Tiranë, 6 Dhjetor 2010 NOA – Ministri i Bujqësisë Genc Ruli duke folur për mediat sot, deklaroi se gjatë periudhës nga përmbytjet e fillimvitit deri në ato aktuale, është punuar në drejtim të rehabilitimit të zonave të prekura nga dukuria problematike e vërshimit të ujërave.
Përmbytjet, raportim minutë pas minuteMë poshtë ndiqni intervistën e plotë
Si është situata më e fundit meqë ju sapo keni ardhur nga zona e përmbytur në veri kryesisht në zonën e Shkodrës?
Do të thoja që sot kemi një situatë më të stabilizuar. Nuk do doja në asnjë mënyrë të avancoja një optimizëm të theksuar e të thoja që kemi dalë nga situata kritike, sepse java që vjen do të ketë përsëri reshje, kemi para dimrin që do të ketë reshje, por dua të them që kemi një stabilizim sa i përket niveleve të rrezikut. Ditët e fundit kemi qenë në një garë të vërtetë kohe me nivelin e ujit, garë ku fitonte ai që rritej më shpejt, niveli i ujit, apo niveli i argjinaturës dhe i pritës nga ana jonë. Shumë herë në këtë garë u ndjemë pothuajse të humbur, uji rritej me shpejt sesa argjinatura që ngrinim ne, sidomos ajo e Torovicës që mbron gjithë Lezhën, Gjadrin etj. Dy ditë më parë, situata atje ishte shumë kritike ndërsa tashmë mund të konsiderohet përfundimisht e stabilizuar.
Ne kemi arritur të sigurojmë një ngritje, me volume pune masive, prej 6000 m3, që janë bërë në harkun e dy tre ditëve, të hedhur në një argjinaturë apo digë që ka një gjatësi gati 1 km dhe që është ngritur mbi një metër në volumet e saj. Përfundimisht, si pasojë edhe e minimizimit të fluksit të reshjeve, të cilat vetvetiu dhanë ndikim dhe në shkarkimet e lumenjve apo të kaskadës së Drinit, neve tashmë kemi një situatë të stabilizuar. Do të thoja që në gjithë Shqipërinë, edhe në Vjosë, ku patëm frontin e dytë në të cilin u ndiemë të kërcënuar tre ditë më parë, për shkak të prurjeve të mëdha nga reshjet në gjithë zonën ujëmbledhëse të Vjosës, arritëm që parmbrëmë të kalojmë rrezikun e daljes së lumit nga shtrati dhe të shmangim përmbytjen e zonave të gjera. Lumi tani është në rënie të nivelit të tij dhe ndodhemi në një situatë disi më të relaksuar, por gjithmonë ajo mbetet shqetësuese.
Në fakt ju kaluat nga Shkodra në Vjosë. Duket sikur ne shqiptarët nuk e kemi fare problem pjesën e Vjosës dhe mendojmë që gjëma është në Shkodër. A parashikohet që kjo situatë që jemi tani të vazhdojë, duke patur parasysh edhe parashikimin e motit, për të cilin besoj se keni informacion të saktë?
Keni të drejtë, Shkodra është zona e parë që përmbytet gjithmonë në Shqipëri, për arsye se Shkodra dhe gjithë ajo që quhet zona e Nënshkodrës me gjithë pellgun ujëmbledhës të basenit të Drinit dhe lumenjve të tjerë është zona më komplekse në Shqipëri dhe në Ballkan, nga pikëpamja hidrike. Madje mund të them që është ndër të paktat zona me këtë kompleksitet hidrik në të gjithë Europën. Ne faktikisht patëm një dinamikë të zhvilluar kryesisht gjatë muajit nëntor, mos harrojmë që kërcënimet e përmbytjes filluan nga data 11 Nëntor, me shkarkimet e mëdha që erdhën nga lumenjtë anësorë Kiri e Gjadri, të cilët derdhen në liqenin e Shkodrës dhe nga shkarkimet që u detyrua të bënte KESH-i në Kaskadën e Drinit, konkretisht në Vaun e Dejës. Faktikisht, në 11 nëntor, megjithëse derdhjet në Bunë arritën nivelin 3000 m3 në sekondë, nuk patëm përmbytje për arsye se një pjesë e madhe e këtij uji u kthye përsëri në liqen, duke rritur nivelin e tij. Pjesa tjetër u shkarkua ne zonën depresive të Drinit, që është zona e Harkut të Bërdicës etj.
