English

Uvertura evropiane dhe surpriza të tjera vijnë nga “Tre tenorët”

Tiranë, 6 Dhjetor 2010 NOA - “Tre tenorët” rikthehen në traditën e fundvitit në Pallatin e Kongreseve. Por këtë vit, krejt ndryshe nga të tjerat, merr përsipër misionin simbolik solemn duke ia dedikuar qenies së Shqipërisë në BE.

Prej kësaj arsye organizatorët kanë ftuar, tenorë e artistë nga Evropa. Orkestra Filarmonike e Akademisë së Arteve, do të drejtohet nga dirigjenti italian Leonardo Quadrini, me drejtor orkestre Isak Shehun; me pjesëmarrjen e tenorëve Adrian Xhema,(Shqipëri), Francesco Zingariello (Itali), Sebastian Ferrada (Spanjë), dhe të ftuar specialë Ramona Tullumani, soprano e sapo kthyer nga një koncert për lehtësimin e vizave në selinë e OKB-së; tenori nga Kosova, Ramë Lahaj, dhe pianistin që jeton në Paris, Genc Tukiçin.

Drejtor artistik i koncertit është Ibrahim Madhi, regjisor Leonard Gjata, skenografi Attivisimo Doravetti me producent e ideator Edmond Tullumani.

Për të gjashtin vit radhazi “Tre tenorët”, mbështetet nga kompania e telefonisë celulare Vodafone Albania.

Hapja e koncertit do të jetë solemne, festive, duke na kujtuar se tashmë Shqipëria po hyn në një epokë të re, një hap që na lidh me integrimin.

Ceremoniali uvertura evropiane si dhe kënga e njohur “Dua më shumë Shqipërinë”, që rreshton artistët, të huaj e shqiptarë në një emocion të përbashkët, Ardian Xhemën, Zingariello, spanjollin Ferrada, sopranon Tullumani, dhe tenorin nga Kosova, Lahajn.

“Është një simbolikë e uverturës evropiane, që e kthen artistikisht Shqipërinë në qendër të politikës evropiane nga tre tenorët”, thotë producenti Edmond Tullumani.

Kjo është edhe arsyeja e përzgjedhjes së programit “meqë jemi në një imazh evropian, janë përfshirë kryeveprat botërore evropiane”.

Nga Bellini “Il Puritani”, Cilea “L’arleziana”, Verdi “Macbeth” dhe “Rigoleto”, Gunoud “Romeo dhe Zhuljeta”, Puccini “Toska” dhe “La Boheme” , Zarazabal “No puede ser”etj

Këta kompozitorë, më të mëdhenjtë e Evropës dhe gjithë programi, përfaqëson një prezantim super klas, pjesë të vështira por dhe të një niveli të lartë, deri në ngjitje romantike, spektakolare që producenti i quan si “kënaqësi të publikut.

Janë arie potente të muzikës klasike, tek ne vjen gjë e rrallë në një publik kaq masiv sa ç’nxë pallati i Kongreseve”.

“Ka qenë një kërkesë, që duan t’i dëgjojnë më shumë tenorët në arie. Nga kontaktet është kjo kërkesë, ndaj do të ketë arie sa të ngopen”, tregon Tullumani.

Speciale do të jetë prezantimi i pianistit Genc Tukiçi, solo në piano, i cili ka përgatitur një pjesë të ndërtuar enkas për këtë stinë koncerti klasik me motive shqiptare të përshtatur në orkestër.

“E vështirë që një spektakël klasik të organizohet në një ambient kaq të madh, por kjo ka fituar tashmë këtë status. Gëzohem që është shtuar publiku dhe është kërkues karshi këtij koncerti”, thotë Tullumani.

“Krahasimi vjen natyrshëm me Vjenën, ku thotë se atje çdo vit luhet Shtrausi, salla mbushet plot, dëgjohet çdo vit e njëjta gjë, po njerëzit nuk reshtin, pronotojnë një vit para biletat-ndryshon vetëm dirigjenti. . .”

“Jo për analogji, por Tullumani tregon një anë të koncertit që “detyrohen” të ndryshojnë çdo vit programin, për ta mbajtur dhe çuar drejt një tradite këtë koncert, të mos shuhet emblema e saj, “tenorët e mëdhenj”.

Për të përforcuar se duhet një status për këtë koncert, që të marrë famë më tej se Shqipëria, Tullumani tregon një “program leggere”, ku publiku do të dëgjojë e festojë me perlën e këngës italiane, “Insieme- Europe”, hit i Toto Kutunjës, që është përshtatur për tre tenorët, me gjithë orkestrën bashkë me “Brindizin”, e Verdit që mbyll çdo rast festash klasike kudo në botë.

Tenorët e ftuar, të huajt, kanë qenë dhe herë të tjera në Shqipëri, pse ardhja e tyre këtë koncert më shumë ishte një dëshirë e tyre për të përsëdytur ftesën. ”Italia ka qenë dashamirëse për Shqipërinë, ndaj ata shprehën dëshirën të festonin këtë vit bashkë me shqiptarët.

Ndaj Zingariella ftoi dhe mikun e tij, tenorin spanjoll”, tregon Tullumani. Çfarë i jep dinjitet këtij koncerti për producentin është dhe prezantimi ynë kulturor, rasti është i tenorit spanjoll që ka kërkuar më parë të njihet si me programin, deri në kërkesën se si do ishte salla ku do këndonte. Ai nuk e dinte se ku po shkonte, prandaj na kërkoi të shikonte sallën, nuk besonte dhe ka mbetur i mrekulluar kur i tregova foton nga salla”.

Por tenorët kanë tërhequr dhe fansat e tyre drejt Shqipërisë, kjo është befasia për organizatorët që këtë vit, kanë kërkuar pronotime për të ardhur nga Franca dhe Italia për të ndjekur koncertin e “Tre tenorëve” në Shqipëri.

“Dirigjenti Quadrini ka fansa dhe vijnë vetëm për të parë koncertin, nuk ka vend që të dëgjohen arie kaq të bukura nga tenorë. Quadrini është bërë mik i Shqipërisë ka ardhur disa herë, është ai që e njeh orkestrën dhe propagandon për shqiptarët”.

Një koncert me arsye politike dhe artistike, në përmbushje të kësaj, Tullumani tërheq vëmendjen për të kërkuar për këtë koncert statusin e një vazhdimësie tradicionale, për t’u mbështetur, si markë shtetërore shqiptare.

Rasti që sjell shembull është konjuktura politike-kulturore që ndiqet në Maqedoni, me festivalin e Ohrit. I njëjti shqetësim si edhe festivali i teatrove që bëhet në Butrint, një kërkesë e producentit që disa veprimtari të tilla të hyjnë në strategjinë e politikave kulturore që duhet të ketë një shtet, si përfaqësim kulturor dhe turistik bashkë.

“Çdo shtet do një simbolikë kulturore. Në kemi festivalin e Butrintit, mbi 10 vjet organizim që do status, shembull i mirë është Maqedonia me Festivalin e Ohrit, ku drejtori i saj më ka treguar se shteti i jep 1 milion euro çdo vit, është për të pasur zili kjo mbështetje, ndaj dhe hedh si propozim, që dhe ky koncert -i “Tre tenorëve”- të shndërrohet në markë prioritare për shtetin, të ketë status. Tani ka ardhur koha që ky koncert të jetë markë publike, si në Vjenë, apo Itali”,-thotë Tullumani, pas 8 vitesh investim në këtë event klasik, që po tenton drejt ndërkombëtarizimit.

a.k/NOA

KOMENTE