Tiranë, 7 dhjetor, NOA – Katër ditë pas mbërritjes në Tiranë si diplomati i ri i SHBA-ve, ambasadori Aleksandër Arvizu është takuar sot me kryeministrin Sali Berisha, ku në qendër të bisedimeve kanë qenë situata e vështirë e përmbytjeve në Shkodër për përballimin e të cilës SHBA-të do të mbështesin Shqipërinë si dhe përpjekjet e të dyja shteteve për konsolidimin e sistemit të demokracisë në Shqipëri. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu pasi e falenderoi për pritjen e ngrohtë kryeministrin Berisha theksoi se “unë dua të nënvizoj shqetësimin tim personal dhe atë të popullit amerikan dhe qeverisë sime për situatën e përmbytjeve në Shqipëri. Pa dyshim është një situatë shumë e vështirë dhe një shqetësim i madh është se reshjet kanë filluar relativisht më herët në sezon. Zakonisht fillojnë në janar, këtë vit filluan në dhjetor, gjë që përbën një shqetësim”, tha zoti Arvizu.
Ai bëri me dije se ambasada amerikane po monitoron situatën nga shumë afër duke siguruar se ai dhe stafi i tij do t’i përgjigjen sa më shumë të jetë e mundur nevojave të popullit shqiptar.
Ai ka lavdëruar autoritetet shqiptare për përpjekjete e deritanishme për të evakuuar banorët dhe për t’u ardhur në ndihmë me ushqime e medikamente e nevoja të tjera jetike, në mënyrë që fatkeqësia që pllakosi në Shkodër të mos marrë asnjë jetë njeriu.
“E di se me të gjithë ujërat e përmbytjet, me të gjitha vështirësitë, me të gjitha evakuimet, për aq sa jam në dijeni, asnjë jetë nuk është humbur, pa dyshim përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë për t’u kujdesur për mirëqenien, për njerëzit dhe mendoj se është një gjë shumë pozitive. Iu zotova Kryeministrit se ne do të jemi në kontakt të ngushtë me zyrtarët e tij në ditët dhe muajt në vijim, për t’u përpjekur për të vlerësuar nevojat dhe për t’u përgjigjur në masën që kemi mundësi. Unë shpresoj që do të jemi të aftë të shpallim së shpejti një linjë fillestare asistence, ende nuk i kemi të gjitha detajet, por sa të jenë të gatshme unë do të jem i lumtur t’ju vë në dijeni”, nënvizoi ambasadori amerikan.
Ai i tha kryeministrit Berisha se është shumë i privilegjuar dhe i lumtur që sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton dhe Presidenti Barack Obama i besuan drejtimin e misionit në Tiranë, duke theksuar se ndihet shumë i nderuar që në periudhën në vazhdim do të përmbushë misionin e tij në Shqipëri.
Në një prononcim në përfundim të takimit me ambasadorin amerikan kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare ambasadorit Arvizu për ndihmën, përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe në të gjitha fushat.
“Ishte takimi i parë me ambasadorin e Shteteve të bashkuara në Shqipëri, Aleksandër Arvizu. Një takim tërësisht i hapur, miqësor. Unë shfrytëzova rastin edhe një herë t’i shpreh mirënjohjen time të thellë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,kombit amerikan, ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, për të gjithë ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë dhe japin Shqipërisë dhe shqiptarëve, kombit shqiptar në tërësi, në përpjekjet e tyre për të ndërtuar sistemin demokratik të bazuar në vlerat e lirisë”, tha kryeministri.
Ai theksoi sakaq se e informoi ambasadorin amerikan për përmasën e përmbytjeve në veri, por edhe në zonat e tjera të vendit, duke shtuar se falenderon ambasadorin për aktin e bujarisë dhe ndihmën që ambasada ka akorduar në mbështetje të këtyre zonave.
Po kështu shefi i qeverisë tha se gjatë takimit kanë diskutuar gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri.
Kryeministri Berisha e garantoi ambasadorin se “shqiptarët, të cilësuar ndoshta për shkak të historisë si kombi më pro amerikan, janë të vetëdijshëm dhe e kanë obligim kryesor që të ndërtojnë këtë vend dhe të konsolidojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë, vlera jetike për qytetarët shqiptarë”.
“Ramë dakord që në frymë tërësisht të hapur transparente të bashkëpunojmë për marrëdhënie midis dy vendeve tona dhe për një ndihme dhe mbështetje në konsolidimin e këtyre vlerave dhe të shteti ligjor në Shqipëri”, shtoi kryeministri.
Ndërsa ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu duke mbështetur fjalët e kryeministrit Berisha theksoi se “patëm një diskutim shumë të mirë për historinë e miqësisë dhe marrëdhënieve midis vendeve dhe i shpjegova sa i kënaqur, sa i gëzuar jam për misionin tim dhe mezi pres për një bashkëpunim të ngushtë me Kryeministrin dhe me qeverinë e tij në të ardhmen”.
Ambasadori i ri amerikan, Aleksandër Arvizu, një diplomat karriere i SHBA-ve në disa vende të botës, erdhi me mision në Tiranë pas përfundimit të misionit të ish-ambasadorit Xhon Withers.
mit/NOA