Faktikisht, situata erdhi në këtë gjendje sidomos në datë 23 Nëntor ku shkarkimet e mëdhaja që vinin sidomos nga lumenjtë anësorë si Kiri dhe Gjadri, lumenjtë e Cenit dhe te Xetës, por edhe shkarkimet e Vaut të Dejës bënë që derdhjet në Bunë të arrinin në 4000 m3. Pra, duke patur parasysh që Buna ka një kapacitet teorik dhe teknik të ujit që duhet të kalojë nëpër të prej 2200 m3, vetvetiu uji i tepërt nuk kish ku të shkonte, pasi ndërkohë edhe liqeni qe fryrë dhe nuk mund të shërbente më si rezervuar. Ishte kjo dinamikë që shkaktoi fillimin e përmbytjes së zonave përreth. Në 23 nëntor patëm 4000 hektarë të përmbytur, dinamika vazhdoi më pas në datën 30 të nëntorit, që do ta quaja dhe kulmin e përmbytjes. Përvec shkarkimeve të mëdha, reshjeve që vazhdonin të binin dhe që rrisnin shumë më tepër sasinë e ujërave që duhej të shkarkoheshin në zonë, patëm edhe dalje masive në atë zonë që e quajmë Aurelat e Bunës apo të Shirgjit drejt fushës, sidomos në zonat e e Dajcit, Velipojës, zonës së Rrëzë Malit të cilat u përmbytën në mënyrë masive dhe njolla e përmbytjes arriti në 10 000 hektarë (mendojmë që vjet u përmbyten 12 000 hektarë).
Ditët e para të dhjetorit, situata u përkeqësua edhe më shumë, sado që gjatë gjithë kësaj kohe Kaskada e Drinit vetëm ka ndihmuar në lehtësimin e situatës, për arsye se në fund të fundit po të shohim bilancet e kaskadës, ajo ka derdhur më pak ujë se sa ka grumbulluar nga prurjet e Drinit dhe të të gjithë lumenjve anësorë që derdhen në tre liqenet e hidrocentraleve. Në fillim të Dhjetorit ne kemi një nivel të jashtëzakonshëm reshjesh, që kanë arritur deri në 80 mm në ditë. Duhet të kemi parasysh që ne e kemi mesataren vjetore të reshjeve, 1200 mm në vit. Faktikisht vetëm gjatë muajit Nëntor, unë ju kam sjellë edhe një hartë, në Shqipëri janë derdhur rreth 500 mm shi. Në hartë vërehet që për muajin nëntor, Shqipëria përfshihet në zonat e Europës me reshje maksimale, që arrijnë deri në 550-600 mm.
Kjo vetëm për muajin nëntor?
