Tiranë, 7 dhjetor, NOA – “...Kush e shpëton një njeri është si t'i kishte shpëtuar të gjithë njerëzit...” Mbi këtë ajet kuranor, Komuniteti Musliman i Shqipërisë do të nisë nesër në 8 dhjetor fushatën e ndërgjegjësimit dhe dhurimit vullnetar të gjakut, për t’u dhënë jetë atyre që vuajnë nga sëmundja e talasemisë.
Pas ndihmave të dërguara në Shkodër për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të përmbytur të Shkodrës, përmes një deklarate KMSH bën të ditur se fushata do të nisë nesër duke filluar nga ora 08:00, ku në selinë e KMSH-së i tërë stafi i saj dhe i Myftinisë së Tiranës do të dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë.
Ndërsa në ditët në vazhdim kjo fushatë do të shtrihet në të gjitha xhamitë e kryeqytetit dhe myftinitë e Shqipërisë.
KMSH i ka bërë thirrje edhe të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e kësaj fushate, duke i mëshuar idesë uranore se “një vepër sado e vogël shpërblehet shumëfish nga Zoti i gjithësisë dhe me një kontribut mjaft të vogël mund të shpëtohet një jetë”, ashtu sikundër thotë edhe edhe Allahu në Kur’anin e shenjtë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i ka lëshuar edhe një ftesë të gjitha mediat që të jenë të pranishme dhe të bëhen pjesë e një fushate mbarëkombëtare sensibilizimi.
Në Shqipëri mbi 500 fëmijë janë të prekur nga sëmundja e talasemisë, që do të thotë se këta fëmijë nuk do të mund të jetonin më në rast se nuk do të merrnin gjak të ri një herë në tri javë.
Ky gjak nuk sigurohet nga prindërit, pasi prindërit janë bartës të talasemisë.
Por, përveç të sëmurëve me talasemi nevojë emergjente për gjak kanë edhe të sëmurë me tumore, leuçemi etj, andaj dhe është mjaft emergjente rritja e numrit të dhuruesve vullnetarë që në raport me nevojat e të sëmurëve është mjaft i vogël.
mit/NOA