English

Rama në Vlorë dhe Fier: Duhet plan kombëtar anti-përmbytje

Vlorë, 6 dhjetor, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot takime me banorët e zonave të Fierit dhe të Vlorës, të cilat rrezikohen nga përmbytjet e lumit Vjosë.

Kreu i PS-së ka theksuar dhe një herë nevojën e një plani radikal për marrjen e masave kundër përmbytjeve në gjithë vendin. Ai u shpreh se në situatën ku gjendemi, vendi rrezikon të kthehet në një moçal, si pasojë e sipërfaqeve të mëdha të përmbytura.

“Shqipëria po rrezikon të moçalizohet prandaj duhet operacion radikal anti-përmbytje. Të gjithë së bashku duhet të ndërhyjmë dhe ne jemi gati të japin votat tona për planin kombëtar anti-përmbytje”, tha kreu i PS-së gjatë takimit me banorët e zonës.

Rama është ndalur në faktin se buxheti i shtetit duhet të ketë një adresim më të mirë në funksion të shmangies së përmbytjeve në të ardhmen.

Në takimin me banorët e zonës, Rama ka sulmuar edhe kryeministrin Sali Berisha, duke e bërë atë përgjegjës për situatën e krijuar. Ai tha se dëmet e përmbytjeve janë edhe më të mëdha për shkak të mos marrjes së masave në kohën e duhur.

a.k/NOA

KOMENTE