Po, vetëm për muajin nëntor. Në datën 1 dhe 2 dhjetor, përmbytja arriti në sipërfaqen maksimale të saj prej 13500 hektarë, vazhdojmë të kemi derdhje nga lumenjtë anësorë nga Vau i Dejës, madje në momente të caktuara vetëm Vau i Dejës ka derdhur 2900 m3 në sekondë, gjë që ka sjellë zmadhimin e zonës së përmbytur dhe madje shkaktoi edhe një rrezik të mëtejshëm për arsye se uji iu drejtua zonës të Mërtemzës duke shkaktuar dhe mbikalimin dhe çarjen e argjinaturës së Casit. Por më lejoni të theksoj edhe një herë që rreziku më i madh ka qenë ai i dy netëve të fundit, kur uji sulmoi argjinaturën e Torovicës. Argjinatura e Torovicës ndan të gjithë zonën në formë lugine që shkon deri në Fushë Krujë, dhe do të thoja që çarja e kësaj zone do të sillte një katastrofë të dytë, për arsye se gjithë kjo masë uji, me një rrjedhje shumë të fuqishme do t’i drejtohej kësaj zone duke përmbytur të gjithë zonën e Kurbinit, Lezhës, qytetin e Lezhës, nënstacionin e Lezhës. Momenti më kritik ka qenë pikërisht tre net më parë deri në të gdhirë kur me shumë vështirësi, megjithë mobilizimin maksimal, kemi mundur të kontrollojmë situatën e argjinaturës së Torovicës. Po kështu, shumë shqetësuese ka qenë situata në argjinaturën e Adriatikut, e cila mbron zonën e Fushë Kuqes. Mund të them se zona e Fushë Kuqes, përveçse zonë bujqësore, ka një rëndësi të dytë sepse aty janë të gjithë puset e ujit nga të cilët furnizohet Durrësi, Kavaja, dhe një zonë e tërë me gati gjysmë milion banorë. Hyrja e ujit në atë zonë vetvetiu do t’i kish nxjerrë jashtë përdorimi.
Ju bëtë një resume dhe ne vetë jemi dëshmitarë për mënyrën se si kanë punuar në terren, policia dhe ushtria, por edhe pushteti lokal. Kjo duhet përshëndetur. Janë disa gjëra që nuk lidhen shumë me këto ditë, por me atë që bëhet përpara. Kam një pyetje për ju, si ministër i Financave në vitin 1992-1994, si ministër i Ekonomisë në vitin 2005-2009 dhe tani si ministër i Bujqësisë. A ndjeheni fajtor ju personalisht që në këto 20 vjet nuk është bërë qoftë dhe një vepër hidroenergjetike në Shqipëri?
Personalisht, do të shfaqja një modesti të tepruar nëse do të thoja po, mbaj një pjesë të përgjegjësisë dhe të fajësisë, por dua më shumë të shpjegoj qartë cila është situata dhe si ndahen përgjegjësitë. Sistemi ynë i mbrojtjes, sidomos nga përmbytjet, nga erozioni, etj, nuk mund të them që është sistem i përkryer. Eshtë sistem i amortizuar. Investimet e bëra në 20 vjet nuk e kanë përmirësuar. Maksimumi, në disa raste, e kanë mbajtur në nivelin që është, por në disa raste dhe e kanë lënë të përkeqësohet. Për shembull, kemi rastin e mjaft digave të rezervuarve në Shqipëri, pasi nuk janë pak por rreth 600 rezervuare, gjendja e të cilëve është përkeqësuar. Atëherë, Genc Ruli si pjesë e klasës politike të këtyre 20 viteve mund të thotë po, kam përgjegjësi pse nuk i kushtova më shumë vëmendje, në të gjitha harkun e 20 viteve, sepse gjërat që duan 20 vjet nuk mund t’i bësh kurrë dot në 20 muaj, edhe sikur të kesh mundësinë financiare dhe vullnetin e duhur. Por, do të thoja, situata e përmbytjeve sivjet nuk ka aspak në thelb gjendjen e dëmtuar, të parehabilituar apo të amortizuar të sistemit të mbrojtjes në Shkodër, siç ka patur disa interpretime të gabuar – po lë mënjanë ata dashakeqë - në ditët e fundit. Ajo çfarë u dëmtua nga përmbytjet e dimrit të kaluar, u arrit që të rehabilitohet tërësisht këtë vit.
Nga maji deri në tetor, çfarë bëtë z. Ruli?
Unë po them u rehabilituan.
Çfarë u rehabilitua, nuk u bë asnjë gjë. Z. Berisha ka thënë se do të fillojë Buna.
