Ministrat Haxhinasto dhe Tafaj, takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme për mësimin e gjuhës shqipe me përfaqësues të diasporës dhe Shoqatës së Emigrantëve
Tiranë, 6 Dhjetor 2010 NOA - Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto dhe ai i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, pritën sot në një takim të përbashkët drejtues të shoqatave të emigrantëve, studiues dhe përfaqësues nga diaspora shqiptare.
Gjatë takimit Haxhinasto falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e çmuar në promovimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në vendet ku jetojnë dhe siguroi se qeveria shqiptare do të vijojë me përparësi programin për mbështetjen e diasporës.
Ajo që për ne ka marrë një rëndësi të veçantë është arsimimi në gjuhën shqipe i fëmijëve, të rinjve dhe të rejave që janë në emigracion, - tha Haxhinasto.
Për këtë qëllim Ministria e Jashtme, në saj dhe të bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, realizon dërgimin në Greqi, Itali dhe në Britaninë e Madhe të 5600 librave shkollorë për fëmijët e emigrantëve.
Në bashkëpunim me MASH po bëhet gati një sasi librash për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë tekste duke filluar nga abetarja, fletore didaktike, tekste të matematikës dhe lëndëve të tjera, për klasa të ndryshme të mësimnxënies.
Për mbarëvajtjen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe është bashkëpunuar me shumë shoqata të shqiptarëve, sidomos me Shoqatën e Mësuesve Emigrantë në Greqi për të evidentuar fëmijët shqiptarë të moshës shkollore në qytete të ndryshme të Greqisë.
Gjithashtu ministri Haxhinasto informoi përfaqësuesit e diasporës për hapat e ndërmarra në drejtim të pajisjes së emigrantëve me pasaporta biometrike, njohjen e sigurimeve shoqërore dhe përpjekjet për hapjen e qendrave kulturore në diasporë.
Haxhinasto bëri të ditur se në Greqi është përgatitur infrastruktura e nevojshme për pajisjen e qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike dhe ky shërbim do të ofrohet në Itali dhe në vende të tjera.
Ai vlerësoi të rëndësishme vendosjen e kontakteve permanente mes institucioneve shqiptare dhe diasporës shqiptare si një instrument që do të ndihmojë në trajtimin e problemeve me shpejtësi dhe efikasitet.
Pas takimit me përfaqësues të diasporës, z. Haxhinasto tha se qeveria shqiptare po përpiqet për të përmirësuar shërbimet ndaj të gjithë shqiptarëve jashtë vendit, pra të diasporës së vjetër dhe të re, sidomos përsa i takon çështjes së gjuhës shqipe dhe përhapjes së kulturës dhe ruajtës së traditave tona.
Këto përpjekje, - tha ministri, - janë vetëm një pjesë e aktivitetit që po zhvillojmë, pasi janë shumë çështje dhe probleme të tjera që ne po përpiqemi t’i zgjidhim, jo vetëm me strategjitë përkatëse, por dhe me veprime konkrete.
“E kam fjalën këtu për përmirësimin e shërbimit konsullor ndaj shqiptarëve kudo që janë, hapjen e pikave të reja për pajisjen e emigrantëve me pasaporta biometrike në Athinë, Selanik, në Itali dhe në vende të tjera”.
Gjithashtu së shpejti, - njoftoi ministri, - do të mundësojmë dhe hapjen e qendrave kulturore me disa nga vendet ku ka përqendrim të komunitetit shqiptar, si dhe do të realizojmë aktivitet të tjera që kanë të bëjnë me njohjen në mënyrë reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore për emigrantët.
e.r/NOA