Shkodër-Lezhë, 7 dhjetor 2010 NOA – Në operacionet e ndihmës për zonat e përmbytura në Qarkun e Shkodrës dhe atë të Lezhës janë angazhuar edhe Forcat tona Detare, duke vënë në dispozicion të tyre 4 anije dhe konkretisht: anijen “Iliria” dhe 3 anijet “Archangel” të ardhura në gusht të këtij viti, 2 zjarrfikëse, 1 autobot, 1 autobuz, 3 lanca, 1 skuadër shoferësh, si dhe një ekip të specializuar varkëtarësh bashkë me grupin e polumbarëve të Qendrës së Zhytjeve në Pashaliman.
Operacionet e ndihmës filluan më datë 30 nëntor dhe vazhduan pa ndërprerje gjatë këtyre ditëve, ku më i rëndësishmi është operacioni për furnizimin e komunës së Velipojës e cila është e izoluar nga komunikimi automobilistik.
Gjatë kësaj jave, 4 anijet tona në kushte të vështira të motit, në një det 3-4 ballë, ditën dhe natën, kanë çuar nga vendbanimi i Shëngjinit deri në bregun e Velipojës rreth 70 ton ushqime, miell, ujë, karburant, veshmbathje, ushqim për blegtorinë, etj. Komandanti i këtij operacioni të veçantë, Kapiten i Rangut të II-të Festim Derri, thekson se i gjithë personeli pjesëmarrës në këtë operacion ka qenë i përkushtuar maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë këtyre banorëve.
Kështu, përveç detyrës funksionale në det, ku u kryen mesatarisht 3-4 rejse në ditë, ekuipazhet e anijeve janë marrë me ngarkim-shkarkimin e materialeve dhe transportin e tyre.
Në këtë operacion humanitar nga më të vështirët në det, ku u vunë në provë aftësitë profesionale të detarëve në çdo detyrë e post luftarak, morën pjesë efektiva të Flotiljes Detare të Veriut, të Jugut, Vendqëndrimit të Shëngjinit, të shtabit të FD, të drejtuar direkt nga komandanti i Forcave Detare, kundëradmiral Kudret Çela.
e.r/NOA