Rehabilitimi i sistemit të mbrojtjes nuk ka qenë Buna. Rehabilitim do të thotë që, digat e Dajçit, argjinaturat e Dajçit, Daragjatit, të Çasit, të Kirit, të Ashtës, kanalet e kullimit, të cilat u dëmtuan rëndë nga përmbytjet e vitit të kaluar, të ktheheshin në gjendjen para përmbytjes. Pra, sistemi të ishte në ato nivele mbrojtës që është projektuar. Idetë e tjera, a do të thellohet Buna apo jo, a do të bëhet një kanal i dytë shkarkues krahas Bunës, apo do të mjaftohemi vetëm me Bunën, a do ta lëmë Drinin të derdhet në Bunë apo do ta çojmë në shtratin e vjetër që e derdh në Drinin e Lezhës, këto janë elementë suplementarë, të cilët do të ndërmerren pas një studimi tërësor për këtë zonë, e cila gjithmonë do të rrezikohet nga përmbytjet dhe asnjëherë nuk do të shpëtojë 100 për qind nga përmbytjet. A kemi mundësi t’i krijojmë marzhe garancie më të larta për t’u mbrojtur, kur vijnë plota të mëdha uji? Atëherë, po mund të diskutonim nëse ishte i nevojshëm thellimi i Bunës. Unë vetë nuk e ndaj dot këtë mendim, sepse thellimi i Bunës do të thotë dhe prishje e të gjithë ekosistemit të liqenit të Shkodrës, që ka të bëjë me Malin e Zi dhe me Shqipërinë. Është diçka që do studiuar. Sa do të thellohet, ku do të thellohet, dhe deri ku? Duke ditur që kemi në kufi Malin e Zi, çfarë do të prekim në atë zonë? Sivjet, Mali i zi është më i predispozuar për arsye se pësoi përmbytja të mëdha që nuk i pati vjet. Pra, edhe Mali i Zi po sheh që nivelet e projektuara që në vitin 1960, dhe të miratuara me marrëveshje mes dy vendeve për të mbajtur në një maksimum 5 metra lartësi mbi nivelin e detit argjinaturat mbrojtëse rrotull Bunës, nuk janë më ata të duhurit për arsye se moti, ndryshimet klimatike, po sjellin plota që më parë parashikoheshin të ndodhnin një herë në 100 vjet, e që sot po ndodhin në një frekuencë shumë më të madhe. Mali i Zi tani tregoi gatishmëri, që të paktën gryka e Berit, pika më kritike e Bunës, të mund të thellohet ose të mund të hapet. Kjo mund të bëhet me anë të një studimi dhe ne studimin e kemi projekt prioritar, me financim të Bankës Botërore për vitin që vjen, për të gjithë basenin e Drinit dhe për mbrojtjen e zonës fundore të tij që është zona e NënShkodrës. Ndërsa ato që them unë janë realizuar, janë hedhur faktikisht rreth 160 milionë lekë për rehabilitime.
Kjo është e vërtetë z. Ruli, nuk e mohon njeri këtë, po pse ka shumë energji të harxhuara vetëm për rehabilitim?
Vjen me pyetjen që ju bëtë, do të kapim kohën e humbur. Atë që nuk është bërë për vite me radhë.
Ju e pranoni këtë gjë, që nuk është bërë?
