Kumanovë, 6 dhjetor, NOA / Milena Selimi - Shfaqja "Kufomat e gjalla", e cila ishte njëra nga aktivitetet e “Ditëve të Kulturës Shqiptare” në Kumanovë i tejkaloi parashikimet me spektatorë dhe artdashës. Të pranishëm në këtë shfaqje ishin edhe Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, deputetë, njerëz të artit dhe të kulturës dhe qytetarë të Kumanovës.
Aktorët Musa Isufi (Kipci), Mendim Murtezi (Hajni) dhe Sefedin Shabani ilustrojnë moralin e humbur të një shoqërie përfshi edhe atë shqiptare. Një protestë e fortë, emocione të fuqishme, të cilat mbajtën mbërthyer spektatorin në një orë. E veçanta dhe surpriza e shfaqjes ishte fjala e z. Abdilaqim Azemi, i cili, me ngjitjen e tij në skenë deklaroi se shqiptarët e Kumanovës në të ardhmen do të kenë mundësi që të shohin shfaqje teatrore në gjuhën shqipe.
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi mori pjesë në shfaqjen teatrore "Kufomat e gjalla" që u mbajt në kuadër të Ditëve të kulturës shqiptare të cilat këtë vit u organizuan në qytetin e Kumanovës, të mbështetura nga ministria e Kulturës dhe nga Qeveria e RM-së. "Sonte prej këtu e bëjë të ditur edhe lajmin për vendimin e Qeverisë së RM-së për themelimin e Dramës shqipe këtu në Kumanovë, njësi kjo që do të funksionojë në kuadër të Shtëpisë së Kulturës.
Pas themelimit, janë duke rrjedhur edhe procedurat për ekipin, përkatësisht punësimin e aktorëve shqiptarë", u shpreh zëvendëskryetari i Qeverisë së RM-së, Ademi. Sipas tij, me këtë vendim realizohet një dëshirë dhe kërkesë e kahmotshme e qytetarëve të Kumanovës për të pasur Teatrin e tyre, por edhe e spektatorëve dhe artdashësve për të ndjekur shfaqjet e aktorëve të tyre. "Me këtë ne vetëm po plotësojmë një kërkesë dhe po institucionalizojmë kulturën shqiptare jo vetëm në Kumanovë por edhe më gjerë.
Deri tani kemi themeluar Muzeun e Alfabetit në Manastir, Muzeun e UÇK-së në Shkup, kurse shumë shpejt do të fillojmë edhe dy projekte kapitale për kulturën shqiptare, ajo e Sheshit Skënderbeu dhe Teatrit dhe bibliotekës në Tetovë. Por kemi financuar edhe renovimin e disa objekteve siç është teatri në Shkup dhe Qendra për kulturë në Tetovë. Ne do të vazhdojmë edhe më tej të përkrahim aktivitetet e artistëve dhe të kulturës shqiptare në Maqedoni për të marr atë që na takon si shqiptar nga hisja e buxhetit për kulturë", u shpreh më tej zëvendëskyeministri Ademi.
m.s/n.e/NOA