Tiranë, 6 dhjetor, NOA – Ndërsa zona të tëra në Shkodër vazhdojnë të mbeten nën ujë edhe pse uji është tërhequr disi për shkak të pushimit të reshjeve dhe lagjet në hyrje të Shkodrës janë të pushtuara ende nga uji, Lëvizja Rinore për Integrim ka ngritur sot Shtabin e Vullnetarëve, të cilët do t’i vijnë në ndihmë operacioneve në Shkodrën e përmbytur.
Përmbytjet, raportim minutë pas minuteMbledhja e LRI-së ka përfunduar tashmë dhe lajtmotiv i saj ishte situata e vështirë e përmbytjeve në Shkodër, e cila është ende jashtë përmirësimit.
Në përfundim të mbledhjes LRI vendosi të ngrejë Shtabin e Përgjithshëm të Vullnetarëve, i cili do të drejtohet nga Kryetari i LRI-së së Tiranës, Endrit Braimllari.Ky shtab do të jetë në funksion të Shtabit të Emergjencave e do të koordinojë për çdo veprim operacional që do të jetë i nevojshëm.
LRI informon se dega e saj në Shkodër prej ditësh operon në terren, dhe tashmë mësohet se shumë shpejt do t’i shtohen vullnetarëve të LRI-së 112 të rinj nga qytetet e tjera.
Një tjetër vendim i marrë në këtë mbledhje lidhet me fillimin e fushatës në mbarë vendin për sensibilizimin dhe ngritjen e fondeve për t'u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.
“Nëse dikush mendon të bëjë politikë me fatkeqësitë e të përfitojë politikisht me to, kjo është diçka tepër e gabuar. Ne mendojmë se nuk është koha për politikë. Është koha për solidaritet njerëzor. Është koha për të qëndruar afër e për të ndihmuar njëri – tjetrin”, tha në një konferencë për shtyp, sekretari për marrëdhëniet me publikun në LRI, Ardit Çela.
Tashmë nën ujë sipas të dhënave zyrtare janë afro 14 mijë ha tokë, 2580 shtëpi janë të gjitha nën ujë.
Përmirësimi i argjinaturës së Torovicës ka bërë që tashmë të jetë jashtë rrezikut për pak kohë që në rast të ardhjes së reshjeve ato të rrezkojnë të zbresin përdrejt Lezhës.
i.t/NOA