Shkodër, 6 dhjetor, NOA - I pranishëm në operacionet e evakuimit në Shkodër, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha i ka bërë rishtas thirrje banorëve të evakuohen nga shtëpitë dhe zonat e përmbytura, pasi situata është ende e vështirë.
Përmbytjet, raportim minutë pas minuteProblematike shfaqet situata në fshatrat e komunës së Dajçit, si Pentari, Rushkulli, Samrishti, Suka e Dajçit, Shirgji, Daragjati.
Kreu i dikasterit të Brendshëm, theksoi se evakuimi i banorëve dhe sistemimi i tyre mbetet përparësi për situatën.
Basha sqaroi se nëse në fillim operacionet për evakuimin e banorëve kryheshin vetëm me mjetet e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, tashmë në evakuimin e banorëve ndihmojnë edhe helikopterë të ardhur nga Greqia dhe Turqia.
Ministri Basha tha më tej se "Nuk ka alternativë tjetër ndaj evakuimit, gjithçka është e përkohshme dhe e vështirë”.
Ai nënvizoi se kjo situatë do të jetë afatmesme dhe afatgjatë, andaj sipas tij, banorët duhet t'i përgjigjen thirrjes për evakuim.
Nën ujë në Shkodër mbeten mëse 14 mijë ha tokë dhe 2561 shtëpi.
Edhe pse reshjet mungojnë niveli i lartë i ujit mbetet i lartë në zonë, duke bërë që aty të kalohet vetëm me varka.
Kjo thirrje e ministrit për evakuim vjen ngase shumë kryefamiljarë familjesh nga frika e grabitjes nuk duan të braktisin shtëpitë e tyre.
i.t/NOA