Tiranë, 6 dhjetor, NOA – Në vijim të reformave të qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë, ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës zhvilloi sot një takim konsultativ për draftligjin mbi inspektimin e biznesit.
Në këtë takim të thirrur nga zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo morën pjesë organizatat dhe shoqatat e biznesit, të interesuar mbi këtë projektligj.
Pasi dëgjoi mendimet e biznesmenëve në takim, zëvendësministri Bozdo shprehu vendosmërinë e qeverisë për realizimin e reformës në Sistemin e Inspektimit dhe theksoi se, tashmë Task-Forca për Reformën Rregullatore ka dhënë aprovimin e saj për sistemin më të përshtatshëm në Shqipëri, duke zbatuar praktikat dhe parimet më të mira të vendeve të zhvilluara dhe të OECD-së.
Bozdo tha se reforma në Inspektim, krahas parimeve më të mira në Sistemin e Inspektimit, parashikon edhe krijimin e një strukture qendrore për Inspektimin, e cila do të ndikojë dhe monitorojë të gjithë procesin dhe procedurat e inspektimit për çdo fushë dhe për çdo Institucion.
Komuniteti i biznesit tërhoqi vëmendjen për përfshirjen në projektligj të ndryshimeve që po ndodhin në legjislacion, në përgjithësi sipas fushave përkatëse.
Gjithashtu, biznesi kërkoi që ky komunitet të përfshihet edhe në procedurat specifike të inspektimit në çek-list për çdo lloj inspektimi etj.
Nga biznesi u kërkua që në projektligj të përfshihet edhe roli i komunitetit të biznesit në vlerësimin e performancës për çdo inspektim apo inspektor, si dhe u kërkuan sqarime për një sërë parimesh që janë futur në këtë draftligj.
Paneli që drejtoi këtë takim mori në konsideratë të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet rreth këtij projektligji, si dhe i dha mundësinë që komuniteti i biznesit të vazhdojë të japë mendimet e tij, përderisa kjo reformë është në proces, si dhe garantoi që procesi i konsultimeve rreth reformës në sistemin e inspektimit do të jetë një parim i vazhdueshëm i reformës në përgjithësi.
mit/NOA