r/NOA