Them që nuk është bërë. Në vitet 1999-2005, mesatarja e investimeve për mbrojtjen dhe kullimin në zonën e Shkodrës është 35 milionë lekë në vit. Në vitet 2006 e deri më sot është 90 milionë lekë në vit. Shkodra sot është disa herë më e mbrojtur se më parë. Është tjetër problem përmasat me të cilat shfaqen fenomenet natyrorë. Prurjet janë të tilla që nuk kanë ndodhur në Shqipëri për disa dekada me radhë. Vitin e kaluar, ne mendonim se përmbytje, reshje, shkrirje bore si ato nuk do të ndodhnim më në Shqipëri. Por po ju them se periudha tetor-nëntor e vitit 2010, krahasuar me periudhën tetor-nëntor të vitit 2009 ka qenë me shumë më tepër prurje. Po ju marr si shembull prurjet në kaskadën e Drinit, që janë një tregues i madh. Në periudhën tetor të vitit 2010 ato kanë qenë 3.5 herë më të larta se në tetor 2009, ndërsa në nëntor arritën përsëri në të njëjtin nivel, 3.5 herë më të larta. Në fund të nëntorit e deri në ditët e sotme, pra fillim dhjetori, prurjet në Drin janë shtatë herë më të larta se ç’kanë qenë vitin e kaluar. Bëhet fjalë për shtatë herë më shumë ujë në Drin krahasuar me një vit më parë.
Në vitin 2005 është mbyllur Instituti i Veprave Hidroteknike dhe në vitin 1994 Instituti i Veprave Bonifikuese. Një pjesë e inxhinierëve me të cilët jam konsultuar, këtë e quajnë krim që ka si pasojë këtë që po ndodh në Shkodër. E pranoni këtë?
Nuk do të ngutesha ta pranoja. Sigurisht, këto kanë qenë institucione të shkencës së aplikuar që drejtonin gjithë mendimin teknik të asaj kohe. Një pjesë e këtij kuadri ka humbur. Jo se është përzënë nga shteti, jo thjesht sepse këtyre instituteve iu ra rëndësia, por në alternativat e tranzicionit kanë gjetur zgjidhje të tjera, kanë shkuar në sektorin privat apo jashtë Shqipërisë. Ne jemi munduar të ruajmë bërthamën e tyre, sidomos për veprat e mbrojtjes ne kemi një bërthamë shkencore inxhinierike pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive në Fushë Krujë. Kemi një bërthamë të tillë në ministri, në Drejtorinë e Përgjithshme të Menaxhimit të Ujërave. Megjithatë, ndaj të njëjtin mendim me ju që kemi mungesë dhe varfëri, sidomos në inxhinierë hidroteknikë në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Shkodër e në Tiranë, pranë Bordeve të Kullimit, që kanë zëvendësuar ndërmarrjet e dikurshme të Ujrave dhe të Kullimit. Vazhdojmë të kemi një potencial të pamjaftueshëm njerëzor, sepse edhe tregu nuk ofron sot specialistë dhe inxhinierë të këtyre profesioneve dhe specialiteteve që na duhen në këtë drejtim. Nuk besoj se gjëma është thjesht mbyllja e një instituti, për sa kohë që mendoj se bërthama e punës së atij instituti, teknologjike apo shkencore, është vazhduar të ruhet në emër të institucioneve apo agjencive të tjera. Sigurisht, kjo mund të jetë temë e një debati më i gjerë. Duhet përsëri të jenë institucione më të mëdha dhe më të fuqishme.
Duhet të rindërtohen?
Nuk kam ende bindje për këtë gjë. Jemi në dy vitet e para të një reforme që është bërë nën fushën e kërkimit shkencor, pasi menduam që kërkimi shkencor të shkëputet nga ministritë dhe të kalojë pranë Universiteteve. Ndoshta mund të duhet një bashkëpunim më i mirë mes Universiteteve dhe ministrive.
Debati më i fundit është teknik, për çështjen e buxhetit. A duhet të rishikohet ai?
Buxheti u ripa. Përmbytja pati dhe koinçidencën e keqe, siç është një përmbytje. Po themi se çdo e keqe shoqërohet dhe me të mirën përkatëse, pra që në parlament ishte ende në diskutim projektbuxheti dhe Ministrisë së Bujqësisë, në sajë të sensibilitetit që pati vetë qeveria, në sajë të sensibilitetit që patën komisionet parlamentare dhe deputetët e veçantë në komisione, iu akordua të paktën 1.2 miliardë lekë më shumë, të gjithë në fushën e kullimit dhe të ujitjes. Është një rritje e ndjeshme, është gati dyfishim i fondit të investimeve të parashikuara.
