Prishtinë, 6 dhjetor, NOA - Punëdhënësi i serbëve, është Beogradi. “Ky pozicionim nuk ka ndodhur për arsye se një gjë të tillë e ka dëshiruar Beogradi, por për faktin se tash 11 vjet serbët nuk trajtohen seriozisht në Kosovë”, thotë në intervsitën dhënë Radios Evropa e Lirë Rada Trajkoviç, nga Lista e Përbashkët Serbe.
Normalisht që programi ynë ka për cak largimin e Partisë së Pavarur Liberale, pasi që në shënjestër të saj janë grupet e popullatës së paarsimuar ose gjysmë të arsimuar të nacionalitetit serb, të cilat në sjelljet e Partisë së Pavarur Liberale, shohin suksesin e tyre.
Zonja Trajkoviç, pse mendoni se qytetarët duhet ta votojnë Listën e Përbashkët Serbe?
Para së gjithash, për faktin se Lista është e përbërë nga njerëz intelektualë dhe intelektualët e kësaj Liste janë përfaqësues nga të gjitha anët e Kosovës; për faktin se ata janë njerëz të profesionit, nuk varen nga politika dhe gjithmonë mund t’i kthehen profesionit; por, edhe për faktin se nuk ka dialog të brendshëm etnik në Parlamentin e Kosovës.
Thjesht, serbët nuk i kandidojnë temat serbe dhe nuk mund të vlerësohet se sa do të ishte i gatshëm Kuvendi i Kosovës për dialog. Kështu duket si një monolog - gjë që nuk është e vlefshme as për Kuvendin, e më së paku për serbët, duke pasur parasysh që ne kemi shumë probleme, të cilat duhet t’i zgjidhim.
Ju edhe më parë keni shprehur pakënaqësi ndaj, siç keni thënë, kushteve të jetesës së serbëve. Çfarë programi ofron Lista e Përbashkët Serbe lidhur me këtë çështje?
Për mua është e rëndësishme që dinamika e bartjes së kompetencave në komunat e reja të krijuara me shumicë serbe, të përfundojë. Aty ku e plotësojmë, siç thuhet, numrin prej më tepër se 5 mijë banorëve, të marrim tërësi të reja komunale. Këtu mendoj për Babin Mostin, Prillushën dhe Plemetinin.
Po ashtu, ta zgjidhim edhe statusin e serbëve në Lipjan, në pjesën që është e banuar me serbë. Të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje që aty ku dominon shumica serbe, të kemi zgjedhje të reja - mendoj në Novobërdë dhe Shtërpcë.
Aty ku ka pjesëmarrje në projektet e privatizimit, të cilat janë prona të Serbisë ose serbëve, të bëhen përpjekje që të mos arrihet deri tek ato privatizime. Të ndihmojmë që pronat e serbëve të zhvendosur, të kthehen.
Serbët kthehen në Kosovë dhe nuk mund të posedojnë pasurinë e tyre, për shkak të presioneve të fqinjëve shqiptarë, në kuptim të rrëmbimit të pasurisë së tyre për pak para. Kjo duhet të ndërpritet.
Duhet të marrim pjesë në projektet dhe përmirësimet e institucioneve të sundimit të ligjit. Në mënyrë thelbësore duhet të ndikojmë që popullata të mbijetojë në Kosovë, si garantuese e mbijetesës së Kishës Ortodokse Serbe. Duhet ta ruajmë identitetin, jo vetëm tonin, por të të gjithë banorëve të Kosovës.
Çfarë ju dallon juve nga subjektet e tjera politike serbe, të cilat garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit?
Unë do ta përqendroja vëmendjen në Partinë e Pavarur Liberale, duke pasur parasysh se, sipas disa hulumtimeve, ajo është orientuar që ta mposhtë Listën e Përbashkët Serbe. Normalisht që programi ynë ka për cak largimin e Partisë së Pavarur Liberale, pasi që në shënjestër të saj janë grupet e popullatës së paarsimuar ose gjysmë të arsimuar të nacionalitetit serb, të cilat në sjelljet e Partisë së Pavarur Liberale, shohin suksesin e tyre.
Siç e dimë, Partia e Pavarur Liberale përbëhet nga njerëz që nuk kanë profesion, të paarsimuar ose gjysmë të arsimuar. Si të tillë, ata janë shembull i keq për gjeneratën e re, pasi që ata kanë arritur deri te një kapital i madh, duke u marrë me politikë ose duke keqpërdorur politikën për nevoja personale.
Ata ngasin vetura të mira, kanë shtëpi të mira dhe të gjitha këto i kanë arritur për një periudhë të shkurtër. Ata janë të orientuar të punojnë në projektet asimiluese, në mënyrë që të mbeten lojtarë politikë.
