English

Grupi Çalik, ndihmë për banorët e prekur nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës

Tiranë, 7 Dhjetor 2010 NOA - Çalik Holding përmes tre kompanive që operojnë në Shqipëri ALBtelecom, BKT dhe Eagle Mobile mbështesin banorët e zonave të përmbytura në rrethin e Shkodrës. Në mbështetje të banorëve të zonave të prekura nga përmbytjet ALBtelecom do të dhurojë rreth 25 mijë Euro ndihmë në llogarinë që është hapur nga Bashkia e Shkodrës në ndihmë të banorëve të përmbytur.

Raportim minutë pas minute

Kompania tjetër e Grupit Çalik, Banka Kombëtarë Tregtare do të dhurojë 25 mijë Euro të tjera (në total 50 mijë Euro nga Çalik Grup) për banorë e prekur nga fatkeqësia.

Eagle Mobile, kompania celulare e Grupit Çalik ka nisur një fushatë sensibilizimi me SMS, për mbledhjen e fondeve dhe kontributeve të qytetarëve shqiptarë në ndihmë të banorëve të rrethit të Shkodrës.

Si pjesë të ndihmës, kompania Eagle Mobile ka vënë në dispozicion edhe një grup numrash falas për ekipin e shpëtimit të cilët kanë mbërritur nga Turqia dhe po operojnë aktualisht në zonat e dëmtuara në ndihmë të banorëve.

Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom, z. Sevket Acar (Shevket Axhar) vizitoi ditën e martë zonat e përmbytura në rrethin e Shkodrës për të ndjekur nga afër situatën e krijuar. Ai zhvilloi një takim dhe më Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, z. Lorenc Luka.

Gjatë takimit Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e kompanisë që drejton si dhe të Grupit Çalik për banorët e prekur nga përmbytjet.

Acar gjithashtu shprehu mbështetjen e kompanisë ALBtelecom dhe kompanive të tjera të Grupit Çalik për pushtetin vendor në Shkodër. Ai tha se në një situatë kaq të vështirë, kompanitë e grupit Çalik nuk mund të qëndrojnë pa iu gjendur pranë banorëve të Shkodrës.

“Ne si ALBtelecom, pjesë e “Çalik Group” jemi të ndjeshëm ndaj situatave të tilla me pasoja sociale për një zonë kaq të gjerë. Situata në zonat e përmbytura është e rëndë, ndaj ne nuk mund të qëndrojmë dhe të mos shprehim mbështetjen dhe ndihmën tonë modeste për Shkodrën dhe qytetarët e saj. Shpresojmë që ndihma dhe kontributi ynë simbolik të ndikojë sadopak për të lehtësuar vuajtjen e banorë të prekur. Uroj që gjendja e rënduar e përmbytjeve të marrë fund sa më parë”, u shpreh Acar.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, z. Lorenc Luka nga ana e tij falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të ALBtelecom për mbështetjen. Sipas tij, ndihmat dhe kontributet për banorët e zonës do të mbërrijnë shumë shpejt tek qytetarët dhe banorët në nevojë.

Më herët, menjëherë pas situatës së krijuar nga përmbytjet, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Hasan Sevilir A?an (Ashan) u bëri thirrje të gjitha bizneseve dhe kompanive turke, apo të zotëruara nga investitorë turq që të japin patjetër kontributin e tyre në ndihmë të banorëve të prekur nga fatkeqësia.

Një ekip prej rreth 22 personash të ekipeve të gjetjes dhe shpëtimit dhe 3 helikopterë dhe prej ditësh kanë mbërritur nga Turqia në mbështetje të ekipeve shqiptarë të ndihmës dhe aktualisht po operojnë në zonën e Shkodrës.

e.r/NOA

KOMENTE