English

“Shkodra”, nuk është koha për të bërë garë

Nuk është koha për të bërë garë kush thotë fjalë më mallëngjyese për Shkodrën dhe kush është më patriot me llafe, është koha për vendime të mëdha. Është koha për të shpëtuar njerëzit nga këto përmbytje të mëdha dhe nga këto fatkeqësi të mëdha, që mund të kthehen në fatkeqësi të mëdha me pasoja që sot ne nuk jemi në gjendje t’i marrim me mend por që pas disa muajsh, pas pak vitesh mund t’i kemi para syve tanë

Nga Edi Rama

Kryetar i Partisë Socialiste

Shkon nga Shkodra, në Lezhë, në Durrës, në Fier më tutje në Vlorë. Është e njëjta pamje dhe pa asnjë dyshim lind i njëjti problem madhor, që Shqipëria rrezikon të moçalizohet edhe njëherë tjetër nga e para pasi është shkatërruar e gjithë infrastruktura mbrojtëse dhe mbajtëse përballë çdo lloj prurje shiu dhe uji. Në qoftë se nuk bëhet sot një operacion radikal duke adresuar të gjitha fondet që ka shteti për investime publike në infrastrukturë tek hapja pastrimi, sistemimi i gjithë kanalizimeve, vijave të kullimit, ngritja dhe konsolidimi i gjithë argjinaturave, proceset e pastrimit të lumenjve, sistemimit të shtretërve dhe pyllëzimit të territoreve të shkatërruara nga barbaria, nesër jo vetëm që do të jetë shumë vonë në raport me përmbytjet që po përsëriten çdo vit e më shumë, por mund të gjendemi përball katastrofave më të mëdha. Sot nuk jemi në këtë pikë, lavdi zotit, por nesër mund të vijmë në atë pikë. Prandaj është momenti për të ndërhyrë për të korrigjuar një gabim historik të gjithë këtyre viteve, sidomos viteve të fundit, kur nuk është bërë asgjë tjetër veçse janë hedhur paratë e popullit për shirita elektoralë, për të marrë votat e për të vazhduar pastaj historinë me vota të vjedhura, me përfitime të paligjshme, më korrupsion e me abuzime.

Ne duhet të gjithë së bashku të ndajmë mendjen dhe të vendosim të ndërhyjmë tek themelet e shtetit që po shkatërrohen, jo vetëm në kuptimin institucional të institucioneve e të pushteteve të pavarura, e të autonomive institucionale, por në kuptimin territorial. Po bien themelet që mbajnë vendin. Gjithë këto pamje që shohim, gjithë këto fatkeqësi njerëzore që ndeshim janë rezultat i një përmbytje, e cila fare mirë mund të përballohej në rast se sistemet do ishin në punë, në rast se gjithë infrastruktura do të ishte e gatshme për ti përballuar.

Shembulli që sollën këta banorë është fakt i pakundërshtueshëm. Në rast se do ishin marrë masat në drejtim të kanalizimeve, të argjinaturave, të gjithë sistemit të mbrojtjes së tokës nga përmbytja, sot nuk do kishim përmbytje dhe sot uji nuk do rrinte këtu. Po moçalizohet Shqipëria.

Ne jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë me mend dhe me votë për një buxhet anti moçal, anti përmbytje, anti shkatërrim dhe për ta kthyer vitin 2011 në një vit ku paratë e popullit të vihen në dispozicion të një përpjekjeje të domosdoshme jetike për të mbrojtur popullin nga përmbytjet dhe për të mbrojtur Shqipërinë nga dëme të llahtarshme nga miliona e dhjetëra milion e në qindra milion euro që janë rezultat i mos investimit të shumë më pak sesa kaq për një faturë krejt të pamerituar për njerëzit.

Ne sot jemi në kushtet kur e vërteta kokëfortë e gjendjes së vendit na vendos përballë dy rrugësh. Ose të vazhdohet në rrugën qorre të Saliut, i cili jo vetëm ka dështuar por po thellon humnerën mes shqiptarëve dhe mirëqenies duke qenë fajtor i drejtpërdrejtë dhe për këto përmbytje e për këtë moçalizim të Shqipërisë, ose të hapim një rrugë të re. Ne sot këtu nuk jemi për të thënë se kjo rrugë e re mund të hapet vetëm po të jemi ne në qeveri. Ne jemi këtu për të thënë ok, në këtë moment si opozitë japim kontributin tonë, japim mend tona, japim votat tona për një plan kombëtar anti përmbytje për ta ndryshuar buxhetin. Nuk është koha për të bërë garë kush thotë fjalë më mallëngjyese për Shkodrën dhe kush është më patriot me llafe, është koha për vendime të mëdha. Është koha për të shpëtuar njerëzit nga këto përmbytje të mëdha dhe nga këto fatkeqësi të mëdha, që mund të kthehen në fatkeqësi të mëdha me pasoja që sot ne nuk jemi në gjendje t’i marrim me mend por që pas disa muajsh, pas pak vitesh mund t’i kemi para syve tanë.

*Kryesocialisti Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i grupit kuvendor të PS Gramoz Ruçi, si edhe nga deputetët Bashkim Fino, Albert Çaçi, Ervin Koçi, kanë qenë sot pranë zonave të përmbytura në Fier. Rama ka takuar banorët e zonës, nga ku ka parë nga afër situatën

KOMENTE