Tiranë, 7 dhjetor, NOA – Bashkëpunimi në lëmin e inspektimeve të gjyqtarëve si dhe ai i shkëmbimit të të dhënave statistikore mbi volumin e çështjeve që gjykohen ishin në qendër të takimit që zhvilloi sot në Tiranë, Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani me një delegacion të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Enver Peçi. Takimi mes palëve u përqendrua në shkëmbimin e eksperiencave mbi mënyrën e funksionimit të sistemit gjyqësor në të dy vendet tona.
Në fjalën e tij, Ministri Nishani bëri një pasqyrë rreth marrëdhënieve institucionale që Ministria e Drejtësisë ka me Këshillin e lartë të Drejtësisë.
“Me qëllim që t’i përgjigjemi sa më mirë shqetësimeve të qytetarëve, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nëpërmjet dy inspektoriateve kanë bërë të mundur realizimin e inspektimeve të përbashkta në gjyqësor”, tha ministri i Drejtësisë. Një tjetër çështje në të cilën u ndal ministri Nishani, ishte prodhimi i statistikave të sakta mbi volumin e punës në gjykata, realizuar falë vënies në punë të sistemit elektronik dhe përcjelljes elektronike të vendimeve gjyqësore në arkivin e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas Nishanit këto statistika janë të vlefshme edhe për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, andaj tha ai, po punohet për hartimin e një memorandumi të përbashkët që edhe KLD të ketë akses në këtë sistem statistikor, u shpreh ministri.
Një arritje e madhe në drejtim të transparencës, sikundër tha ministri Nishani është hedhja e shortit elektronik.
Më tej Ministri Nishani solli në vëmendje hapat që po ndërmerr në konsultim me kreun e qeverisë për rritjen e pagave për gjyqtarët e Apelit dhe ata të Rrethit përmes miratimit të bonueseve të veçanta.
mit/NOA