English

Nishani-Arvizu: Lufta ndaj krimit të organizuar, objektiv për shtetin ligjor

Tiranë, 7 dhjetor, NOA – Pas një sërë takimesh mirëseardhjeje në Tiranë, Ambasadori i ri i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu është pritur sonte në mbrëmje edhe nga Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani me të cilin kanë diskutuar për reformat në drejtësi dhe ndihmën që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë në konsolidimin e sistemit të drejtësisë. “Lufta ndaj krimit të organizuar, do të vijojë të jetë fokus i objektivit të vendosjes së shtetit ligjor, duke patur parasysh, që kjo luftë që nuk njeh kufizime ndërkufitare, e për këtë çështje Ministria e Drejtësisë do të jetë e hapur dhe bashkëpunuese në marrëdhëniet me qeverinë amerikane për fuqizimin e shtetit ligjor si baza e zhvillimit të demokracisë”, e siguroi ambasadorin amerikan, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.

Gjatë takimit ku merrte pjesë edhe zëvendësambasadorja amerikane, Deborah Jones, ambasadori amerikan shprehu mirënjohjen e tij më të thellë për bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, si dhe konsiderata të larta për këtë eksperiencë të shkëlqyer bashkëpunimi në fushën e drejtësisë.

Ai shprehu gjithashtu besimin se ky sukses do të vijojë edhe përgjatë misionit të tij të ardhshëm.

Më tej në fjalën e tij, ambasadori theksoi kontributin e Ministrisë së Drejtësisë dhe rolin faktor të saj në vendosjen e shtetit ligjor duke marrë parasysh të gjitha sfidat që ofron zhvillimi aktual.

Madje ai vlerësoi proceset e ndërmarra në kuadër të zbatimit të ligjit në Shqipëri duke përshëndetur ministrin për rezultatet e dukshme në këtë fushë.

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani i shprehu mirënjohjen ambasadorit të SHBA-ve për ndihmën, përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë duke u fokusuar në ndihmën në sistemin e drejtësisë, si dhe për reformën në drejtësi apo infrastrukturën e sistemit gjyqësor.

Sipas Nishanit, projektet e realizuara në fushën e drejtësisë nëpërmjet programeve të qeverisë amerikane ishin një pasqyrë tjetër e suksesit të bashkëpunimit mes dy vendeve, për të cilat Ministri i Drejtësisë theksoi se, këto projekte kanë qenë dhe do të jenë edhe në vijim me një vlerë të pamatë për popullatën shqiptare nga populli amerikan.

Amasadori amerikan dhe Ministri i Drejtësisë, garantuan për vijimin e një fryme bashkëpunimi tërësisht të hapur dhe transparente në kuadër të marrëdhënieve midis dy vendeve në mbështetje të konsolidimit të vlerave të shtetit ligjor në Shqipëri.

mit/NOA
KOMENTE