Natyrisht, një gjë e tillë u konvenon disa partive shqiptare. Por, në këtë kuptim, ata janë me të vërtetë të dëmshëm për serbët e Kosovës.
E gjithë kjo që po flas për ta është arsyeja esenciale pse Lista e Përbashkët Serbe merr pjesë në këto zgjedhje.
Zonja Trajkoviç, të gjitha partitë politike që garojnë për Kuvendin e Kosovës, premtojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Çfarë mund t’iu ofroni në përgjithësi qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë çështje, përfshirë këtu edhe serbët që jetojnë në këtë hapësirë?
Para së gjithash, ne ofrojmë bashkëpunimin dhe normalizimin e shoqërisë në Kosovë dhe marrëdhëniet tona.
Ofrojmë ndërtimin e institucioneve që do të jenë në funksion të bartjes së standardeve, të cilat i ka nënvizuar Bashkimi Evropian – pra, sundimin e ligjit, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallit, bashkëpunimin e plotë me rajonin, si dhe lidhjet institucionale të serbëve me institucionet në Beograd, si faktor i stabilitetit të serbëve në këtë hapësirë.
Ju keni deklaruar se përmes Listës së Përbashkët Serbe, Beogradi trason rrugën e drejtë të ndikimit në kuadër të institucioneve të Kosovës. Si do ta bëni këtë? A nënkupton kjo se nëse hyni në Parlamentin e Kosovës, ju do të jeni zëri i Beogradit?
Të gjithë ne e dimë se kemi partinë turke në Kuvendin e Kosovës dhe i dimë marrëdhëniet e afërta të saj me shtetin turk. E dimë se Turqia ka bërë përpjekje kundër kandidatëve që kanë qenë nga bashkësia turke e që i kanë çuar turqit drejt asaj që është humbje e identitetit - dhe ata tërësisht janë larguar.
Ne e dimë edhe një realitet tjetër. Serbët nga Kosova apo hapësira e Kosovës, punëdhënësin më të madh e kanë Beogradin. Kjo nuk ka ndodhur sepse këtë e ka dëshiruar Beogradi, por për faktin se tash 11 vjet, institucionet e Kosovës nuk po i pranojnë serbët në mënyrë serioze, as në institucionet publike e as në institucionet tjera.
Ky margjinalizim i serbëve ka sjellë deri tek ajo që faktori Beograd të jetë i fortë, përmes formulës së punëdhënësit. Është normale që bashkë me këtë shkon edhe ajo që nënkupton lojalitet. Por, nuk duhet të brengoset askush, nëse Beogradi, i cili mendoj se është orientuar të shkojë drejt Bashkimit Evropian, dëshiron të bëhet faktor i stabilizimit të hapësirës së Kosovës.
Gjithmonë përmes serbëve dhe përmes pozicionit evropian, të cilin ndoshta do ta marrë para Kosovës, do të jetë faktor stabiliteti, i cili do të na mundësojë të gjithëve që të shkojmë bashkërisht drejt Evropës. Nuk mendoj se zëri i serbëve dhe zëri i Beogradit do të konfrontohen në cilindo segment të jetës.
Nuk besoj se as zëri i shqiptarëve të Kosovës do të konfrontohet, duke pasur parasysh që shumica e popullatës mëton drejt Bashkimit Evropian dhe kjo do të jetë lufta e përbashkët e të gjithë qytetarëve. Popullata shqiptare, me një numër domethënës, sipas statistikave të fundit, është e orientuar drejt Evropës.
Në fund, a do të kërkojë Lista e Përbashkët Serbe vetëm votat e qytetarëve serbë të Kosovës apo edhe të atyre shqiptarë e të tjerë? Cilat janë gjasat në këtë drejtim?
Unë pres me shumë optimizëm se do t’i marrim votat e të gjithë atyre, të cilët, në hapësirën ku jetojmë, luftojnë për standardet që do të na ofrojnë drejt Evropës. Kjo, përveç tjerash, nënkupton edhe standardin e ruajtjes së identitetit.
Në këtë kuptim, pres përkrahjen e goranëve, duke pasur parasysh se ata janë të brengosur për identitetin e tyre, në rrethanat dhe mënyrën se si funksionojnë institucionet e Prishtinës.
Presim përkrahjen e boshnjakëve, të cilët në të njëjtën mënyrë kanë probleme me institucionet, në kuptimin e ruajtjes së identitetit. Gjithashtu pres edhe përkrahjen e romëve.
Mua personalisht do të më vinte mirë që të kemi edhe përkrahjen e qytetarëve të nacionalitetit shqiptar. Thjesht, për faktin se ofrojmë diçka që nënkupton perspektivë të përbashkët dhe luftë kundër kriminalitetit e korrupsionit, që na rrezikojnë njësoj dhe që nuk u japin rast të rinjve që të punësohen.
REL