English

Kryeprokurorja dhe delegacioni i KGJK: Këshilli i Prokurorisë në Kosovë rol në bashkëpunimin mes vendeve

Tiranë, 7 dhjetor, NOA – Ngritja e Këshillit të Prokurorisë në Kosovë, që pritet të nisë veprimtarinë e tij në janar të vitit 2011, pritet të ketë një rol të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve të drejtësisë të Shqipërisë e Kosovës. Të këtij mendimi ishin delegacioni i Këshillit Gjyqësor të Kosovës i kryesuar nga Enver Peci dhe prokurorja e Përgjithshme e Republikës, Ina Rama gjatë takimit të sotëm.

Zonja Rama, bëri një pasqyrë të funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, të atij të Prokurorisë si dhe për funksionet e Këshillit të Prokurorisë.

Rama theksoi se Prokuroria gjendet përballë sfidave të rëndësishme në luftën kundër krimit, andaj ajo nënvizoi se “puna e këtij institucioni është fokusuar në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, krimit ndërkufitar si dhe ndaj fenomeneve të reja siç është pastrimi parave dhe trafiqeve”.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, gjatë përshkrimit të ndërtimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë si dhe sfidave me të cilat ndeshet ajo, shpjegoi se si funksionon Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Peci vuri theksin në rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit midis institucioneve të drejtësisë të dy vendeve pasi dhe problematika e çështjeve që ndeshen është e njëjtë, siç janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

mit/NOA
KOMENTE