Pra, nuk ka nevojë për rishikim?
Jo, nuk besoj që ka. Për më tepër që, vitin që vjen, në përfitojmë jo më pak se 8 milionë euro nga një fond emergjence që Banka Botërore nisi ta jepte që pas përmbytjes së vjetshme dhe që realizohet sivjet. Ne do të fillojmë dhe studimin e madh që kushton gati 2 milionë euro, të të gjithë zonës së basenit të Drinit dhe zonës së Shkodrës, studim i cili do të nxjerrë se si duhen konceptuar tashmë standardet e mbrojtjes së kësaj zone. Pas kësaj, do të ketë një investim jo më pak se 40-50 milionë euro, që për disa vite radhazi do të përqendrohet në këtë zonë.
Kryetari i PS, z. Rama, ka deklaruar sot se kjo që ndodh në Shkodër dhe më gjerë nuk është vepër e Zotit, por e politikës pa vizion, pa sy dhe programit të qeverisë suaj?
Nuk kam për të thënë asgjë, po ju them që Rama nuk merr vesh nga përmbytjet dhe nga ujërat. Kjo është normale për shumë tema që ai prek.
Z. Rama i ndodhi përmbytja në Tiranë, edhe ai merr vesh...
Pikërisht, i ndodhi sepse nuk merr vesh nga menaxhimi i ujërave, sikundër nuk merr vesh nga shumë probleme të shtetit. Është i njohur fakti që Rama mundohet të politizojë brenda sekondës, pa pritur as orën, çdo fatkeqësi njerëzore apo natyrore, çdo vdekje apo çdo gjëmë, duke e kthyer në një temë politike dhe antimazhorancë. Unë e kuptoj që kudo në botë opozita ka për mision të sulmojë politikisht mazhorancën. Përmasat dhe absurdi me të cilat e sulmon në Shqipëri është ndoshta diçka më e veçantë, e lidhur kjo dhe me stereotipin e Ramës, në kohën kur ai është në krye të socialistëve. Do të thoja që, kam dëgjuar edhe mendimin e ekspertëve të pavarur, të cilët nuk kanë inspirime politike dhe ngjyrime të asnjërës anë, të cilët e njohin ndoshta më mirë se unë situatën hidrike, të cilët e kuptojnë se këto janë vërtet raste të fatkeqësive natyrore, ku është përmbytur gjysma e Europës, është përmbytur Ballkani, duke filluar që nga Serbia, e deri afër Greqisë. Pra, këto nuk kanë të bëjnë me një qeveri demokratike apo të koalicionit që është sot në Tiranë e në Shqipëri, por kanë të bëjnë me një fenomen natyror, i cili po godet fuqishëm tërë kontinentin. Sigurisht do të ishte shumë më pozitive për vetë përpjekjen gjigande që duhet bërë, së pari nga ana morale dhe shpirtërore për ata njerëz që e vuajnë mbi ne të gjithë këtë përmbytje, ata që kanë shtëpitë nën ujë, atyre që u është dëmtuar prona, ata që kalojnë ditët dhe gdhijnë netët në ujë, sikur vërtet dhe zëri i opozitës, zëri i politikanëve të tyre, të ishte një zë që do e ndienin pranë pozitivisht, për t’i dhënë moral dhe ndihmë për ta kaluar këtë situatë. Nuk besoj që iu vlen as për këtë politika, sepse nuk besoj se banorët e NënShkodrës që janë sot të përmbytur ndihen mirë kur Rama thotë që iu mbyti Berisha dhe nuk i përmbyti Perëndia. Nuk besoj se ndihen mirë, në asnjë vend të Shqipërisë, e jo më në atë zonë.