English

Meta-Arvizu: Do të bashkëpunojmë edhe më shumë në fushën e energjisë

Tiranë, 7 dhjetor, NOA – Marrëdhëniet e shkëlqyera me Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe bashkëpunimi në lëmin energjetik mes dy vendeve aleate në NATO, ishin në qendër të takimit të mirëseardhjes mes zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Pasi vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera, zëvendëskryeministri Meta e uroi ambasadorin e ri të SHBA-ve në Tiranë dhe duke vlerësuar eksperiencën diplomatike të ambasadorit Arvizu, e garantoi këtë të fundit se bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare do të njohin një dinamike të re zhvillimi mes dy vendeve tona, ku fokusi kryesor i këtij bashkëpunimi do jetë fusha energjetike.

“Ishte kënaqësi e veçantë të takohesha me ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin Arvizu, një diplomat me shumë përvojë dhe eksperiencë në vende të tjera më parë. Kemi diskutuar rreth marrëdhënieve të shkëlqyera mes të dyja vendeve dhe i kemi konfirmuar ato, si dhe kemi shprehur dëshirën dhe ambicien e përbashkët për të çuar në nivel më të lartë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes të dyjave vendeve”, u shpreh zoti Meta.

Zëvendëskryeministri Meta dhe Ambasadori Arvizu diskutuan edhe për nxitjen investimeve amerikane në Shqipëri, sidomos në sektorët strategjikë, dhe për të bashkëpunuar në mënyrë të veçantë në fushën e energjisë, sidomos për mbështetjen e SHBA-ve për integrimin e Shqipërisë në rrjetet energjetike pan-europiane, të cilat janë të domosdoshme për të çuar më tej ambiciet tona për integrimin europian të vendit.

Nga ana e tij Ambasadori Amerikan, Arvizu, pasi konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë, vlerësoi progresin dhe potencialin e ekonomisë shqiptare dhe shprehu vullnetin dhe angazhimin e tij për të thelluar me tej marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Amerikës.

Gjithashtu, Ambasadori Arvizu, duke u solidarizuar me situatën emergjente gjatë ditëve të fundit në vend, i shprehu zëvendëskryeministrit gatishmërinë e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të qenë pranë popullit dhe qeverisë shqiptare me ndihmesën e tyre në kapërcimin e kësaj situate.

mit/NOA
KOMENTE